BallinaFaktometerE PavërtetëManastirliu: Kemi siguruar mjetet mbrojtëse për personelin mjekësor

Manastirliu: Kemi siguruar mjetet mbrojtëse për personelin mjekësor

INVA HASANALIAJ & AURORA SHPATAJ

Ministria e Shëndetësisë garanton se i ka pajisur rregullisht me materialet mbrojtëse anëtarët e stafit mjekësor që prej fillimit të pandemisë. Edhe postimet e Ministres Manastirliu në rrjetet sociale tregojnë për mbërritjen e furnizimeve të herëpashershme me maska e doreza. Por nga një vëzhgim i “ Faktoje” dhe biseda me anëtarë të stafit mjekësor në spitalin e Durrësit konstatuam se ka mungesë të këtyre materialeve. Nga ana tjetër është shqetësues infektimi i personelit mjekësor që raportohet këto ditë edhe nga ISHP.

Të martën, në 2 qershor, kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, inspektuan strukturën e re spitalore, e cila sipas njoftimit do të jetë në dispozicion për trajtimin e të prekurve me COVID19.

Ministrja Manastirliu gjatë takimit me gazetarët tha:

“Një prej prioriteteve tona që në fillim të punës ka qenë mbrojtia e personelit shëndetësor duke krijuar mundësinë për të mos munguar asnjë ditë materialet e mbrojtjes personale që ka qenë arma në duart e e personelit shëndetësor për të luftuar kundër Covid-19, të cilat ne ia kemi siguruar që në ditën e parë dhe vijojmë të rrisim stokun dhe do të vijojmë në kuadër të planit tonë për përballimin e situatës.”

Mungesa e mjeteve mbrojtëse ka qenë një ndër shqetësimet dhe problematikat kryesore që kanë shoqëruar personelin mjekësor në të gjitha strukturat e shëndetësisë në vendin tonë, që prej nisjes së pandemisë. Nga ana tjetër, Ministrja Manastirliu ka postuar rregullisht njoftime mbi furnizimin me sasi të reja të këtyre mjeteve, të ardhura në formën e donacioneve apo blerjeve.

“Faktoje” është interesuar vazhdimisht për kohën dhe procesin e shpërndarjes së këtyre materialeve të domosdoshme, sidomos për parandalimin e infektimit të personelit mjekësor. Ne i jemi drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë për të mësuar të dhënat zyrtare mbi këtë proces.

Prej këtyre tri kërkesavë që dërguam, Ministria e Shëndetësisë iu përgjigj vetëm njërës prej tyre dhe që ka të bëjë me mjetet e ardhura në formë donacioni nga shteti i Katarit.

Përgjigjja e Ministrisë së Shëndetësisë:

 

Në përgjigjen e saj Ministria sqaron se për shpërndarjen e materialeve të këtij donacioni, është ende në fazën e hartimit të planit.

Nga ana tjetër burime për “Faktoje.al” brenda spitalit të Durrësit shprehen se personeli mjekësor po përballet me mungesën e mjeteve mbrojtëse të cilat të paktën kohët e fundit  u është dashur t’i blejnë me shpenzimet e tyre.

Një infermiere e këtij spitali e cila kërkon të mbetet anonime shprehet: “Në fillim kishim doreza, maska, por tani nuk na japin më, kur iu kërkojmë na thonë nuk kemi ”

Ditët e fundit Faktoje arriti të sigurojë disa foto brenda mjediseve të spitalit rajonal të Durrësit, ku bien në sy anëtarë të personelit të papajisur me  maska dhe doreza, ndërkohë që rreziku nga pandemia e Covid-19 është ende i pranishëm. Po ashtu edhe raportimet e ditëve të fundit nga ISHP kanë ngritur shqetësimin për infektimin e anëtarëve të stafit mjekësor.Vetëm dje ISHP konfirmoi 6 të prekur nga Covid 19, nga personeli mjekësor.

Faktoje u njoh drejtpërdrejt me shqetësimin e mjekëve po nga spitali I Durrësit për mungesë të mjeteve mbrojtëse nga biseda që pati me një mjek i cili do të mbetet anonim.

Ai pranoi se ka pasur raste kur anëtarë të personelit kanë blerë me shpenzimet e tyre maska dhe doreza, por edhe ato kanë mbaruar.

“Ne rrezikojmë jetën dhe nuk ka sens të mos kemi mjete mbrojtëse” –përfundon ai.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img