BallinaFaktometerPa kategoriÇfarë e kushtëzon planin për ndërtimin e kullave pas Teatrit Kombëtar?

Çfarë e kushtëzon planin për ndërtimin e kullave pas Teatrit Kombëtar?

Një nga debatet më të forta që ka përcjellë projektin e Teatrit të ri Kombëtar prej thuajse 2 vitesh është nëse do të ndërtohen apo jo kulla aty. Sot që shembja e teatrit është bërë realitet, ky diskutim ka marrë më shumë vëmendje. Po ndërsa Bashkia dhe subjekti privat shprehin dëshirën për të vazhduar zhvillimin e zonës pas teatrit, kryeministri Rama duket se ka vënë veton, të paktën për momentin. Çfarë e kushtëzon ndërtimin e kontestuar të kullave, në zonën e Teatrit?


Debati mbi ndërtimin e Teatrit pas shembjes së atij të vjetrit është përqëndruar në projektin që pritet të realizohet. Pikëpyetjet që ngrihen tani janë mbi ndërtimin e kullave të parashikuara për t’u ndërtuar në këtë zonë, si pjesë e projektit fillestar të vitit 2018 të paraqitur nga ndërtuesi, zoti Shkëlqim Fusha.

Më datë 18 maj, një ditë pas rrafshimit të Teatrit Kombëtar, kryetari i Bashkisë Tiranë, zoti Erion Veliaj, dhe nënkryetari, zoti Arbjan Mazniku, flisnin paralelisht mbi këtë çështje në dy emisione të ndryshme televizive.  Të dy shmangën përgjigjet e drejtpërdrejta mbi ndërtimin e kullave.

I pyetur në emisionin “Opinion” nëse mund t’i garantonte qytetarëve që pas teatrit nuk do të ngriheshin kullat e parashikuara, zoti Veliaj u përgjigj:

“Janë dy projekte më vete. E para e punës, nuk ka askush të drejtë t’i thotë kryetarit të bashkisë që mos zhvillo pronat e bashkisë. Bashkia mund të bëjë aty një hotel dhe ta shesë, e t’ia shesë Sofitelit apo Hiltonit. Bashkia aty mund të bëjë një shkollë. Bashkia aty mund të bëjë një park dhe është e drejta e bashkisë të zhvillojë pronat.”

Paralelisht në “Open”, nënkryetari i Bashkisë Tiranë, zoti Mazniku u pyet gjithashtu rreth çështjes së kullave, por edhe ai zgjodhi të mos japë një përgjigje të qartë, duke e lënë të hapur mundësinë e ndërtimit të tyre.

“Në truallin e Teatrit, në pronësi të Teatrit, do të ndërtohet vetëm Teatri. Në pjesën tjetër të qytetit do të ndërtohen gjëra ose s’do të ndërtohen gjëra sipas planit urban dhe procedurave ligjore.

Do ndërtohen, ose s’do të ndërtohen (kullat) kjo është një çështje që as nuk zgjidhet tani, as nuk vendoset tani, as nuk ka investitorë, as nuk ka interes. Aty mund të ndërtohen ato, mund të ndërohen të tjerat, mund të mos ndërtohet asgjë.” – tha ai.

Më 21 maj, sipërmarrësi Shkëlqim Fusha, që zotëron edhe një sipërfaqe toke në zonën rreth Teatrit Kombëtar, u shpreh për “TvT” se ambicia e tij ishte e njëjta, që të zhvillonte pronën e tij.

“Tani do të fillojë bashkëpunimi për së dyti nëse do të qëndrojmë për ndërtimin privat apo jo. Por gjithmonë për ndërtimin civil, do të ndërtojmë një kullë apo dy më vete, që do të thotë kusuri i tepricës prapë i ngelet shesh bashkisë. Teatri përveç 5500 apo 5200 tokë reale, përfitonte si shesh edhe më tutje edhe më gjerë.” – tha ai.

Plani i tokave publike dhe private të propozuara për zhvillim në 2018 / Burimi: BIRN

Megjithatë përgjigjja mbi këtë çështje erdhi një ditë më pas, më 22 maj, nga kryeministri Rama, në një intervistë në emisionin “Real Story”. I pyetur në mënyrë të përsëritur nga paneli i gazetarëve, ai tha prerazi:

“Nuk ka kulla aty. Nuk do ndërtohen kulla aty. Brenda, jashtë, mbrapa dhe në të gjithë perimetrin ku kanë bërë zvarritjen imagjinare të viktimës nuk ka kulla.” – tha zoti Rama.

Por a është kjo një çështje që varet nga vullneti I kryeministrit të radhës, apo ka elemente që mund ta kushtëzojnë ngritjen e kullave në këtë zone.

“Faktoje” kontaktoi me zotin Gjergj Bojaxhi, përfaqësues i Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, për ta pyetur nëse mundet një subjekt privat, të realizojë ndërtimin e kullave në mënyrë individuale në truallin që ka në zotërim.

“Sipërfaqja që ka firma Fusha është aq e vogël sa pa i dhënë shteti tokë apo pa bashkëpunim me shtetin nuk bën dot ndërtim.” – tha zoti Bojaxhi.

JOEL ÇELA

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img