BallinaBurokraci4 institucione, 0 zgjidhje për mijëra familje pastrehë dhe pa bonus qiraje

4 institucione, 0 zgjidhje për mijëra familje pastrehë dhe pa bonus qiraje

Asnjë prej institucioneve vendore apo qendrore nuk merr përgjegjësinë mbi fatin e 3500 familjeve të pastreha nga tërmeti tragjik i nëntorit të 2019-s të cilat prej  10 muajsh kanë mbetur pa bonus qiraje. Faktoje iu drejtua me kërkesa të njëpasnjëshme për informacion 4 institucioneve, se si do ndihmohen këto familje në Durrës e Kurbin, por prej disa muajsh vijon ping-pongu i përgjegjësive. Bashkitë argumentojnë se nuk kanë fonde për bonusin, ndërsa qeveria i konsideron të mbyllura procedurat me rindërtimin.

Prej 10 muajsh, 2500 familje të mbetura pastrehë pas tërmetit të 2019-s në Durrës dhe 1 mijë të tjera në Kurbin nuk kanë marrë bonusin e qirasë. Ky shqetësim u ngrit nga Faktoje në një artikull të publikuar në nëntor të 2023. Banorët dëshmonin se enden dyerve të institucioneve në kërkim të një banese dhe pagesës që u takon për të shlyer qiranë mujore deri në përfundimin e banesave të reja.

Në lidhje me këtë situatë kritike për 3500 familjeve, ne iu drejtuam zyrtarisht edhe institucioneve përgjegjëse, Bashkisë Durrës, asaj të Kurbinit, Kryeministrisë, Mistrisë së Financave dhe të Infrastrukturës dhe Energjisë.

Bashkitë e pranojnë se nuk është dhënë bonusi i qirasë prej muajsh, teksa bëjnë përgjegjëse qeverinë për mungesë të fondeve.

“Bashkia Durrës i ka kërkuar fonde për subvencionimin e qirasë për familjet e prekura nga tërmeti i 26.11.2019 Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë me shkresën 30/4 datë 18.07.2023 dhe nuk ka marrë asnjë përgjigje mbi vazhdimin e lëvrimit të fondeve”, përgjigjet Bashkia e Durrësit.

Ministria e Financave sqaron se që prej muajit mars 2023, bonusi i qirasë për banorët e mbetur pastrehë si pasojë e tërmetit duhet të paguhet nga bashkitë përkatese.

“Në zbatim të pikës 5, të nenit 26, të Aktit Normativ Nr. 9, datë 16.12.2019, nëpërmjet shkresës nr. 5897, datë 30.03.2023, me synimin për të shtyrë përpara procesin e rindërtimit, por edhe për faktin se strehimi është funksion i njësive të qeverisjes vendore, janë njoftuar të gjitha bashkitë e prekura nga tërmeti se pas muajit Mars 2023 subvencionimi i qirasë për këto familje do të financohet nga buxheti i bashkive, duke i njoftuar që të marrin masat e mëtejshme për mbulimin e këtyre pagesave”, njofton për Faktoje, Ministria e Financave.

Pas këtyre përgjigjeve, që nuk japin asnjë zgjidhje konkrete për banorët, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion Kryeministrisë.

Kryeministria ia delegon përgjegjesinë për këtë çështje Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke mos dhënë asnjë informacion se çfarë do të bëhet me fatin e familjeve të mbetura në mes të katër rrugëve prej më shumë se 4 vitesh.

Edhe Ministria e Infrastrukturës heq përgjegjësine nga vetja, duke theksuar se pagesa e bonusit është detyrim i bashkive.

“… Ministria e Financave dhe Ekonomisë është shprehur se nga muaji mars bashkitë janë njoftuar se subvencionimi i qirasë për këto familje do të financohet nga buxheti i bashkive dhe në mbështetje të nenit nr.8, të Aktit Normativ të lartpërmendur që parashikon shprehimisht se“ Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij akti normativ, do të përballohen, sipas rastit, nga subvencionet e planifikuara në buxhetin e shtetit, programi i strehimit të ministrisë përgjegjëse për strehimin dhe nga të ardhurat e njësive të vetëqeverisjes vendore”, argumenton mes të tjerash kjo ministri.

Asnjë prej 4 institucioneve të pyetura nuk dha përgjigje shteruese mbi fatin e 3500 familjeve, të mbetura pa shtëpi dhe pa bonus qiraje.

Eksperti i Ekonomisë, Zef Preç shprehet kritik ndaj qeverisë dhe pushtetit vendor në lidhje me gjithë procesin e post-tërmetit.

“Mosdhënia e bonusit ndaj familjeve që janë pa strehë për shkak të tërmetit të 26 nëntorit 2019, reflekton nga njëra anë frikën e zyrtarëve nga ndëshkimi i SPAK-ut për shkak të abuzimeve që janë bërë me fondet e rindërtimit, por edhe papërgjegjshmërinë e qeverisë qendrore dhe vendore për të zbatuar aktet që ka ndërmarrë vetë.

Ndërkohë pushteti vendor ka përparësi pagesat e inceneratorëve që nuk ekzistojnë. Dhe pak e më pak po përmbush detyrimet ndaj qytetarëve që e kanë votuar. Dhe për më tepër që qeveria po e përdor përsëri tërmetin edhe pas katër vitesh si një kambial elektoral”, argumenton zoti Preçi.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img