BallinaFaktometerPa kategoriMinistri Ahmetaj ndryshon qëndrim për pasojat e tërmetit në rritjen ekonomike

Ministri Ahmetaj ndryshon qëndrim për pasojat e tërmetit në rritjen ekonomike

JOEL ÇELA

Ende pa i bërë mirë llogaritë për dëmet nga tërmeti i 26 nëntorit, Arben Ahmetaj deklaroi 10 ditë pas fatkeqësisë natyrore se buxheti i rindërtimit nuk do ndikonte në rritjen ekonomike. Dy muaj pas kësaj deklarate zoti Ahmetaj, në cilësinë e ministrit të Rindërtimit u tërhoq. Edhe pse Shqipëria siguroi 1.15 miliardë euro, ku mbi 70 % e shumës është kredi, ka vend për shqetësim pasi rritja e borxhit publik përbën kërcënim për ekonominë.

……………………………………………………………………………………………………………………………….

Në seancën e parë parlamentare pas tërmetit, më 5 dhjetor 2019 zoti Ahmetaj, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, foli për programin e rindërtimit. Ai deklaroi se nuk do të rriten taksat dhe borxhi, duke dhënë këtë garanci:

“Nuk do të cënojë rritjen ekonomike.”

Dy muaj më vonë, u mbajt konferenca e përbashkët për shtyp me përfaqësues nga qeveria shqiptare, ambasadorin e BE Luigi Soreca, si dhe përfaqësues nga Banka Botërore dhe Kombet e Bashkuara. Aty u bë publik PDNA (Vlerësimi i Nevojave Pas Fatkeqësisë), ku kosto e dëmeve kalonte vlerën 985 milionë euro, ndërsa buxheti i nevojshëm për rindërtimin tejkaloi shifrën 1 miliard e 70 milionë euro.

Në këtë konferencë, përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri, znj. Evis Sulko,  tha se kosto e tërmetit është në vlerën 7.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë. Më pas, shtoi se rritja ekonomike e vendit do të pësojë ulje nga parashikimet fillestare, si për fundin e vitit 2019, ashtu edhe për vitin 2020:

“Mendohet që si rezultat i kësaj ngjarjeje në vitin 2019, ritmi i rritjes të jetë ulur dhe kjo trajektore pritet që të vazhdojë edhe për vitin 2020. Pra, parashikohet një rritje prej rreth 3.2% krahasimisht me 3.5% që ishte parashikimi përpara se sa të ndodhte tërmeti.”

Edhe vetë qeveria në raportin e vlerësimit të nevojave pas fatkeqësisë, që hartoi në bashkëpunim me BE, Bankën Botërore dhe OKB, pasqyron të njëjtën pritshmëri.  

Faqja 11 e raportit të Vlerësimit të Nevojave Pas Fatkeqësisë

Më 7 shkurt të këtij viti “Faktoje” e pyeti ministrin Ahmetaj nëse i qëndron deklaratës së 5 dhjetorit, se buxheti për rindërtimin nuk do cënojë rritjen ekonomike, por nuk morëm përgjigje.

Megjithatë ministri bëri një hap pas më 12 shkurt duke folur në Komitetin e Katërt Kombëtar të Rindërtimit:

“E ngadalëson detyrimisht edhe rritjen ekonomike. Pra, 2.4 do të rezultojnë 2019 dhe 3.2 2020 në krahasim me parashikimin. Pra, siç e shikoni është një 0.5 në 2019 ngadalësim dhe afërsisht 0.3 në 2020 ngadalësim rritjeje.”

Pjesë nga prezantimi i ministrit Ahmetaj gjatë Komitetit të Katërt të Rindërtimit

Pas kësaj deklarate të dytë të zotit Ahmetaj që rrëzon të parën, dje pati një zhvillim të ri, mbledhja e 1.15 miliardë eurove në konferencën e donatorëve për dëmet nga tërmeti i 26 nëntorit. Nga kjo shumë, mbi 70% janë kredi, ndërsa pjesa tjetër, janë donacione.  

“Faktoje” kontaktoi ekspertin ekonomik Zef Preçi, kreun e Qendrës Shqiptare të Kërkimeve Ekonomike, për ta pyetur se si ndikon marrja e kredisë (qoftë edhe e butë) në rritjen ekonomike të vendit.

“Kjo pjesë lidhet jo vetëm me rindërtimin mbas tërmetit të vitit të kaluar, por edhe me përshpejtimin e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit. Në këtë kontekst, është pozitive që ndaj vendit tonë ka një ofertë financiare apo premtim për hua, por që mendoj se duhet menaxhuar me kujdes. Kjo për shkak se në kushtet e krizës ekonomike globale, mundësite e marrjes së huave ekzistojnë, por rritja e borxhit publik është një kërcënim serioz për stabilitetin makro-ekonomik të vendit.”

Sipas përllogaritjeve të revistës ekonomike Monitor, kredia që do t’i jepet Shqipërisë zë 5.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kjo kredi e rrit borxhin publik në raport me PBB, nga 66.2% që ishte në fund të 2019-s, në gati 72% të PBB.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img