BallinaBurokraciHapja e shërbimit të Kardiokirurgjisë tek “Shefqet Ndroqi”, ministria nuk kthen përgjigje

Hapja e shërbimit të Kardiokirurgjisë tek “Shefqet Ndroqi”, ministria nuk kthen përgjigje

Në fund të vitit 2019, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastriliu, duke folur për buxhetin e vitit 2020 tha në Komisionin për Shëndetësinë dhe Mbrojtjen Sociale se ‘në muajt e parë të 2020-s do të hapet shërbimi i Kardiokirurgjisë në spitalin Shefqet Ndroqi”.

Në datën 19 maj, Faktoje i dërgoi një kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për ta pyetur për këtë çështje por deri sot nuk ka marrë një përgjigje dhe afati ligjor prej 10 ditësh pune ka kaluar.

Akualisht ka vetëm një shërbim publik të kardiokirurgjisë që është në QSUT.

Spitali ‘Shefqet Ndroqi’, i njohur si “Sanatoriumi” u shëndërrua në 29 mars në spitalin COVID 2 për të përballuar fluksin e pacientëve me koronavirus.

Në 14 maj, Bardh Spahia nga Partia Demokratike bëri publik në rrjetet sociale një email që sipas tij kishte dalë nga dikasteri i Shëndetësisë ku thuhej se Faktojes dhe mediave të tjera nuk u duhet kthyer përgjigje nga kontakte të tjera përvecse nga adresa e e-mailit info@shëndetësia.gov.al

Në këtë rast për Shërbimin e Kardiokirurgjisë Faktoje provoi të dërgonte kërkesën informacion, përmes kësaj “rruge” edhe pse ajo nuk ishte komunikuar zyrtarisht nga Ministria. Përsëri nuk morëm përgjigje edhe pse është tejkaluar afati zyrtar.

Zakonisht, për çështjet e shëndetësisë, Faktoje ka kontaktuar me zëdhënsin e institucionit apo me koordinatorin për të drejtën e informimit.

Në përvojën e Faktoje me Ministrinë  e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale sa i përket ligjit për të drejtën e informimit kemi konstatuar se kjo ministri është ndër  institucionet më hermetike në vend.

Që nga nisja e pandemisë së Covid-19, nisur edhe nga problematika që karakterizoi këtë periudhë , Faktoje i ka dërguar 11 kërkesa për informacion Ministrisë së Shëndetësisë të cilat nuk kanë marrë përgjigje.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img