BallinaFaktometerPa kategoriAs punësimet e reja nuk mbulojnë nevojat e spitaleve për mjekë specialistë

As punësimet e reja nuk mbulojnë nevojat e spitaleve për mjekë specialistë

ANXHELA RUÇI

Punësimi i 70 mjekëve të rinj në spitalet rajonale muajt e parë të vitit 2020, parashikohej të plotësonte mungesat në disa specialitete, sipas një deklarate të ministres Ogerta Manastirliu. Kur “Faktoje” verifikoi se në cilat specialitete kishte mungesa dhe çfarë profili kishin mjekët e punësuar, rezultoi se vetëm 3  spitale rajonale i kanë plotësuar nevojat pas punësimeve të reja.

————————————————————————————————————————————————————-

Në dhjetorin e vitit të shkuar ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi se 70 mjekë specialistë do të punësoheshin në fillim të vitit 2020 në spitalet rajonale.

Nisur nga kjo deklaratë, “Faktoje” kontaktoi me Ministrinë e Shëndetësisë për të mësuar më shumë për  shpërndarjen e mjekëve specialistë. Në javën e fundit të shkurtit, ministria na vuri në dispizicion listën e mjekëve spiacialistë që janë punësuar gjatë vitit 2020.

Në periudhën janar-shkurt të këtij viti, 63 mjekë specialistë kanë filluar punë në sistemin publik, ndërsa katër të tjerë do të nisin sapo të mbarojnë specializimin, pra në total 67 mjekë të rinj specialistë.

Sipas ministrisë, 54 mjekë janë shpërndarë në spitalet rajonale, ndërsa 13 të tjerë në ato bashkiake apo qendra shëndetësore. Raporti i sjellë nga ministria dhe deklarata e Manastirliut ka një mosërputhje, pasi ministrja theksonte se 70 mjekët ishin të destinuar vetëm për spitalet rajonale.

Kjo nuk është e vetmja problematikë që konstatuam për punësimin dhe shpërndarjen e mjekëve specialistë në spitalet e vendit. Paralelisht me kërkesën e adresuar në ministri, “Faktoje” ka kërkuar informacion edhe nga 11 spitalet rajonale, të cilëve u është drejtuar pyetja se në cilat specialitete kanë mungesë mjekësh.

Në të gjithë spitalet rajonale ku pyetëm janë punësuar mjekë të rinj specialistë, por në  spitalin e Durrësit, Beratit, Gjirokastrës, Shkodrës, Dibrës dhe pjesërisht të Vlorës nuk janë punësuar mjekë të specialiteteve qw ka mungesë të tyre e si pasojë shërbimet mbeten të pambuluar ose pjesërisht të mbuluar.

Pas përballjes së fakteve të vëna në dispozicion nga ministria e Shëndetësisë dhe përgjigjes zyrtare të vetë spitaleve, vetëm 1/3 e spitaleve rajonale, rezultojnë me numër të plotësuar mjekësh sipas specialiteteve, konkretisht i Lezhës, Fierit dhe Elbasanit. Pjesa tjetër kanë ende mungesa, pavarësisht punësimit të mjekëve të rinj. Për spitalin e Korçës dhe atë të Kukësit nuk kemi informacion, pasi ende nuk kemi marrë përgjigje pas kërkesës.

Para se të nisin specializimin, mjekët firmosin një kontratë paraprake me ministrinë, ku paracatohet se ku do të punësohen në përfundim të tij. Mjekët duhet të zbatojnë kontratën për një afat kohor prej jo më pak se tre vite, në të kundërt do të penalizohen me një gjobë në vlerën 2 milionë lekë. Ky urdhër ka hyrë në fuqi që në vitin 2014.

Për mjekët, të cilët do të nisin specializimin gjatë 2020-s, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka shpallur vendet vakante. Këta mjekë do të mund të hyjnë në sistemin publik sipas profilit të përcaktuar, pasi të mbarojnë ciklin katërvjeçar të specializimit.

Ministria e Shëndetësisë deklaroi për “Faktoje” se së shpejti do të kryejë një analizë të hollësishme për mungesën e mjekëve që kanë spitalet. Deri atëherë, shumica e spitaleve rajonalë të cilët mbulojnë pacientë nga i gjithë qarku, do të vuajnë mungesën e mjekëve të disa specialiteteve.

Lexo edhe: Mjekët e spitaleve publike preferojnë Gjermaninë, në Shqipëri lulëzon kirurgjia plastike

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img