BallinaPertejPromovimi i Ozempik për dobësim, rreziqet që influencerët nuk ua thonë

Promovimi i Ozempik për dobësim, rreziqet që influencerët nuk ua thonë

Ozempiku është një medikament për kurimin e diabetit, por për shkak të reklamimit nga yjet e rrjeteve sociale, po përdoret si kurë dobësimi. Fushata ka joshur të rritur e deri tek vajza të mitura në Shqipëri që duan me çdo kusht të heqin kilet pa u informuar për efektet anësore. Një dozë mujore e injeksionit kushton 120-250 euro, një çmim i kripur për një kurë që mund të zgjasë edhe më shumë se 1 vit. Arjeta është një 30-vjeçare që përdori Ozempikun për një vit e gjysmë, por me ta ndërprerë rimori peshën që humbi gjatë trajtimit. Çfarë i tremb mjekët tek pacientët që e përdorin Ozempikun për dobësim dhe a gjendet ai në farmacitë tona?

Në faqen e saj të Instagramit Kim Kardashian tregonte rënien drastike në peshë, duke „alarmuar“ ndjekësit, të cilët e akuzuan 42-vjeçaren se po përdorte Ozempic.

Influencerja me mbi 360 milionë ndjekës në Instagram u shfaq gjatë „Met Gala 2022“ dukshëm me më pak kile, teksa më pas në çdo dalje publike paraqitej edhe më e dobët.

Mirëpo, pavarësisht akuzave të ndjekësve për përdorimin e Ozempic, familja Kardashian i hidhte poshtë këto pretendime, por buja e këtij medikamenti si preparat për dobësim kishte pushtuar faqet e mediave të huaja dhe jo vetëm.

Megjithatë, ishin me dhjetëra personazhe të tjerë të njohur që folën hapur për trendin e rënies në peshë nga Ozempic, duke e shndërruar ilaçin në „trendin e momentit“.

Në dhjetor të vitit 2017, FDA (Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave) aprovoi përdorimin e këtij medikamenti për trajtimin e diabetit të tipit 2. Pra, Ozempic është një bar relativisht i ri, i lancuar në treg në vitin 2018.

Arjeta 30 vjeç, është ndjekëse në rrjetet sociale e yjeve që kanë publikuar rezultatet ‘magjike‘ per humbjen në peshë me Ozempik. Ajo peshonte rreth 85 kg kur nisi përdorimin e Ozempic në vitin 2022. Duke kombinuar këtë medikament  me dietë dhe aktivitet të rregullt fizik, arriti rezulatin që donte brenda 7-8 muajve.  

“Lexova që Ozempic funksiononte për të rënë nga pesha. Arrita ta merrja nga jashtë vendit nëpërmjet të afërmve të mi dhe nisa ta përdorja rregullisht, njëherë në javë ose 4 herë në muaj. Ilaçi të jep ndjesinë e ngopjes, por nisa të kisha edhe probleme me stomakun. Javët e para nuk ishin të lehta, por isha e vendosur ta vazhdoja. Nisa një dietë ushqimore dhe aktivitetin fizk. Për disa muaj arrita të bija 18 kg nga pesha”, shprehet 30-vjeçarja.

Mirëpo problemet nisën pas ndërprerjes së Ozempikut, sepse nuk mund të vazhdonte ta merrte gjithmonë.

“Pas një viti përdorim mendova ta ndërprisja Ozempic. Por, nisa të konsumoja sërish ushqim si më parë. Nëse nuk je edukuar gjatë kësaj kohe që të konsumosh sasi më të vogla ushqimi, por je mësuar të konsumosh aq ushqim sa ke uri, kur kjo ndjesi ngopjes ikën, nis shton sërish peshë”, rrëfen Arjeta.  

E meqë u kthye prapë në pikën kur ka nevojë të bjerë në peshë, Arjeta është në dilemë nëse mund ta nisë sërish Ozempikun, por për këtë i duhet të bëjë llogaritë mirë jo vetëm sepse Ozempic kushton, por sepse tani që ka mësuar më shumë për efektet anësore të ilaçit trembet.

Ozempic jep ulje në peshë, por është ’thikë me dy presa’

Mjeku endokrinolog, Dashamir Gjergji theson për Faktoje efektin parësor që ky bar ka te pacientët.

“Ozempic është një injeksion, një mjekim që përdoret rëndom vitet e fundit në diabetologjinë botërore, është një medikament që ndihmon çlirimin e zgjatur të insulinës dhe e bën të mundur te diabetikët mbajtjen e sheqerit në normë. Pra, ndihmon në uljen e vlerave të sheqerit, duke zbrazur më ngadalë stomakun, duke çliruar më shumë insulinë dhe duke dhënë ndoshta edhe një lloj kënaqësie, ndjesinë e ngopjes në organizëm”, argumenton mjeku.

Gjergji konfirmon me shqetësim se përdorimi nga persona pa problematikë të diabetit, por thjesht për t’u dobësuar, sjell pasoja.

“Është e vërtetë që bari dobëson dhe e ul peshën trupore, është vënë re që gjatë trajtimit të diabetit, të sëmurët diabetikë kanë pasur edhe reduktime të peshës. Kjo ka bërë ndoshta që një pjesë e mirë e njerëzve që nuk janë diabetikë, kryesisht moshat e reja, por edhe moshat e mesme, pse jo dhe mosha të mëdha, kanë përdorur barin për t’u dobësuar edhe pa instruksionet e mjekut.

Është një bar me efekte në organizëm, të pastudiuara mirë. Është një bar që është përdorur pak te diabetikët, nuk është se ka shumë vite në treg, sepse si rregull, një medikament, që të marrë certifikatën e besueshmërisë, duhet të kalojë minimalisht 10 vjet përdorim dhe tagrin për të dhënë sigurinë e barit e kanë trupat e specializuar mjekësore. Ndaj ky bar nuk duhet të përdoret fare për t’u dobësuar, unë si mjek jam kategorikisht kundër”, sqaron Gjergji.

“Rreziku i këtij bari është për efektet afatgjatë që ka mbi organizmin. Ka të dhëna, në studimet e kryera te kafshët që ky bar jep kancer. Ky bar shkakton tumore të gjendjes tiroide dhe dyshohet që mund të japë kancer në nivele të ndryshme të organizmit.

Ky bar mund të shkaktojë dëmtime të menjëhershme të veshkave dhe të sëmurët shkojnë për të humbur 5 kg -10 kg dhe përfundojnë në dializë. Efektet kardiovaksulare, nuk le organ pa dhënë ndonjë element negativ, sidomos në përdorimin afatgjatë të këtij bari”, thekson ai. 

Nga shumë pacientë që më kanë kërkuar mendim nëse mund ta përdorin apo jo, është vetëm një rast që ia kam rekomanduar ta përdorë. Është një pacient që kishte hequr një pjesë të stomakut me idenë e rënies në peshë dhe nuk kishte humbur ndonjë peshë të madhe trupore. Një pacient i të tillë, që vazhdonte të kishte probleme me obezitetin, ia kam rekomanduar që ta gjejë këtë preparat apo një preparat të kësaj klase, sepse duke ulur oreksin do të ulte dhe sasinë e ushqimit që do merrte i sëmuri. ”, sqaron Toti.  

Mjeku Toti thekson se është e domosdoshme të kryhen studime të mëtejshme për sa i përket Ozempic.

“Është një medikament i ri, që ende nuk i dihen anët negative dhe anët pozitive. Kohët e fundit është folur për një tendencë të rritje te një pjesë e pacientëve, të cilët kanë përdorur Ozempic, për tentative vetëvrasjeje ose të paktën për mendime në lidhje me vetëvrasjen. A është kjo një gjë e lidhur me Ozempic, apo ky ndryshim i ndjenjës së urisë bën te këta persona, kjo është një gjë që kërkon studime më të hollësishme”, argumenton mjeku.

Agjencia e Barnave i konfirmoi Faktojes se Ozempic përdoret vetëm për pacientët me diabet dhe jo për të trajtuar rënien nga pesha.

“Indikimet terapeutike të barit Ozempic janë ato të miratuara nga Agjencia Europiane e Barnave (EMA) dhe paraqiten në Përmbledhjen e Karakteristikave të Produktit si më poshtë:

Ozempic këshillohet për trajtimin e pacientëve të rritur kur diabeti melitus i tipit 2 nuk është mjaftueshëm i kontrolluar nga dieta dhe ushtrimet fizike. Si monoterapi kur metformina konsiderohet e papërshtatshme për t’u përdorur si pasojë e papajtueshmërisë dhe kundërindikimeve me barna të tjera për trajtimin e diabetit”, thotë AKBPM.

Ozempic ekskluzivitet i klinikave estetike, nuk gjendet në farmaci

Duket ironike, por nëse një pacient me diabet kërkon të blejë Ozempik në farmaci, nuk e gjen, gjë që konfirmohet edhe nga Agjencia e Barnave në përgjigjen zyrtare për Faktoje.

“Nga të dhënat që disponon AKBPM ky bar nuk është importuar ndonjëherë në vendin tonë, nuk është pajisur me pullën e kontrollit nga AKBPM dhe si rrjedhojë nuk mund të gjendet në farmaci. Ky bar nuk është importuar gjatë viteve 2020-2021-2022 si dhe nuk është evidentuar në asnjë nga subjektet farmaceutike nga të dhënat që zotëron Agjencia”.

Përdormi pa kriter i këtij ilaçi ka krijuar problem për vetë të sëmurët me diabet edhe në tregun europian, pasi është në mungesë, një alarm që duhet të vërë në lëvizje autoritetet.

“Duke qenë se po përdoret pa kriter për rënie në peshë, por nga persona që nuk kanë çrregullime të karbohidrateve, që nuk kanë prediabet apo diabet, ndodh që ky medikament dhe të ngjashmit e tij të mos jenë disponibël për persona që e kanë trajtim të detyrueshëm ose të vazhdueshëm.

Në Shqipëri, Ozempic është i regjistruar, por nuk është në përdorim, nuk ka hyrë, pikërisht për shkakun që u thashë. Ishte llogaritur që në fillim të vitit 2023 do të hynte në Shqipëri, por për shkak të mungesave që u krijuan në tregje të tjera, ku ai ishte disponibël deri në atë moment, kompania u detyrua që ta vazhdojë fokusin në ato vende që e kanë tashmë dhe këto vende që nuk e kanë futur akoma në përdorim, të presin për një etapë të dytë”, shpejgon për Faktoje mjeku Florian Toti.

Nga një verifikim që Faktoje bëri në terren rezulton se ilaçi Ozempic shitet në klinika kryesore estetike në qendër të Tiranës ku çmimi i këtij bari varion nga120 -250 euro në muaj, në varësi të dozave dhe mund të merret edhe pa përshkrimin e mjekut për t’u dobësuar.

Ozempic i blerë në një prej klinikave në Tiranë

Në muajin korrik të këtij viti, Agjencia Europiane e Barnave nisi hetimin për ilaçin Ozempic, pasi pacientët raportuan se kishin mendime për vetëvrasje.

Ndërsa, në fillim të muajit tetor, sipas një studimi të ri, personat që marrin medikamente të njohura për humbje peshe, mes tyre edhe Ozempic, mund të jenë në rrezik më të lartë për probleme serioze të tretjes dhe jo vetëm siç ka shpjeguar në një intervistë për mediat mjekja Aurora Dollenberg, e cila ushtron profesionin në Gjermani.

Megjithatë, në Shqipëri nuk ka të dhëna zyrtare për raste konkrete, të paktën sipas përgjigjes që na dërgoi QSUT.

“Bazuar në të dhënat e përcjella nga Shërbimi i Urgjencave Polivalente, referuar regjistrit të urgjencës, nuk rezulton të ketë pasur raste me efekte anësore për shkak të përdorimit të Ozempic”-sqaron QSUT për Faktoje.

Megjithatë mjeku Florian Toti, njëherësh edhe kreu i shoqatës së Diabetit konfirmon se ilaçi po josh edhe të mitur.

“Më kanë ardhur edhe vajza 16 vjeçe që e kanë kërkuar dhe i kam thënë në asnjë mënyrë, ose të paktën nga unë nuk do ta merrni!

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img