BallinaPertejTEC-i i Vlorës, jofunksional por shpenzon miliona euro në vit

TEC-i i Vlorës, jofunksional por shpenzon miliona euro në vit

MERXHAN DACI

TEC-i i vetëm në Shqipëri, ai i Vlorës është jofunksional dhe nuk ka punuar asnjë ditë të vetme, por nga ana tjetër shpenzon çdo vit miliona euro.

Ky projekt i Bankës Botërore por i paguar nga taksapaguesit shqiptarë që do të ulte varësinë nga energjia ujore mbaroi së ndërtuari në tetor të vitit 2011 dhe kushtoi në total plot 130 milionë euro.

Por si rrjedhojë e një defekti që ndodhi në janar të 2012-ës në tubacionin e ujit i cili shërbente për ftohjen e turbinës, termocentrali nuk është në punë.

Ky projekt i kushtueshëm sot pas gjashtë vitesh është i papërdorshëm dhe me kosto tepër të lartë mirëmbajtje.

Numri i personelit te TEC-it sipas strukturës është plot 62 punonjës të cilët paguhen çdo muaj për mirëmbajtjen edhe pse ky projekt energjitik nuk prodhon asgjë.

KESH sh.a që menaxhon TEC-in e Vlorës i dha “Faktoje” të dhëna që tregojnë kostot e mëdha vjetore të mirëmbajtjes së kësaj vepre praktikisht “në gjumë”.

Sipas të dhënave të siguruara, në vitin 2016 shpenzimet totale ishin 1,259,224,825 lekë ose afro 10 milionë euro.

Në 2017-ën TEC-i i Vlorës pati përsëri shumë shpenzime, plot 910,776,643 lekë ose 7,2 milionë euro.

Shumica e shpenzimeve janë për materiale të para të konsumueshme, shpenzime personeli, shpenzime zhvlerësimi e amortizimi dhe shpenzime interesash neto.

 

*Burimi: KESH sh.a

Sipas të dhënave të Agjencisë së Prokurimeve Publike, në 17 maj të këtij viti, TEC Vlorë sh.a ka hapur një tender për riparim të automjeteve që ajo zotëron. Tenderi është me fond limit prej 450.000 lekësh të reja.

 

 

Të pyetur nga “Faktoje”, KESH sh.a na informoi se numri i automjeteve në dispozicion të TEC-it Vlorë është tre.

Ky është një nga shembujt që tregojnë se para publike vazhdojnë të harxhohen për gjashtë vite me radhë për këtë vepër energjitike që nuk ka prodhuar asgjë që nga ndërtimi.

“Faktoje” u përpoq të kontaktonte vetë me TEC-in e Vlorës por nuk pati rezultat.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e pyetur nga “Faktoje” përmes një kërkese për informacion nëse qeveria shqiptare ka ndonjë projekt për vënien në punë të TEC-it tha se po shihet mundësia e dhënies me konçesion.

Autoriteti Kontraktor është duke shqyrtuar  fizibilitetin e dhënies me koncesion për vënien në punë të TEC-it Vlorë. Në përfundimin e proçedurave përkatëse do të vendosë për vijimin më tej ose jo të proçedurave, të cilat do të jenë transparente, të bazuara në legjislacionin per PPP/Koncesionet”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img