BallinaPremtimeRama: Biblioteka digjitale e universitetit gati në janar

Rama: Biblioteka digjitale e universitetit gati në janar

KLEVIS PALOKA

Biblioteka shkencore digjitale e universitetit është gati në janar”, kështu deklaroi kryeministri Edi Rama në emisionin “ Opinion” në 13 dhjetor 2018.

Duke qënë se asokohe ishte edhe një nga pikat e kërkuara nga studentët dhe që u adresohej institucioneve përkatëse e kryesisht qeverisë, “ Faktoje” vendosi që ta mbajë në vëzhgim këtë premtim të kryetarit të mazhorancës për të parë nëse do të vihej në zbatim apo jo.

Pritëm të kalonte muaji janar dhe në fund të tij, ne kontaktuam me Ministrinë e Arsimit, Rinisë dhe Sportit për të pyetur nëse ishte gati biblioteka shkencore digjitale online dhe nëse kishte filluar të funksiononte, ashtu siç u tha nga kreu i ekzekutivit në dhjetor të vitit që lamë pas.

Përgjigja e Ministrisë së Arsimit ishte si më poshtë:

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ia ka kaluar RASH (Rrjeti Akademik Shqiptar) kompetencen e vlerësimit të mundësisë së sigurimit të aksesit në biblioteka elektronike, bazuar në funksionin dhe qëllimin e krijimit të kësaj qendre”.

Më pas ne kontaktuam me Rrjetin Akademik Shqiptar, i cili nuk zbatoi afatet ligjore të kthimit të përgjigjes por na e mundësoi atë vetëm pas një muaji,  pas ankimimit tek Komisioneri për të Drejtën për Informim.

Në përgjigjen e RASH-it në datën 26 shkurt 2019 thuhet se:

  1. Lidhur me fazën e punimeve për ndërtimin e bibliotekës shkencore online ju informojmë se jemi në fazën përfundimtare të saj. Me Vendimin e Asamblesë së Anëtarësisë, është miratuar ofrimi i shërbimit “Platforma e Bibliotekës Universitare online dhe aksesi në një Bibliotekë Globale online”. Është autorizuar Qendra Ndërinstitucionale e Rrjetit Akademik Shqiptar mbi vijimin e procedurave për lidhjen e kontratës me një operator global të specializuar për ofrimin e këtij shërbimi. Aktualisht jemi në fazën e përgatitjes së kontratës.
  2. RASH-i po ndërmerr të gjitha masat teknike që me lidhjen e kontratës sa më sipër të fillojë menjëherë implementimin e shërbimit. Shërbimi “Platforma e Bibliotekës Universitare online dhe aksesi në një Bibliotekë Globale online” është e garantuar financiarisht për një afat 3 vjeçar nga momenti i lidhjes se kontrates.

Përgjigja e dhënë si më sipër tregon qartë se biblioteka nuk është funksionale, madje as kontrata e cila duhet të finalizojë përfundimin apo ndërtimin e saj, nuk është arritur.

Duke qënë se jemi në fund të muajit shkurt dhe sipas kryesocialistit Rama, biblioteka shkencore online do të ishte gati në janar, premtimin e tij do ta shpallim të PAMBAJTUR.

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img