A do të rritet ekonomia nga kanabisi?

1273

Qeveria i dha dritën jeshile kultivimit dhe përpunimit të kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale në Shqipëri, tre vite pasi riktheu në publik nismën kontroverse. Sipas draftit, qëllimi kryesor i legalizimit të kanabisit, është rritja e aktivitetit ekonomik në Shqipëri. Por për ekspertët, ligji është si një “kostum me porosi” që u shkon për shtat interesave të një grupi të vogël përfituesish dhe jo një mekanizëm për zhvillimin e ekonomisë në tërësi.  

Esmeralda Topi

‘Kultivimi i kanabisit për arsye mjekësore, tanimë është një trend botëror, kështu që copyright nuk më intereson! Di që jemi në kohën kur duhet ta shtyjmë përpara këtë proces e do ta shtyjmë përpara dhe brenda këtij sesioni të parlamentit, ambicia është që ta kalojmë.’, deklaroi kryeministri Edi Rama më 12 maj 2020, gjatë një konference për shtyp lidhur me nismën kontroverse të legalizimit të kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale në Shqipëri.

Verifikimet tregojnë se nisma që ngjalli polemika në vend ,nuk kaloi në parlament gjatë sesionit të 2020-s, sikurse deklaronte kryeministri Rama. Tre vite më vonë, qeveria i dha dritën jeshile projektligjit për legalizimin e kanabisit, saktwsisht nw mbledhjen e Këshillit të Ministrave më 16 qershor të 2023.

Drafti u depozitua në Kuvend, por ende nuk ka një datë zyrtare për shqyrtimin e tij në seancë plenare pasi fillimisht duhet të shqyrtohet në komisionin përgjegjës parlamentar dhe komisionet e tjera për dhënie mendimi.

Qëllimi

Projektligji ka për qëllim rregullimin dhe garantimin e procesit të kontrollit dhe mbikqyrjes së kultivimit, përpunimit, prodhimit, qarkullimit dhe eksportimin e bimës cannabis, për qëllime mjekësore dhe industriale. Në relacionin që shoqëron projektligjin shkruhet se lejimi i kanabisit për këto qëllime, synon të rrisë aktivitetin ekonomik në Shqipëri.

‘Shqipëria ndjek trendet në rritje të ekonomive të zhvilluara, të cilat lejojnë përdorimin e bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore dhe industriale, duke rritur konkurrueshmërinë në një treg ndërkombëtar gjithnjë e në rritje.’, theksohet në relacion.

Argumentat e ekspertëve frenojnë ‘entuziazmin’

Industria e kanabisit në botë parashikohet që deri në 2030 të këtë një përfitueshmëri mesatare vjetore mbi investimin, rreth 20.4%. Irena Beqiraj, eksperte e njohur e ekonomisë dhe financave thotë se lipset një përpjekje për të analizuar nëse legalizimi i kultivimit të kanabisit do të rrisë ekonominë dhe punësimin në Shqipëri siç pretendojnë politikbërsit.

“Lajmi i parë negativ është se nuk gjendet as publikisht e as kofidencialisht një studim sesi parashikohet që legalizimi i kanabisit të rrisë ekonomine shqiptare apo punësimin.”, shprehet Beqiraj, teksa ndalet në një tjetër pikë të rëndësishme, punësimin.

“Rritja e numrit të vendeve të punës është një argument tjetër mbarëbotëror i përdorur gjerësisht pro legalizimit të kultivimit, përpunimit dhe përdorimit të kanabisit mjeksor. Fakt është që sot në Shqipëri nuk mungojnë vendet e punës por mungojnë punët me produktivitet të lartë, të cilat do të mundësonin pagesa të mjaftueshme për të përballuar kostot gjithmonë në rritje të jetesës. A do të ofronte legalizimi punësim me produktivitet të lartë? Në kushtet aktuale kam frikë se jo!”, pohon Beqiraj.

Për ish zëvendësministren e Financave, shtetet që kanë përfituar më së shumti nga legalizimi i kanabisit mjekësor janë ato që kanë të zhvilluar industrinë farmaceutike apo kozmetike.

“Ne fatkeqësisht nuk e kemi një të tillë. Ne po i hapim rrugë kultivimit të kanabisit, por sot që flasim nuk kemi asnjë plan për të plotësuar parakushtet për të fituar në të ardhmen një avatazh konkurrues në kultivim dhe përpunim, sepse:

1. Nuk kemi standarde të cilësisë së lartë të konfirmuara si në bujqësi ashtu edhe në prodhimin e produkteve kozmetike dhe farmaceutike;

2. Nuk kemi një reputacion të ngritur ndërkombëtarisht si një vend me prodhim bujqësor efikas;

3. Nuk kemi parametra të klasit botëror në kërkim-zhvillimin parafarmaceutik dhe farmaceutik;

4. Aktualisht na mungon edhe në vizion sistemi ndërveprues midis kompanive private, universiteteve, instituteve dhe laboratorëve kërkimorë publikë apo privatë, agjencive qeveritare dhe institucioneve financiare, i cili do të mundësonte krijimin dhe shpërndarjen e njohurive brenda industrisë së përpunimit të kanabisit mjekësor.”, thekson Beqiraj.

Edhe Eduard Gjokutaj, ekonomist nga Qendra ALTAX nuk sheh ndonjë përfitim domethënës nga lejimi i kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale në ekonomi.

“Në rastin më të mirë të bizneseve që nuk do të ndjekin modelin e informalitetit dhe kriminalizimit të tregut, përfitimi nga investimet e huaja dhe tatimet në vitet e para nga aktiviteti i ligjëruar i marijuanës (për qëllime mjekësore), do të arrijnë deri në 80 milionë euro në vit për një qarkullim deri 800 milion euro në vit. Kjo shumë, natyrshëm që do të rrisë prodhimin e brendshëm të vendit, por vështirë të thuhet se ndikon në fuqizimin e ekonomisë shqiptare.”, shprehet Gjokutaj teksa vë në pikëpyetje edhe zbatueshmërinë e ligjit.

“Në një ambjent me informalitet të lartë, me korrupsion të strukturuar, me një tendencë kultivimi dhe eksportimi ilegal ndër 7 vendet e para në Europë dhe me një kulturë të zbatimit të ligjit ndër më të ultat në rajon, mund të kompromentohet një pjesë e inventarëve të stokut të marijuanës drejt tregut vendas, që sipas nenit 5, është i ndaluar dhe i dënueshëm njësoj si deri më sot. Kjo ka ndodhur në Maqedoninë e Veriut, që ka mbi 5 vite që zbaton të njëjtën skemë.”, thekson ai.

Agjencia kombëtare e kanabisit

Drafti parashikon ngritjen e Agjencisë Kombëtare të Kontrollit dhe Monitorimit të Kultivimit dhe Përpunimit të Bimës së Kanabisit brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Misioni i kësaj strukture do të jetë mbikqyrja, kontrolli dhe inspektimi i kultivimit dhe përpunimit të bimës cannabis dhe të prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore e industriale dhe monitorimi i zbatimit të këtij ligji.

Agjencia do të ketë selinë në Tiranë, por do ta shtrijë veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e vendit. Agjencia do të drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e institucionit. Struktura dhe organika e saj do të miratohen me urdhër të Kryeministrit, pas propozimit të ministrit përgjegjës për Shëndetësinë. Ndërsa burimet e financimit të saj do të ndahen mes buxhetit të shtetit dhe të ardhurave nga veprimtaria e vet financiare. Kjo agjenci do të ketë stemë, logo dhe vulë zyrtare.

Në Agjenci do të ngrihen dhe funksionojnë dy njësi të specializuara mbikëqyrjeje; njëra për kanabisin mjekësor e tjetra për kanabisin industrial.

Licenca 15 vjeçare

Pranë Agjencisë do të krijohet dhe funksionojë Komisioni i Licencave që do të ketë në përbërje 7 anëtarë nga ministria e Shëndetësisë, ministria e Brendshme, ministria e Bujqësisë dhe përfaqësues nga ministria e Financave. 

Licenca për prodhimin e cannabis-it për qëllime mjekësore do të jepet për këto veprimtari: a) Kultivimin, prodhimin dhe përpunimin e bimës cannabis për qëllime mjekësore; b) Transportimin e farërave, bimëve dhe produkteve e nënprodukteve të cannabis-it për qëllime mjekësore në territorin e Republikës së Shqipërisë; c) Eksportin e bimëve, produkteve dhe nënprodukteve të cannabis-it për qëllime mjekësore.

Drafti përcakton se licenca do të jepet për një periudhë 15-vjeçare, me të drejtë rinovimi. Për të përfituar licencën duhet që aplikantët të plotësojnë një sërë kriteresh, ku bie në sy kushti për një eksperiencë së paku 3 vjeçare në këtë fushë si dhe të kenë kapital të shoqërisë jo më të vogël se 100 milionë lekë.

“Ndoshta edhe këtë herë një numër i kufizuar kompanish ndërkombëtare të cilat mund të kenë akses në politikbërje, kanë lobuar për legalizimin e kanabisit mjeksor. As hera e parë e as hera e fundit! Kujtoj që ligji për asetet virtuale ose siç njihet ndryshe Krypto, po ashtu u lobua 4 vite më parë nga një grup interesi  dhe deri këtu nuk ka asnjë mëkat. Mëkat është kur ligji ofrohet “si kostum me porosi” për grupin e vogël të përfituesve duke mos e kthyer idenë/iniciativën në një mekamizëm zhvillimi të ekonomisë në terësi ,nëse pretendohet se është e tillë .”, shprehet për Faktoje Irena Beqiraj.

Sipas draftit licenca jepet vetëm në sipërfaqe të mbuluara ose serë apo sipërfaqe të hapura. Sipërfaqja e njësisë së licencës të aktivitetit për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e vogël se 5 hektarë dhe jo më e madhe se 10 hektarë.

Ndërkohë, sipërfaqja totale e lejuar për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e madhe se 200 hektarë në rang kombëtar.

Sanksionet

Edhe kur nuk përbëjnë vepër penale, projektligji parashikon gjoba për kompanitë e licensuara që kapen në shkelje nga Agjencia e Kontrollit të Kanabisit. Gjobat nisin nga 500 mijë lekë deri në 5 milionë lekë. Krahas tyre, bizneseve të licensuara mund t’i caktohet si sanksion edhe ndalimi i përkohshëm i kryerjes së veprimtarisë për një periudhë nga 6 muaj deri në 3 vjet. Ndërsa, në kushtet e konstatimit të shkeljeve të Kodit Penal, Agjencia raporton, pranë autoriteteve përkatëse sipas parashikimeve të Kodit të Procedurës Penale.

“Në këto raste mundet që agjencia monitoruese të kërkojë pranë organeve të prokurorisë edhe zbatimin e Kodit Penal, njësoj si për kategoritë e tjera. Por, këtu juristët mund të shprehen më qartë se si do të aplikohen sanskione të tilla të ligjit që mund të favorizojnë pikërisht atë që individët deri më sot e vuajnë pa mëdyshje direkt me heqje lirie.”, argumenton Eduard Gjokutaj për Faktoje.