BallinaFaktometerPa kategori“Saga” e paketës së zgjeruar, mijëra individë s’e kanë marrë ende pagesën 40 mijë lekë

“Saga” e paketës së zgjeruar, mijëra individë s’e kanë marrë ende pagesën 40 mijë lekë

Në mesin e muajit prill kryeministri Rama shpalli paketën e dytë financiare për të mbështetur qytetarët gjatë periudhës së pandemisë. Kjo paketë parashikonte pagesë unike prej 40 mijë lekësh për 176 mijë qytetarë, e cila do të shpërndahej deri në fund të muajit prill. Kur ka kaluar diçka më pak se një muaj e gjysmë, kanë skaduar disa afate të vendosura nga qeveria, ndërkohë që ka ende mijëra persona në pritje për ta marrë këtë pagesë.


Një ditë pas publikimit të paketës së dytë ekonomike, më 14 prill, kryeministri Rama vendosi fundin e muajit prill si afatin e shpërndarjes së pagesës prej 40 mijë lekësh. Duke shpjeguar se procedura ishte më e thjeshtë dhe më e shpejtë se ajo për pagën e luftës, ai shpjegoi se miratimi dhe lëvrimi bëheshin në mënyrë të drejtpërdrejtë. Por, ashtu siç kemi shkruar më parë, ky afat nuk u zbatua.

Edhe Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, zonja Delina Ibrahimaj, gjatë një interviste për “Scan” më 6 maj, tha se brenda datës 15 të atij muaji parashikonte përfundimin e aplikimeve, megjithatë u shpreh me rezerva.

Shtyrja disa herë e afateve të pagesës, sipas kryeministrit Rama, kishte të bënte me zvarritjen e aplikimeve nga ana e disa subjekteve të kategorisë biznes i madh për pagën e punonjësve. Për këtë arsye më 4 maj ai njoftoi penalizimin me gjobë për këta punëdhënës.

“Sot ne do të miratojmë një gjobë kuptimplotë për subjektet e biznesit të madh, që tradhëtojnë me këtë papërgjegjshmëri të plotë sociale punonjësit e tyre, duke mos marrë mundimin të bëjnë as një aplikim 3 minuta në emër të kompanisë për ta” – tha ai.

28 maj, kur ishin paguar më pak se 110 mijë punonjës nga 176 mijë në total, kryeministri Rama vuri një afat të ri, datën 5 qershor.

“Keqardhje për këtë vonesë të krijuar nga punëdhënësit tuaj, e cila është toleruar deri këtu duke u shkruar e rishkruar atyre që ta përmbushin detyrimin, pa vepruar me gjobat përkatëse! Por kjo situatë do të marrë fund brenda datës 5 qershor dhe në rast se tatimpaguesi ku ju jeni/keni qënë të punësuar, nuk do të aplikojë brenda deri në 5 Qershor për ju, pagesa për ndihmën financiare do të kryhet menjëherë në llogarinë tuaj, në mënyrë automatike dhe punëdhënësi përkatës do të ndëshkohet!” – tha ai.

Këtë premtim kreu i qeverisë e përsëriti 2 ditë më vonë, duke specifikuar se në rast mosaplikimi, punonjësit do të paguheshin direkt nga qeveria.

3 qershor, kryeministri bëri me dije se kishin mbetur rreth 25 mijë persona për t’u paguar me bonusin prej 40 mijë lekësh.

“Të gjithë punonjësit e lënë pa mbështetjen e punëdhënësit, nuk do të jenë vetëm! Sepse ne do t’u derdhim menjëherë 40 mijë lekët në llogarinë e tyre nga e hëna e ardhshme.” – tha ai.

Një ditë më pas kryeministri Rama publikoi përditësimin e fundit mbi numrin e punonjësve për të cilin ishin miratuar pagesat nga paketa e zgjeruar. Nga 176 mijë përfituesit, pa miratuar ende kishin mbetur, jo 25 mijë siç tha kryeministri, por rreth 32 mijë punonjës.

Afati i radhës për shpërndarjen e pagesave përfundoi të premten e 5 qershorit dhe në mungesë të aplikimeve, pagesat do të derdheshin në mënyrë automatike, fduke nisur prej ditës së hënë.

Mbrëmjen e së hënës, më 8 qershor, kryeministri Rama bëri publik në emisionin “Open” numrin e subjekteve të cilat ishin identifikuar se nuk kishin bërë aplikimet për punonjësit e tyre.

“Kemi rreth 4500 subjekte të cilat do të penalizohen, sepse nuk i bënë aplikimet për punonjësit e tyre dhe ne do t’i paguajmë direkt punonjësit për të cilët ata s’kanë bërë aplikimet.” – tha ai.

Edhe pse sanksionimi me gjobë i bizneseve neglizhuese u shpall që më 4 maj, vetë kryeministri pranoi një ditë më parë se ky penalizim, ende nuk është zbatuar. Të penalizuarit nga ana tjetër janë punonjësit e papaguar.

JOEL ÇELA

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img