BallinaKomunitetet lokale kundër dezinformimitCovid -19, pse Ministria e Shëndetësisë nuk tregon sa bluza të bardha u infektuan brenda në spital?

Covid -19, pse Ministria e Shëndetësisë nuk tregon sa bluza të bardha u infektuan brenda në spital?

ESMERALDA KETA

Të infektuar në krye të detyrës, 8 pjesëtarë të stafit mjekësor, humbën jetën nga Covid-19 në Shqipëri, ndërsa dhjetëra të tjerë raportohen se janë prekur apo e kanë kaluar infeksionin. Pavarësisht kësaj situate Ministria e Shëndetësisë refuzon të japë një shifër zyrtare sesa anëtarë të personelit mjekësor, mjekë, infermierë apo ndihmës, janë prekur nga Sars-Cov-2, ndërsa shërbenin në të gjitha njësitë spitalore apo qendrat shëndetësore në vend.


Roland Xhaxho, mjeku i njohur anestezist reanimator, njëkohësisht edhe pjesë e Task-Forcës së ngritur për menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia, dyshon se u infektua me Sars-COV-2, ndërsa inspektonte zbatimin e protokolleve nëpër spitalet që do të trajtonin pacientët e prekur.

“Për mua ishte e papritur dhe fillimisht as nuk e kuptova. Ende edhe sot nuk e di se ku e mora virusin, por ndoshta gjatë inspektimeve apo edhe tek Infektivi, pasi kisha kontakte me pacientë. Megjithatë mund të them që sëmundja shumë shpejt avancoi dhe unë i kalova të gjitha etapat e saj”-rrëfen mjeku Xhaxho.

Sipas tij, optimizimi që e karakterizon për shkak të njohurive që i jep profesioni, ishte sekreti për t’ia dalë.

“Humba 12 kg në peshë, trajtimet ishin të duhurat, gatishmëria e stafit ishte maksimale, pastaj infrastrukura është ajo që është dhe ne e dimë. Në asnjë moment nuk pata frikë për më të keqen”- shpjegon Xhaxho.

Foto e marrë nga Facebook i ministres Manastirliu

Më 20 prill ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastriliu, teksa dha lajmin se mjeku Xhaxho do të linte mjediset e Infektivit, konfirmoi se shkonte në 40 numri i mjekëve të shëruar nga koronavirusi.

Por sa përqind e stafit mjekësor është infektuar me Covid-19, për këtë asnjë zyrtar nuk flet.

Nëse në fillim të epidemisë gjatë muajit mars e prill, në raportimet ditore të Ministrisë së Shëndetësisë, ishin të përfshirë herë pas here edhe të dhëna për anëtarë të stafit mjekësor që prekeshin apo shëroheshin nga Covid-19, prej muajsh kjo shifër nuk raportohet më fare. Edhe pse kjo hollësi mungon mes shifrave që raportohen nga Ministria e Shëndetësisë, në media ka çdo ditë raste që flasin për infektim të bluzave të bardha në të gjitha strukturat shëndetësore në vend.

Ne iu drejtuam me një shkresë zyrtare Ministrisë së Shëndetësisë për “Faktoje”, në lidhje me numrin e të prekurve në radhët e bluzave të bardha, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk patëm një përgjigje.

Gent Stroni, kryetar i sindikatës së mjekëve, të shtunën e 31 tetorit ka qenë mjek roje tek Infektivi, ku edhe ushtron detyrën. Ai tregon që ka qenë një ditë-natë shumë e ngarkuar dhe ka pritur 40 urgjenca pacientësh të infektuar me Covid-19. Në këtë situatë ai shprehet se është e pamudnur të flitet me shifra.

“Nuk bëhet fjalë më për shifra, pasi thuajse të gjithë mjekët tashmë janë infektuar me Covid-19. Nëse në fazën e parë, po themi një pjesë e konsiderueshme e stafit u infektua në spital, tani në këtë faze të dytë nuk mund të themi se nga e merr. Pasi çdo vend është një rrezik potencial, por kjo nuk do të thotë se ata janë një kërcënim për pacientët.” – thotë Stroni për “Faktoje”.

Transparencë me pikatore

Pavarësisht hezitimit për të bërë transparencë me numrin e të infektuarve mes bluzave të bardha, ritmi i shtimit të të prekurve dhe numri i të shëruarve nga ana tjetër, mund të kuptohen edhe nga shifrat me ‘pikatore’ që jep herë pas here vetë ministria e Shëndetësisë. Kështu më 6 prill 2020, në një dalje për mediat, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, pranoi se deri në atë periudhë, 40 mjekë ishin infektuar me covid -19 dhe gjysma e tyre ishin shëruar.

Foto e marrë nga Facebook i ministres Manastirliu

Më 7 maj, Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se është testuar kampioni i parë i stafit mjekësor dhe i pacientëve nëpërmjet testimit serologjik në Laboratorin e QSUT. “Në total janë testuar 440 individë prej të cilëve 323 janë personel mjekësor dhe 117 janë pacientë, ku pozitiviteti i përgjithshëm është 11. 2%”, – shpjegoi Ministria e Shëndetësisë.

Më 28 maj, po kjo ministri, raportoi se nga gjurmimi ditor kishin rezultuar pozitive 12 raste me covid-19, personel shëndetësor në QSUT.

Andi Koraqi, shef i laboratorit të mikrobiologjisë në QSUT, deklaroi gjatë verës se afërsisht 300 individë, personel mjekësor nga Sanatoriumi dhe Qendra Spitalore “Nënë Tereza” kishin rezultuar pozitivë në testin serologjik dhe tampon.

Më 30 qershor u shënua viktima e parë ndër radhët e mjekëve. Arjan Pushi, mjeku hematolog, u nda nga jeta ndërsa ndodhej në reanimacionin e Infektivit.

I kontaktuar për “Faktoje”, Arben Ivanaj, ish-koleg me mjekun Pushi rrëfen:

“Padyshim që ishte një humbje e madhe që na trishtoi shumë, nuk mundëm ta mbanim në jetë megjithëse iu dha e gjitha ndihma e nevojshme” – tha Ivanaj, i cili ka shumë kritika për mënyrën se si po menaxhohet i gjithë sistemi shëndetësor në vend dhe jo vetëm të sëmurët me Covid.

“Një pjesë e stafit tonë, te shërbimi i Hematologjisë është infektuar. 2 mjekë specializantë dhe 11 personel ndihmës ishin të infektuar, por tashmë janë rikthyer në pavion. Nuk ka rëndësi vendi ku e kanë marrë, rëndësi ka që ata janë infektuar në krye të detyrës dhe kjo tregon se virusi nuk seleksionon.”- shton ai.

Pas mjekut Pushi, humbi jetën si pasojë e Sars-Cov 2, edhe Hysni Shkjau, mjek familjeje në Pukë dhe Anibal Byberi, mjek në qytetin e Tropojës. Ndërkohë që jemi futur në atë që mund të konsiderohet vala e dytë e pandemisë së Sars-Cov-2, fatkeqësisht është rritur edhe numri i fataliteteve mes bluzave të bardha të infektuar në krye të detyrës. Midis tyre është edhe infermieri në spitalin e traumës, Pëllumb Maletaj. Në fillim të shtatorit, humbi jetën nga Covid-19 edhe kirurgia e njohur e e Shkodrës Zyliha Kraja, e cila pavarësisht se ishte në pension, në fakt u shërbente pacientëve çdo ditë, për shkak të mungesës së stafit. Shtatori rezultoi fatal edhe për Sefer Dervishin, mjek në qendrën shëndetësore në Helmas në Kavajë e po ashtu, edhe mjeku i spitalit të Kukësit, Astrit Haziri, ndërroi jetë si pasojë e Covid-19, pavarësisht se ishte dërguar në Turqi për t’u trajtuar. Në fund të tetorit humbi betejën me Covid-19 mjeku Muharrem Xhepexhiu, drejtor në qendrën shëndetësore Hysgjogaj në Lushnjë.

Mjekët e vijës së parë që humbën jetën nga Sars-Cov 2:

Arjan Pushi

Hysni Shkjau

Anibal Byberi

Pëllumb Maletaj

Zyliha Kraja

Sefer Dervishi

Astrit Haziri

Muharrem Xhepexhiu.

Përveç këtyre 8 bluzave të bardha që ishin në vijën e parë të luftës, si pasojë e Covid-19 kanë ndërruar jetë edhe 5 mjekë në pension.

Mjekët në pension që humbën jetën nga Sars-Cov 2

Elmaz Eltari

Esat Pashaj

Vilson Topulli

Memo Boçi

Agron Menzelxhiu

Vetë bluzat e bardha, jo zyrtarisht thonë për “Faktoje” se çdo ditë, dhjetëra anëtarë të stafit mjekësor dhe personel ndihmës, preken nga Sars-COv-2.

Petrit Vargu, mjek kardiolog, pjesë e stafit të urgjencës në QSUT, thotë se numrat e të prekurve brenda personelit mjekësor janë shumë të larta. Për këtë ai i referohet shërbimit ku punon.

“Ne jemi 13 mjekë në urgjencën e kardiologjisë, nga të cilët 8 e kanë kaluar tashmë Covid-19.” –pohon Vargu për “Faktoje”.

Ai e shikon të ardhmen e spitaleve shqiptare në këtë situatë të krijuar nga pandemia e Covid-19, të errët dhe pa shumë rrugëzgjidhje.

“Pas një propagande në fillim, tashmë realiteti është krejt tjetër. Kemi vdekshmërinë më të lartë ndër të sëmurët me covid. Unë mendoj se do të jemi ndër të fundit që do të jemi “covid free.” – shpjegon Vargu, duke e drejtuar gishtin tek politikat që po ndiqen për të menaxhuar këtë situatë të pazakontë.  

“Faktoje” kontaktoi edhe Petrit Frangun, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Mjekëve. As ai nuk zotëron një shifër të mjekëve të prekur me Covid, teksa u shërbejnë çdo ditë pacientëve.

“Nga kontaktet e mia me mjekë, bëhet fjalë për një numër shumë të madh të prekurish mes bluzave të bardha, por unë mendoj se shifra nuk ka rëndësi dhe nuk ndryshon asgjë. E vetmja gjë që ne kemi kërkuar në këtë situatë të pazakontë, është rritja e pagës të të gjithë personelit shëndetësor dhe paga e 13-të.” – na thotë Frangu.

Ndryshe nga sindikalistët, mes radhëve të mjekëve, Sabri Skënderi i Federatës së Infermierëve, tregohet më i ashpër.

“Zyrtarisht nuk kemi një shifër, por me raportimet tona, deri më tani janë rreth 120 infermierë të infektuar.”- na thotë Skëndëri.

Situata konfirmohet edhe nga bluzat e bardha të spitatit të Traumës.

“Sa kohë që rastet e mjekëve dhe infermierëve të infektuar nuk raportohen nga Infektivi, por nga spitalet e tjera, tregon se në të vërtetë vëmendja po përqendrohet vetëm tek mjekët e Infektvit dhe tek Covid-2. Në spitalet e tjera, masat mbrojtëse janë minimale” – na thotë një burim pranë spitalit të Traumës.

Foto e marrë nga Facebook i ministres Manastirliu

I njëti burim pohon se në këtë spital ka pasur herë pas here raste me mjekë dhe infermierë të infektuar, por askush nuk ka marrë masa për zëvendësime.

Sabri Skënderi i Urdhrit të Infermierëve shprehet se pjesë e propagandës janë edhe deklarimet e Ministrisë së Shëndetësisë për hapjen e vendeve të reja të punës dhe rekrutime të stafit.

“Ministria e Shëndetësisë thotë se ka punësuar 300 infermierë të rinj, ndërkohë nga sistemi janë larguar 600 infermierë. Këta mezi po zëvendësojnë ata që kanë ikur e jo më të shtojnë staf, ndaj unë mendoj se gjërat nuk janë aspak në rrugë të mbarë”, – thotë Skënderi.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img