BallinaFaktometerPa kategoriRindërtimi i lagjes “5 Maji” dhe premtimi i Veliajt që nuk përputhet me marrëveshjen për shpronësimet

Rindërtimi i lagjes “5 Maji” dhe premtimi i Veliajt që nuk përputhet me marrëveshjen për shpronësimet

Ina Allkanjari

Shpronësimi dhe shembja e disa shtëpive në lagjen ‘5 Maji’, për projektin “Tirana Riverside” tregoi për mungesën e një plani të qartë dhe transparent për strehimin e banorëve të prekur, që i përkasin disa kategorive sa i përket statusit të banesave. Ata flasin për një akt-marrëveshje të ofruar nga bashkia Tiranë ku nuk specifikohet periudha se kur do t’i përfitojnë apartamentet dhe në çfarë zone.

————————————

“Zhvillimin e Tiranës nuk mund ta pengojë asnjë zaptues! Në lagjen e re “5 Maji”, po punojmë pa pushim për të ndërtuar shtëpi më të mira, më të forta dhe më të sigurta për familjet e prekura nga tërmeti”- deklaroi në 20 Janar të këtij viti kreu i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

Screenshot, postimi i kreut të bashkisë Tiranë Erion Veliaj në faqen e tij zyrtare në Facebook, datë 20.01.2022

Deklarata e kryebashkiakut Veliaj erdhi një ditë pas shembjes së disa ndërtesave në lagjen “5 Maji”, zonë  ku do  të zbatohet projekti Tirana Riverside. Plani i ri i zhvillimit detyron pronarët të cilët kanë banesa private, të heqin dorë nga pronat me një akt-marrëveshje të detyruar me shtetin.

Nisur nga deklarata e kreut të bashkisë Tiranë, Faktoje vendosi të bisedojë me disa prej banorëve të “5 Majit” të cilët shprehin rezerva në lidhje me transparencën e kësaj akt-marrëveshjeje.

“Banesat në këtë zonë janë disa të legalizuara, disa të palegalizuara, por këto terma përdoren për të futur një lloj presioni, sepse për aq kohë sa m’i ka pranuar shteti dokumentat që në 2006 e në vazhdim dhe nuk më ka kthyer përgjigje negative, që ju refuzoheni nga procesi i legalizimit dhe më ka pranuar edhe lekët, atëherë unë jam në rregull. Me VKM e 2011 unë kam paguar lekët edhe për truallin, tani më thonë nuk e njoh të kthej lekët mbrapsht. Nëse unë e kam blerë, nuk mund të ma merrni!”- tregon për faktoje Gjin Nikolli, pronar i një banesave private të planifikuara për shembje në zonën e 5 Majit.

Foto datë 21.01.2022, banesa e qytetarit Gjin Nikolli në zonën e ‘5 Majit’

Nikolli shprehet se ndonëse i ka ardhur akt-marrëveshja nga bashkia Tiranë për shpronësim, ai dhe shumë banorë të tjerë nuk e kanë firmosur, sepse sipas tij marrja e një apartamenti të ri është një premtim i padetajuar në kontratë.

Foto, akt-marrëveshja e bashkisë Tiranë për banorët e lagjes “5 Maji” që shpronësohen

“Në atë kontratë thotë unë ‘ta premtoj’, është bashkia që duhet të japë përgjigje se çfarë do ndodhë, sepse ajo po na i merr shtëpitë. Ne na kanë vendosur përballë faktit të kryer, me kontrata të njëanshme.  Është ofruar një akt marrëveshje me 8 pika, gjithashtu nuk biem dakord pasi aty shkruhet ‘në të ardhmen’ do të ofrohet, pra nuk është përcaktuar periudha kohore kur do të fillojnë dhe kur do të mbarojnë punimet dhe kur do futemi në banesë. Një pikë tjetër që nuk kemi rënë dakord është se nuk është përcaktuar vendi që do të marrim apartamentin, nëse do ta marrim. Thotë vetëm në të ardhmen dhe asgjë tjetër. Nuk specifikohet as zona asgjë”- tregon Gjin Nikolli.

Foto, akt-marrëveshja e bashkisë Tiranë

I pyetur se ku po strehohen fqinjët e tij, të cilëve u është shembur banesa disa ditë më parë, Nikolli shprehet:

“Mua s’më ëshë shembur ende shtëpia, banorëve që u është shembur po rrinë në qiell të hapur, lëvizin në shtëpitë e të afërmve të tyre, por pa zgjidhje”.

Në 19 janar kryetari Erjon Veliaj premtoi se Bashkia Tiranë do t’u ofrojë edhe  pronarëve të shpronësuar për banesa të palegalizuara, apartamente me po të njëjtat metra katror:

“Kanë ndërtuar ilegalisht, abuzivisht, me lidhje ujësjellësi ilegale, me lidhje ilegale të OSHE, krejt papritur legalizohen me një apartament që ka po të njëjtat metra katrorë, të ndërtuar nga bashkia e Tiranës… Të firmosin kontratën për t’i marrë metrat, nga metra pa leje dhe pa urbanizim, me leje, me urbanizim dhe me një nga arkitektët më të mirë në botë.”

Nga komunikimi me banorë të 5 Majit ata ngritën disa pyetje mbi akt-marreveshjen e bashkisë:

Disa prej pyetjeve të ngritura nga qytetarë të kësaj zone, përgjigjet e të cilave sipas tyre mungojnë në akt-marrëveshjen e bashkisë Tiranë.

Foto datë 21.01.2022, banesë e shembur në zonën e ‘5 Majit’

Banesë e shembur në 19 Janar në zonën e “5 Majit”

Laureta Nikolli, vajza e Gjinit, e cila disponon një banesë pa letra në po të njëjtën zonë, tregon për Faktoje se ndonëse kryebashkiaku premtoi apartamente edhe për banesat e palegalizuara, ajo është skualifikuar nga procesi i rindërtimit.

Screenshot, përgjigja e ardhur në njësinë administrative nr.8, ku specifikohet se Laureta Nikolli nuk përfiton nga procesi i rindërtimit

“Kam bërë një kërkesë në bashki dhe në dhjetor 2021 më ka ardhur përgjigjja që nuk përfitoj asgjë, nuk marr pjesë në rindërtim pasi e kam shtëpinë pa letra.  I bëra të gjitha kërkesat që duheshin dhe më kanë thënë nuk përfshihesh, vetëm nëse do të isha e prekur nga tërmeti do të përfshihesha, por këtë gjë ma kanë thënë gojarisht nuk është e shkruar në përgjigje. Kërkesat në bashki i bëra ngaqë dolën disa herë në televizor dhe thanë që përfitojmë edhe ne”- tregon Laureta Nikolli, e cila jeton në këtë lagje së bashku me tre pjesëtarë të tjerë të famlijes.

Foto e banesës së qytetare Laureta Nikolli, zona ‘5 Maji’

Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe Avokati i Popullit.

“Avokati i Popullit tërheq vëmendjen mbi disa klauzola të këtij vendimi, të cilat për shkak të procedurave të ndjekura me justifikimin e emergjencës së krijuar nga tërmeti i vitit 2019, sot më 2022 nuk ofrojnë garanci të mjaftueshme për qytetarët të cilët preken nga prishja e objekteve të tyre e u premtohet në mënyrë evazive një formë kompensimi e paindividualizuar dhe e paafatizuar” -thuhet në reagimin e këtij institucioni.

Screenshot, postimi i Avokatit të Popullit në faqen zyrtare të Facebook, datë 19.01.2022

Projekti Tirana Riverside

Projekti Tirana Riverside qw po zhvillohet në zonën e njohur si Bregu i lumit në Tiranë, është planifikuar përpara se të ndodhte tërmeti i 26 Nëntorit 2019, por më pas u deklarua se do të përdoret për të pastrehët e tërmetit. Plani i ndërtimit i është besuar arkitektit italian Stefano Boeri. Më 31 janar 2020 Këshilli i Ministrave shpalli për rindërtim lagjen “5 Maji”, duke caktuar Bashkinë Tiranë si njësi zbatuese të projektit.

Foto, projekti Tirana Riverside zona ‘5 Maji’

Lagjja e re përgjatë Lumit të Tiranës, parashikon të ketë mbi 11 mijë banorë ose rreth 3,175 familje. Përveç godinave ku do të jenë apartamentet për banorët, në këtë zonë parashikohet të ndërtohen dhe tri qendra të mëdha, ku dy prej tyre do të shërbejnë kryesisht për zyra dhe një tjetër do të funksionojë si qendër tregtare.

Foto, projekti Tirana Riverside zona ‘5 Maji’

Procesi i rindërtimit, problemet me kontratat e ofruara nga bashkia

Faktoje prej kohësh ndjek procesin e rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe ka raportuar mbi mungesën e transparencës, procedurat e ndjekura dhe kontratat e munguara nga institucionet përgjegjëse, për t’i siguruar këta banorë se apartamentet e tyre do të rindërtohen në të njëjtën zonë të shpallur për rindërtim.

Një tjetër zonë, banorët e e të cilës janë të paqartë për të ardhmen e strehimit pas tërmetit, është lagjja e ish kombinatit, ku Bashkia ka parashikuar zbatimin e projektit ‘Kombinart’. Gjatë verifikimit, Faktoje ka konstatuar se një numër familjesh jetojnë ende në apaltamentet e pallateve të shpallura për shembje, me arsyetimin se askush nuk i ka vënë në dispozicion një kontratë që t’i sigurojë se  banesat e tyre të reja do të jenë në të njëjtën zonë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img