BallinaBurokraciKërkesat zyrtare për inceneratorët – institucionet shkelin në bashkëpunim ligjin për të drejtën e informimit

Kërkesat zyrtare për inceneratorët – institucionet shkelin në bashkëpunim ligjin për të drejtën e informimit

Në shtator 2022, Faktoje vendosi të verifikojë dhe hulumtojë procedurën e dhënies me koncesion të punës për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës. Arsyeja lidhet me kosoton e lartë të parasë publike të parashikuar për inceneratorin, por edhe vëmendjes së madhe që mori në publik, pas denoncimeve nga shoqëria civile, media dhe opozita. Por procedura standarde e kërkimit të informacionit zyrtar nga institucionet shtetërore, që sipas ligjit zgjat maksimumi dy javë kalendarike, përfundoi në një kalvar ‘hidh e prit’ të përgjegjësisë për dhënien e informacionit që nuk ka përfunduar edhe pse kanë kaluar 5 muaj. Pjesë e këtij ping-pongu përgjegjësish mes institucioneve shtetërore, u bë edhe “rojtari” i të drejtës së informimit, zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit.

Jona Plumbi

Në dhjetor 2022, Faktoje publikoi një artikull hetimor mbi inceneratorin e Tiranës. Shkrimi me titull “Kush qëndron pas inceneratorit të Tiranës”, faktoi shkeljen e ligjit për Prokurimet Publike nga kompania fituese e tenderit për ndërtimin e inceneratorit, Integrated Energy BV. Nisur nga kjo gjetje, Faktoje pyeti institucionet shtetërore përgjegjëse, Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës, nëse ishin në dijeni për këtë shkelje të ligjit.

Pyetja vijon të mbetet pa përgjigje edhe sot.

Dy kërkesa për informacion

Kërkesën për informacion Faktoje e nisi në datën 23 shtator 2022. Një kërkesë iu drejtua Ministrisë së Financave, si autoriteti që ka ka për detyrë dhënien ose jo të lejes për ndryshimin e aksionerëve të këtyre kompanive. Një kërkesë e dytë iu dërgua edhe Ministrisë së Infrastrukturës si autoriteti përgjegjës për zbatimin e kontratës mes shtetit shqiptar dhe kompanisë Integrated Energy BV.

Ligji për kontratat koncesionare (Neni 32), thekson se kompanitë që janë krijuar enkas për zbatimin e kontratës koncesionare (si rasti i kompanisë Integrated Energy BV), atëherë shitja e aksioneve të saj kërkon miratimin paraprak të Autoriterit Kontraktues (Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë) dhe të Ministrisë së Financave.

Ministria e Ekonomisë dhe Financave

Ministria e Ekonomisë dhe Financave, pasi mori kërkesën e Faktoje, vlerësoi se informacioni i kërkuar mbi aksionerët e kompanisë që fitoi tenderin e inceneratorit të Tiranës, nuk disponohej prej tyre, ndaj në 26 shtator e referoi kërkesën tek Ministria e Infrastrukturës.

Me ligjin në krahun e saj, në 14 tetor 2022 Faktoje ankimoi përgjigjen e marrë nga Ministria e Financave, duke theksuar edhe njëherë përmbajtjen e nenit 32 të ligjit për kontratat koncesionare, që e detyron Ministrinë e Financave të ketë dijeni për këtë çështje.

Në 27 tetor, Ministria e Financave vendosi edhe njëherë të injorojë atë pjesë të ligjit që, përveç autoritetit kontraktues, detyron edhe Ministrinë e Financave të japë ose jo lejet për ndryshimin e aksionerëve të kompanisë që po bën punë publike. Ndaj, ktheu edhe njëherë të njëjtën përgjigje.

Gjatë kësaj korrespondence, roli i Komisionerit për të Drejtën e Informimit ishte i barabartë me atë të një noteri, që vulos çdo përgjigje që nis institucioni shtetëror. Kjo në shkelje të detyrimit që i lind nga ligji për të drejtën e informimit, që detyron Komisionerin të vlerësojë faktet dhe bazën ligjore të ankesës.

Në mungesë të funksionimit të procesit nga ana e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe pasi mori dy herë të njëjtën përgjigje nga Ministria e Financave, Faktoje tërhoqi ankimimin në 31 tetor, më shumë se një muaj pas dërgimit të kërkesës për informacion.

Por, shkelja e ligjit për të drejtën e informimit vijoi në një tjetër ministri, atë të Infrastrukturës.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë

Ministria e Infrastrukturës, ndryshe nga ajo e Ekonomisë, zgjodhi që ta injorojë plotësisht kërkesën për informacion të dërguar nga Faktoje në 23 shtator 2022. Për shkak se ministria nuk dha asnjë përgjigje, Faktoje në zbatim të ligjit për të drejtën e informimit çoi ankimim tek Komisioneri për të Drejtën e Informimit në datën 14 Tetor.

Ministrisë së Infrastrukturës, iu deshën dy javë të plota kalendarike për t’i dhënë ankimimit të Komisionerit një përgjigje mjaft befasuese. Ministria kërkoi mirëkuptim për vonesën e informacionit pasi “drejtoresha që po trajton këtë kërkesë ndodhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.

E zënë ngushtë për shkak të mungesës së parashikimit ligjor për një situatë të tillë, Faktoje i kërkoi ministrisë të na njoftonte për kohën që i duhej në dispozicion për të kthyer përgjigje. Ministria nuk ktheu më përgjigje.

Si autoriteti përgjegjës për zbatimin e ligjit për të drejtën e informimit, Faktoje pyeti pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit për mënyrën e vijimit të kësaj procedure. Fatkeqësisht, edhe zyra e komisionerit për të drejtën e informimit, kërkoi mirëkuptimin e Faktoje për vonesën e përgjigjes nga Ministria e Infrastrukturës, si dhe lënien e kohës së nevojshme për të marrë përgjigjen e kërkuar.

E mbetur pa mbështetje institucionale, Faktoje vendosi të presë.

Dy muaj e gjysmë më vonë, Ministria e Infrastrukturës ktheu një përgjigje pa përgjigje, duke informuar Faktojen se “nga viti 2018 kur Ministria e Infrastrukturës u bë autoritet përgjegjës për zbatimin e kontratës koncesionare për inceneratorin e Tiranës, kompania Integrated Energy BV nuk i ka informuar për transferimin e aksioneve të kompanisë”.

Si për ta bërë situatën më komike, Ministria e Infrastrukturës në përgjigjen e saj i sugjeron Faktojes që të pyesë Qendrën Kombëtare të Biznesit për ndryshimin e aksionerëve të kontratës edhe pse në fakt pyetja ishte nëse Ministria kishte dijeni për ndryshimin e aksioneve, të faktuar tashmë nga Faktoje.

Ironia nuk i mungon as Komisionerit për të Drejtën e Informimit, i cili me këtë përgjigje, e quajti të përfunduar procesin e ankimimit ndaj Ministrisë së Infrastrukturës, pa i bërë vlerësim fakteve dhe bazës ligjore të ankimimit. Në dijeni të Faktojes asnjë nga këto dy institucione nuk është gjobitur për refuzimin e dhënies së informacionit.

Përfundimi?

Marrja e informacionit zyrtar nga institucionet shtetërore shpesh herë bëhet e pamundur për shkak se institucioni që ka tagër detyrimin ose gjobitjen e institucioneve që nuk japin informacionin zyrtar, nuk e ushtron pushtetin e tij sipas detyrimit ligjor. Kjo mënyrë e mosmbajtjes përgjegjësi dhe mosdhënies së informacioneve sipas ligjit, dekurajon gazetarët dhe aq më tepër qytetarët, në dërgimin e kërkesave zyrtare dhe marrjen e infomacionit publik që i takon me ligj.

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img