BallinaTë pambajturaRudina Hajdari: Nëse nuk gjendet konsensus për ndryshimin e sistemit, nuk e votoj reformën

Rudina Hajdari: Nëse nuk gjendet konsensus për ndryshimin e sistemit, nuk e votoj reformën

Deputetja dhe anëtarja e Këshillit Politik të Reformës Zgjedhore, Rudina Hajdari, ende pa u përmbyllur reforma, u zotua se nuk do ta firmoste, nëse nuk do gjendej konsensusi për ndryshimin e sistemit. Ajo madje kërcënoi me largim nga Këshilli Politik i Reformës Zgjedhore në mungesë të këtij konsensusi. Por, ndryshe nga sa kishte deklaruar, Hajdari, së bashku me tre anëtarët e tjerë të Këshillit Politk, firmosën miratimin në parim të saj edhe në mungesë të këtyre ndryshimeve.


Deputetja e Partisë Demokratike dhe njëherazi përfaqësuesja e opozitës në Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore, Rudina Hajdari, në një intervistë për Euronews Albania më 19 maj, u zotua se do largohej nga tryeza nëse do mungonte konsensusi për ndryshimin e sisgtemit zgjedhor.

Nuk mund të hiqet nga tavolina sistemi zgjedhor, në rast se nuk gjendet konsensus për këtë, atëherë unë nuk e votoj reformën zgjedhore, jo vetëm nuk e votoj, por dal nga ajo tryezë– u shpreh Hajdari.

Hajdari shtoi se listat e hapura do duhet të ishin fillimi i ndryshimit të sistemit, një kusht, që siç theksoi ajo, ishte i pandegociueshëm.

Unë dua proporcional kombëtar me lista të hapura, por këtë kam në dorë, dua një konsensus për këtë çështje, që të ndryshohet cilësia e përfaqësimit, kjo është lufta ime shtoi Hajdari.

Por, Reforma Zgjedhore u dakordësua mes palëve politike pa përfshirë as ndryshimin e sistemit e as listat e hapura.

Të premten, më 5 qershor, katër përfaqësuesit e mandatuar politikë, pas shkeljes disa herë të afateve dhe thirrjeve të vazhdueshme të ndërkombëtarëve, miratuan me konsensus Reformën Zgjedhore.


Reforma Zgjedhore firmosur nga anëtarët e Këshillit Politik

Siç vërehet e përkufizuar edhe në draftin e firmosur nga 4 përfaqësuesit e Këshillit Politk, Reforma Zgjedhore nuk përmban ndryshim të sistemit apo hapjen e listave të partive politike.

Ndryshimi i sistemit si kusht për votimin e reformës zgjedhore, u artikulua edhe nga përfaqësues të tjerë të opozitës parlamentare, zëri i të cilës në Këshillin Politik ishte Rudina Hajdari.

Madje, pas konsensusit mes palëve politike, opozita parlamentare më 4 qershor, në një letër dërguar Ambasadores së SHBA-ve në Shqipëri si dhe Ambasadorit të BE-së, paralajmëruan se nuk do e votojnë Reformën Zgjedhore në rast se nuk do rihapet për diskutim ndryshimi i sistemit dhe listat e hapura.


Letra e Opozitës Parlamentare dërguar ambasadave të SHBA-ve dhe BE-së

Nga verifikimi i “Faktoje“, deklaratën e deputetes dhe anëtares së Këshillit Politik, Rudina Hajdari, në raport me rezultatin e Reformës Zgjedhore, vendosëm ta kategorizojmë si “Premtim të pambajtur”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img