BallinaPertejSheshi “Skënderbej” dhe beteja miliarda lekëshe e dekadës së fundit

Sheshi “Skënderbej” dhe beteja miliarda lekëshe e dekadës së fundit

ANDI BORA & MERXHAN DACI

Sheshi “Skënderbej”, më i madhi në Shqipëri, në dhjetë vitet e fundit u ka kushtuar shqiptarëve miliona euro. Sheshi me emrin e heroit kombëtar ka qenë beteja politike e disa kryetarëve të Bashkisë së Tiranës të cilët kanë hartuar dhe rrëzuar disa projekte për të ardhur në formën që është sot.

———————————————————————————————-

Sheshi që e ka marrë emërtimin “Skënderbej” në 26 nëntor 1937 ishte konceptuar në formë rrethore dhe me një shatërvan rrethor në mes.

Gjatë viteve të socializmit, në këtë shesh u vendos shtatorja e Stalinit e cila qëndroi deri në vitin 1968 kur u zëvendësua me monumentin e Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Në vitin 2008 qeveria shqiptare ratifikoi një marrëveshje me shtetin e Kuvajtit ku u sigurua një mbështetje financiare prej 5 milionë eurosh. Këto para u shpenzuan për rehabilitimin e sheshit të konceptuar vetëm për këmbësorët, gjatë viteve 2008-2011 kur në krye të bashkisë ishte Edi Rama i cili nisi zbatimin e projektit të firmës projektuese belge “51N4E” .

6 milionë euro është kostoja e plotë e kësaj faze duke përfshirë edhe TVSH-në prej 20% e paguar nga Bashkia e Tiranës.

Në maj të viti 2011, Edi Rama, ende krybashkiak, firmosi një marrëveshje granti me Fondin Kuvajtian për Zhvillimin Ekonomik Arab, nëpërmjet të cilit u dhanë 5,5 milionë euro, ku parashikohej zhvillimi i fazës së dytë të punimeve për sheshin.

Megjithatë, zgjedhjet e qershorit të 2011-ës sollën në krye të Bashkisë Tiranë, Lulzim Bashën.

Ai solli një projekt të vetin për sheshin, shumë ndryshe nga ai i Ramës. Ky projekt që u zbatua gjatë periudhës 2011-2013 parashikonte një zgjidhje për trafikun duke risjellë qarkullimin e automjeteve në shesh.

Zbatimi i projektit duke përfshirë edhe TVSH-në e paguar nga Bashkia Tiranë kapi shifrën 6,6 milionë euro.

Por “beteja” mes kryetarëve të bashkisë nuk u mbyll me planin e Bashës.

Në prill të 2016-ës, dhjetë muaj pasi ishte zgjedhur kryebashkiak, Erion Veliaj risolli për zbatim planin e firmës projektuese belge “51N4E”, i quajtur ndryshe projekti i Ramës për sheshin.  

Kompania fituese që do të bënte punimet ishte “Fusha sh.p.k” e cila në vitin 2016 fitoi tenderat me vlerë 15,1 milionë euro. Kjo kompani zbatoi dy fazat e rikualifikimit urban të sheshit dhe ndërtimin e parkingut nëntokësor poshtë tij.

Në fazën e dytë të punimeve të sheshit u desh edhe dëmshpërblimi i disa pronarëve që prekeshin nga projekti. Me një Vendim të Këshillit të Ministrave, shuma që u përcaktua për dëmshpërblimin e pronarëve ishte 212,313,708 lekë ose 1.65 milionë euro.

Kostoja e shpenzimeve për sheshin nuk mbyllet me kaq.

Sipas të dhënave të publikuara në Openprocurement.al, në vitin 2018 kompania “Fusha sh.p.k” nënshkroi tre shtesa kontratash për punime në sheshin “Skënderbej” që arrijnë shifrën prej 3.2 milionë euro.

Projekti që Veliaj vuri në zbatim, deri tani ka kapur shifrën e rreth 20 milionë eurove, disa herë më të larta se paraardhësit e tij.

Faktoje pyeti Bashkinë e Tiranës edhe për shpenzimet e ceremonisë së inagurimit të sheshit në 10 qershor të 2017-ës por nuk mori përgjigje.

Sipas llogarive, nisur nga të dhënat zyrtare, shpenzimet totale për sheshin Skënderbej që nga viti 2008 deri më sot  kapin vlerën e plot 32.6 milionë eurove.

Duke marrë parasysh paratë e shumta që janë përdorur për ndërtim, trafikun e rënduar në kryeqytet dhe mungesën e një identiteti përfundimtar të sheshit më të madh të vendit, le të shpresojmë që kjo të jetë hera e fundit që ndërhyhet në këtë shesh i cili rezultoi një gropë për financat publike shqiptare.

Shënime*

*Kursi mesatar i vitit 2008- 122,8 lekë për 1 euro

*Kursi mesatar i vitit 2011- 140,33 lekë për 1 euro

*Kursi mesatar i vitit 2016- 137,47 lekë për 1 euro

*Kursi mesatar i vitit 2018- 128.8 lekë për 1 euro

Linqet*

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img