BallinaFaktometerPa kategoriNgatërresa me shifrat “vesh” me 640 mijë tonë ar Prishtinën

Ngatërresa me shifrat “vesh” me 640 mijë tonë ar Prishtinën

Ditët e fundit titujt e mediave në Shqipëri dhe Kosovë njoftojnë se në dalje të Prishtinës janë zbuluar 640 mijë tonelata ari. Për fat të keq, bëhet fjalë për një keqintepretim të masave matëse për pastërtinë e arit, të deklaruar nga kërkimet e një kompanie minerare në nëntokën pranë Prishtinës.

Jona Plumbi

Kompania britanike për hulumtimin e minierave Western Tethyan Resources njofton se në fshatin Slivovë ka ar.” Kështu e nis artikullin e saj Monitor.al në datë 3 mars.

*imazh i artikullit të publikuar nga Monitor në datën 3 Mars
*imazh i artikullit të publikuar nga Monitor në datën 3 Mars

Artikulli është rishpërndarë nga media të tjera si TPZ.al dhe Gazeta Shqip duke njoftuar pa ndryshime lajmin që do ta bënte ekonominë kosovare mjaft të begatë.

*imazh i lajmit të publikuar në faqen web të TPZ.al
*imazh i lajmit të publikuar në faqen web të TPZ.al
*imazh i lajmit të publikuar në faqen web të gazeta-shqip.com
*imazh i lajmit të publikuar në faqen web të gazeta-shqip.com

Western Tethyan Resources njofton se në fshatin Slivovë janë 640 mijë tonelata ari.” – shkruajnë artikujt e shpërndarë në mediat shqiptare. Artikulli vijon me citime thuajse të pakuptueshme për lexuesit mbi sasinë e arit të pretenduar – “Zona kryesore në Slivova ka burime të përcaktuara prej 640 kt [640 mijë tonelata] apo 4.8 gr/tonelata ari për 98,700 ons”.

Në fakt, studimi është i vërtetë dhe i qenësishëm, por përmbajtja dhe përfundimi në të cilin del ky studim nuk është ashtu si është raportuar nga këto media.

Western Tethyan Resources është një kompani britanike me bazë në Kosovë, që shfrytëzon depozitat e arit dhe bakrit. Një nga projektet me të cilat kjo kompani punon është ajo e arit në Slivovë “Slivova Gold Project in Kosovo” të cilën e ka në bashkëpunim me kompaninë Avrupa Minerals.

Në datë 3 Mars 2023, Western Tethyan Resources publikoi një dokument ku vlerëson mundësinë e shfrytëzimit të një miniere të mundshme në fshatin Slivovë, në komunën e Prishtinës. Të dhënat e këtij dokumenti flasin për mundësi të ekzistencës së një sasie të madhe ari. “Një Burim Mineral i Treguar (NI 43-101) u përcaktua në Slivovë prej 640,000 mt @ 4,8 g/t ari dhe 14,68 g/t argjendi, për afërsisht 98,700 ons ari dhe 302,000 ons argjendi.” – shkruan dokumenti. Kjo do të thotë se në 640 mijë ton mineral më përbërje ari, mund të nxirren 4,8 gramë ar i pastër dhe 14,68 gramë argjend.

Kjo është konfirmuar edhe nga Mentor Demi, menaxher i Western Tethyan Resources, i cili tha për BIRN se bëhet fjalë për gramë që mund të nxirren nga një ton mineral ari. “Sasia mesatare e arit për ton është 4.8 gram – që do të thotë – nga 640.000 ton xeheror, mund të merren rreth 2.800 kilogramë ar.” – sqaroi Mentor Demi.

Në këtë rast, keqinformimi i lexuesve ka ndodhur për shkak të leximit të pakujdesshëm të dokumentit apo riprodhimit të lajmit pa e verifikuar atë më parë. Sigurisht që shifra e bujshme prej 640 mijë tonelatash ari është më tërheqëse sesa ajo e 2,800 kilogramëve ar.

*imazh i faqes pasi eshte fshirë lajmi i publikuar më herët
*imazh i faqes pasi eshte fshirë lajmi i publikuar më herët

Ky gabim mesa duket është kuptuar nga Monitor dhe rezulton se është hequr nga publikimi online, ndërkohë që dy portalet e tjera, vijonin të informonin për shifrat marramendëse. Kolegët tanë të Kallxo.com në Kosovë kanë faktuar gjithashtu disa media të tjera kosovare që kanë raportuar gabimisht pasurinë përrallore të nëntokës së Prishtinës.

*Lajmi u publikua në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook/Meta për të luftuar dizinformimin

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img