BallinaNë lupën e FakteveDështojnë strukturat e denoncimit të korrupsionit, numër i ulët i referimeve dhe hetimeve nga drejtësia

Dështojnë strukturat e denoncimit të korrupsionit, numër i ulët i referimeve dhe hetimeve nga drejtësia

Klementina Cenkollari

Ligji për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve apo bilbilfryrësve, i mbështetur fort nga BE, po dështon, kur kanë kaluar gati 5 vjet nga hyrja në fuqi. Raportimi i rasteve të korrupsionit brenda institucioneve, ku funksionojnë 362 njësi përgjegjëse në sektorin publik dhe 527 në atë privat, mbetet i ulët. Edhe denoncimet që merren në shyrtim ‘firojnë’, për shkak të mosfillimit të hetimit apo shpalljes së moskompetencës. Ndërkohë perceptimi i korrupsionit sipas Transparency International u përkeqësua vitin e fundit. Ekspertë të ligjit e shohin ngërçin te keqfunksionimi i institucioneve të drejtësisë dhe mungesa e kulturës për mbrojtjen e sinjalizuesve.

 

Në të gjitha raportet e publikuara nga Bashkimi Europian vitet e fundit për Shqipërinë, një nga kriteret për të çelur negociatat për integrimin e vendit, është lufta kundër korrupsionit. Për këtë delegacioni i BE-së në Shqipëri ka ndërmarrë edhe veprime konkrete.

Një prej tyre është financimi për zbatimin e ligjit nr. 60/2016 për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve. Ky ligj parashikon që në institucionet me mbi 80 punonjës në sektorin publik dhe me mbi 100 në atë privat, të punësohen sinjalizues të cilët do të raportojnë shkeljet ligjore që bëhen. Për sektorin Publik ligji hyri në fuqi në 1 tetor 2017 ndërsa në sektorin privat në 1 korrik të një viti më pas.

Por sa kanë funksionuar këto njësi të sinjalizimit në sektorin publik dhe privat?

Pavarësisht kësaj nisme ligjore, niveli i denoncimit të rasteve të korrupsionit nga brenda institucioneve mbetet tepër i ulët. Sipas ILDKPI, në total janë ngritur dhe funksionojnë 362 njësi përgjegjëse në sektorin publik dhe 527 njësi përgjegjëse në sektorin privat.

Inspektorati i Lartë ka marrë dhe administruar 199 raporte vjetore nga Njësitë Përgjegjëse pranë autoriteteve publike, ku nga analizimi i tyre konstatohet se në 3 Njësi Përgjegjëse janë sinjalizuar raste. Gjatë vitit 2021 është adresuar elektronikisht në Bankën e Shqipërisë një rast korrupsioni i dyshuar, për të cilin është vendosur mosfillimi i procedurës së hetimit administrativ dhe si rrjedhojë tërheqja e sinjalizimit.

Në Bashkinë e Tiranës raportohen të jenë regjistruar 6 raste sinjalizimi dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve raportohen 2 raste sinjalizimi, për të cilat janë marrë masat për nxjerrjen përpara përgjegjësive të personave të gjetur në shkelje të përmbushjes së detyrave funksionale, deri në referim të çështjes pranë organit të prokurorisë.

Në lidhje me Njësitë Përgjegjëse pranë sektorit privat janë marrë dhe janë administruar 321 raporte sinjalizimi. Inspektorati i Lartë ka regjistruar dhe trajtuar në total 11 raste sinjalizimi dhe 1 kërkesë për mbrojtje nga hakmarrja, të ardhur nga sektori publik. Në analizim të rasteve të paraqitura, rezulton se 10 raste sinjalizimi të jashtëm kanë ardhur nga sektori publik dhe 1 rast i përket sektorit privat.

Screenshot nga raporti ILDKPI

Nga ana e saj, qeveria do të miratonte edhe rrjetin e Koordinatorëve Anti-Korrupsion, një strukturë nën drejtimin e Koordinatorit Kombëtar kundër korrupsionit, Ministrit të Drejtësisë që ka si objektiv luftën kundër çdo lloj forme të korrupsionit dhe forcimin e besimit te qytetarët, për një administratë publike, efiçente dhe me integritet të lartë në shërbim të qytetarit.  Sërish numri i denoncimeve dhe i çështjeve të raportuara për korrupsion mbetet tepër i ulët. Ne iu drejtuam me një kërkesë zyrtare edhe Ministrisë së Drejtësisë në lidhje me numrin e çështjeve që ata vetë kanë referuar.

Screenshot i kërkesës derguar MD

Në përgjigjen zyrtare thuhet se në 14 Raporte të përfunduara për hetimet administrative të zhvilluara pranë institucioneve të ndryshme të rrjetit, janë propozuar 79 masa disiplinore, për 79 persona (punojës/nëpunës), të institucioneve, subjekt hetimi.

Gjithashtu, rezultojnë se janë paraqitur/referuar pranë organit të prokurorisë 16 kallëzime penale + 3 shtesa kallëzimi penal, për 37 persona (nëpunës/punonjës) + persona të tjerë të paidentifikuar. Nga ana tjetër, të gjitha kallëzimet penale të paraqitura pranë prokurorive kompetente, sipas komunikimit shkresor, rezulton se prokuroritë kanë proceduar me regjistrimin e kallëzimeve penale dhe janë në proces hetimi të çështjeve/rasteve të kallëzuara, si organi kompetent për zhvillimin e një procesi hetimor të plotë, të gjithanshëm dhe në përputhje me ligjin, me qëllim ngarkimin me përgjegjësinë përkatëse penale të personave të kallëzuar.

Screenshot i përgjigjes zyrtare nga MD

Ne iu drejtuam edhe SPAK, Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion në lidhje me çështjet që MD ka referuar në këtë strukturë. Në përgjigje të kërkesës sonë SPAK informon se gjatë vitit 2021 deri më sot, nga Ministria e Drejtësisë (Koordinatori Kombëtar kundër Korrupsionit) është paraqitur vetëm 1 kallëzim penal.

Në lidhje me denoncime të tjera, SPAK bën me dije se më datën 19.11.2021 është paraqitur kallëzim penal kundër disa punonjësve të ASHK-së Durrës (Kadastra). Kallëzimi është vlerësuar nga një prokuror i SPAK-ut dhe është konstatuar se problematika e paraqitur në kallëzim nuk është në kompetencë të SPAK ndaj i është dërguar për kompetencë Prokurorisë e Rrethit Gjyqësor Durrës.

Përgjigja nga SPAK

Ndërsa prokuroria Tiranë konfirmohet se për vitin 2021 pranë saj janë referuar nga Rrjeti i Koordinatorëve kundër Korrupsionit në Prokurorinë e Tiranës vetëm 4 kallëzime penale, kryesisht për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.

Përgjigje e prokurorisë Tiranë

Vetë Prokuroria e Përgjithshme në të dhënat e saj të pasqyruara në raport, thotë se për vitin 2021, për këto grup veprash të korrupsionit në kompetencë të juridiksionit të përgjithshëm, janë regjistruar 100 procedime me 87 të pandehur dhe gati gjysma e tyre, ose 54 procedime me 55 të pandehur janë dërguar për gjykim. Krahasuar me vitin 2020 ka një rritje 3 herë të numrit të procedimeve të regjistruara.

Ndërsa për nenin 245 të Kodit Penal “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë”, janë regjistruar 2 procedime penale kundrejt 3 procedimeve në vitin 2020.

Pjesë nga tabela e të dhënave nga Prokuroria e Përgjithshme

Por pavarësisht besimit edhe të ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja për “zero tolerancë për çdo zyrtar që abuzon”, Shqipëria vijon të humbasë pikë sa i përket nivelit të perceptimit të korrupsionit, çka raportohet dhe nga organizata Transparency International. Në raportin e fundit të saj për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit në botë, Shqipëria ka pasur një rënie me një pikë në krahasim me vitin e kaluar, nga 36 në 35 pikë. Ndërsa Kosova ka shënuar përmirësim, me 39 pikë, tre pikë më lart sesa një vit më parë. Një përmirësim prej katër pikësh ka shënuar Maqedonia e Veriut, nga 35 në 39, ndërsa Mali i Zi është mes vendeve të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore me numrin më të lartë të pikëve, 46 në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit.

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit në botë /Organizata Transparency International

Juristët: Nuk ka mungesë legjislacioni, por mungon vullneti

Avokati Kujtim Cakrani është i mendimit se në Shqipëri nuk ka mungesë legjislacioni, por mungon vullneti nga ana e organeve ligjzbatuese për të zbatuar ligjin. Në një prononcim për Faktoje.al, Av. Cakrani thotë se qytetarët vazhdojnë të denoncojnë raste të korrupsionit të funksionarëve publikë me emra dhe mbiemra, por nuk u merren parasysh nga organet ligjzbatuese. “Arsyet janë nga më të shumtat, janë arsye se prokurorët korruptohen, kanë lidhje dhe njohje me personat, por nuk duhet të harrojmë se, shumë nga funksionarët publikw që denoncohen janë edhe të pushtetshëm, dhe kjo e bën akoma më të rëndë situatën. Në Shqipëri nuk ka qenë dhe nuk është ligji që nuk është efektiv, por janë personat e ngarkuar me detyrën e hetimit ata që nuk zbatojnë ligjin”.

I pyetur se cilët mund të jenë mekanizmat e tjerë që mund të nxisin denoncimin e korrupsionit në çdo nivel, avokat Cakrani thekson:

“Kemi pa fund raste të denoncimit të korrupsionit apo shpërdorimit të detyrës nga ana e drejtuesve të institucioneve edhe nga KLSh, dosje të cilat ose janë pushuar nga prokurorët ose janë pa hetuar. Pse nuk funksionon apo nuk hetohen me përparësi këto dosje? Prokurorët janë përpara vettingut, dhe aktualisht prokuroritë e rretheve, por edhe SPAK punojnë me kapacitete të reduktuara dhe numri i çështjeve për një prokuror kap qindra dosje. Kjo e bën të pamundur një hetim të shpejtë dhe eficent. Gjithashtu, veprat penale si korrupsioni ashtu edhe shpërdorimi i detyrës kanë afate procedurale që nënkupton se edhe parashkrimin e tyre”, nënvizon Cakrani.

Flutura Kusari: Të amendohet ligji në përputhje me direktivën e BE-së për mbrojtjen e sinjalizuesve

Këshilltarja në Qendrën Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, Flutura Kusari, thekson për Faktoje.al se ligji “Për mbrojtjen e sinjalizuesve” në Shqipëri është një prej ligjeve që ofrojnë më së paku mbrojtje për sinjalizuesit në Ballkan.

“Kjo është vërtetuar dhe nga një studim i RAI i cili konfirmon se ky ligj është jashtëzakonisht i dobët për disa arsye, sidomos për shkak se nuk lejon që raportimi të bëhet nga media. Dhe sipas ligjit, një person është i mbrojtur vetëm nëse raporton brenda institucionit dhe jo në publik, përmes mediave. Gjë që është në kundërshtim me direktivën për Mbrojtjen e Sinjalizuesve të Bashkimit Europian”, shpjegon ajo.

Sipas saj, arsyeja pse në Shqipëri dështon mbrojtja e sinjalizuesve është se nuk ka as kulturë të njohjes së kontributit të sinjalizuesve si një prej kategorive të njerëzve që ndihmojnë shumë në raportimin e korrupsionit. Shkaku i dytë sipas saj ështe se qeveria, njerëzit në pushtet nuk janë të interesuar që të mbrojnë këta njerëz.

Ekspertja Kusari propozon që ligji të amendohet dhe të jetë në përputhje me direktivën e BE-së për mbrojtjen e sinjalizuesve dhe të krijohen mekanizma efikasw për mbrojtjen e tyre, në mënyrë që ata të inkurajohen, të ndajnë informacionet brenda institucioneve, por dhe me publikun.  “Për këtë gjë kërkohet vullnet politik. Unë nuk shoh që ka vullnet politik për të bërë një ndryshim të tillë, dhe e vetmja rrugë që mbetet për të fuqizuar sinjalizuesit është që të përdoret presioni ndërkombëtar. Më saktësisht procesi i anëtarësimit në BE si metodë për të bërë presion te autoritetet vendase që të mbrojnë sinjalizuesit”, thekson Kusari.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img