BallinaFaktometerPa kategoriAkuzat e ndërsjella politike, shifrat reale të borxhit publik dhe 4 P-të

Akuzat e ndërsjella politike, shifrat reale të borxhit publik dhe 4 P-të

Qeveria dhe opozita, veçanërisht me afrimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, po publikojnë shifra me të cilat ‘provojnë’ se secila ka ulur borxhin publik dhe ka rritur investimet. Përtej akuzave të ndërsjella, organizmat ndërkombëtare financiare flasin për një borxh publik rreth 83 % të PBB, ndërsa ekspertët japin shifra edhe më të larta. Ata theksojnë se përveç tërmetit të 26 nëntorit dhe pandemisë, borxhin publik e kanë rritur 4 P-të, ose Partneriteti Publik Privat Preferencial.

Borxhi publik arriti në 79.72 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në fund të shtatorit duke shënuar një ulje të lehtë në raport me nivelin e deklaruar në tremujorin e dytë, që ishte mbi 80 për qind.

Në krahasim me vitin 2019, kur borxhi publik ishte 65.84% e PBB-së, stoku i borxhit është rritur me 13.88 për qind.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se stoku i borxhit në fund të shtatorit, në vlerë monetare ishte 1.26 trilion lekë, ose 9.13 miliardë euro. Borxhi i brendshëm është 61 për qind e borxhit total, ndërsa borxhi i jashtëm 39 për qind.

Në projektbuxhetin e vitit 2021, borxhi publik parashikohet që deri në fund të 2020-s të shkojë në rreth 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, me qëllimin për t’u ulur në rreth 78% të PBB-së në vitin 2021.

Por Fondi Monetar Ndërkombëtar ka parashikuar se pritet që borxhi publik i Shqipërisë të shkojë mbi 83 për qind deri në fund të vitit 2020.

 Deklaratat për borxhin

Borxhi publik i Shqipërisë bëri që midis dy kampeve kryesore politike të shkëmbehen akuza dhe kudërakuza.

Kryeministri Rama tha se gjatë qeverisjes së tij është ulur borxhi dhe rritur investimet.

“…meqë dëgjoni llafe shumë për Borxhin Publik nga ata që e zhytën Shqipërinë në borxhe ndaj sipërmarrjes, shëndetësi, arsim e deri edhe ndaj personave me aftësi të kufizuar, të prekurve nga përmbytjet, e madje edhe bebeve të porsalindura që i lanë pa mikrobonusin 5 mijë Lekë, njësoj si rrugët e lëna rrugëve, me këtë krahasim fare të thjeshtë për ta kuptuar dallimin e madh mes tyre e nesh, ju uroj një ditë të mbarë”-shkruante Rama në profilin e tij në Facebook duke bashkëngjitur në postim një grafik ilustrues.

Nga Partia Demokratike, Dorian Teliti reagoi duke thënë se të majtët e kanë rritur borxhin më shumë se kur të djathtët ishin në pushtet.

2006-2013 borxhi publik u rrit me vetem 10% të PBB-së (përfshirë detyrimet e prapambetura), me të cilat u ndërtuan dhjetëra spitale, qindra shkolla, mijëra km akse rrugore, përfshirë këtu rrugën e kombit. 2006-2013 ulëm taksat dhe rritëm pagat e pensionet. Ndërsa 2014-2020, borxhi u rrit me 29% të PBB-së (përfshirë detyrime të prapambetura dhe PPP) dhe i vetmi investim i plotë që keni kryer është bypass Fier prej 22km. Familjet shqiptare sot kanë një borxh 50% më të lartë sesa 7 vite më parë”- tha Teliti.

Ekspertët e ekonomisë për borxhin

Arben Malaj, ekspert i ekonomisë i tha Faktoje se borxhi është rritur dhe shifrat janë kokëforta.

Në të gjitha analizat për vitin 2019-2023 borxhi është rritur për tre faktorë: 1- tërmeti, 2- pandemia dhe 3- investimet publike që po ndërtohen me partneritete publike private preferenciale. Kjo e treta është pjesa më e keqe e rritjes së borxhit për shkak të riskut që deri në 30% të tyre mund të keqpërdoren në vende si Shqipëria, ku qeverisja është e dobët dhe e prekur rëndë nga korrupsioni dhe kapja e shtetit.  Borxhi po shkon zyrtarisht mbi 85 % te PBB-së, ndërsa investimet publike të zhveshura nga ato për tërmetin janë në nivel tradicional të 5% te PBB-së– tha Malaj.

Pyetur nga Faktoje se sa i rrezikshëm është niveli aktual i borxhit publik të Shqipërisë, eksperti Malaj tha se nuk ka një tregues të vetëm për të vlerësuar se sa i rrezikshëm është një nivel konkret i borxhit, pasi vende të ndryshme kanë nivele të ndryshme borxhi dhe performancë të ndryshme të rritjes ekonomike dhe kostos së shërbimit të tij.

Pikërisht se borxhi i ri është përdorur kryesisht për investime fizike spontane dhe duke mbajtur parasysh faktin se sipas një studimi të fundit në vendet me institucione të dobëta siç klasifikohet Shqipëria  mund të keqpërdoren rreth 30% e totalit të investimeve, që në rastin e Shqipërisë  për investimet e 4P-ve (partneritete publike private preferenciale)  që shkojnë 1.5 deri 2.5 mld euro, rrezikohen të keq- përdoren dhe vidhen 450 deri në 750 milion euro. Vlen të theksohet se për shkak të kostove të pandemisë ka një qëndrim tolerues për rritjen e borxhit të shëndetshëm që duhet të mbështesë ndryshimet strukturore në ekonomi drejt një ekonomie të gjelbër, të dijes dhe drejt digjitalizimit. Borxhi i rritur i Shqipërisë gjatë 2013-2020 po shkon kryesisht vetëm për investime infrastrukturore me probabilitet të lartë abuzues”-tha Malaj.

Eksperti i ekonomisë Zef Preçi, thotë se ka disa arsye pse borxhi është i lartë.

Borxhi është i lartë për shkak të mungesës së efektivitetit. Sepse borxhet shkojnë për shpenzime operative dhe jo të investimeve. Problem mbetet pesha e borxhit të jashtëm. Në të njëjtën kohë, rritja në afat e borxhit përbën një rrezik më vete pasi futja në rrethin ciklik merr borxh për të shlyer borxh siç ka ndodh prej 10 vitesh në ekonominë tonë, detyrimisht që e bën më të vështirë të ardhmen dhe e vendos qeverinë (kushdo që të jetë), në dilemën të rrisë taksat dhe të përkeqësojë ekonomik të qytetarëve”- tha ai.

Ndër të tjera, Preçi thotë se qeveria nuk thotë ku i ka bërë investimet.

Problemi i qeverisë është se thotë që janë investuar vepra publike dhe nuk thotë se ku. Edhe kur janë investuar, nuk kanë efekt të drejtëpërdrejtë në ekonomi. Pandemia ka kthyer pas nivelin e qytetarëve shqiptarë. Qeveria duhet të jetë më e përgjegjshme që të mos rrisë administratën siç ka ndodhur me mijëra persona dhe disa dhjetra milionë euro paga, por të rrisë produktivitetin, të përmirësojë -shërbimet publike dhe të investojë më shumë para për arsimin dhe shënbetësinë.”-tha ai.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img