BallinaFaktometerE vërtetëMjekët e spitaleve publike preferojnë Gjermaninë, në Shqipëri lulëzon kirurgjia plastike

Mjekët e spitaleve publike preferojnë Gjermaninë, në Shqipëri lulëzon kirurgjia plastike

ANXHELA RUÇI

800 mjekë janë larguar nga Shqipëria vitet e fundit sipas kreut të Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani. “Urdhri i Mjekut” nuk ka një shifër zyrtare të mjekëve të larguar por disponon të dhëna mbi mjekët e huaj që vijnë të punojnë në Shqipëri. Dy vitet e fundit janë regjistruar 85 mjekë të huaj, një pjesë e madhe e të cilëve janë kirurgë plastikë të punësuar në spitale private.

…………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………..

E ftuar në Report Tv, zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli pranoi se ka largim të mjekëve, por kjo s’duhet të jetë shqetësuese sipas saj. “Ka dhe mjekë që vijnë, përshembull vetëm vitin e fundit janë licensuar 88 mjekë të huaj që vijnë në Shqipëri për të punuar”-tha Rakacolli.

“Faktoje” u interesua pranë “Urdhrit të Mjekut” për të mësuar më shumë rreth mjekëve të huaj që janë licensuar prej vitit të kaluar deri më sot. Në përgjigjen zyrtare të këtij institucioni, thuhet se në vitin 2018 janë licensuar gjithsej 57 mjekë, ndërsa në vitin 2019 janë licensuar 28 mjekë. Në total numri i të licensuarve për këtë periudhë është 85, përafërsisht aq sa deklaron zëvendësministrja e Shëndetësisë Rakacolli.

Të dhëna të vendosur në dispozicion nga “Urdhri i Mjekut”

Por në përgjigjen e “Urdhrit të Mjekut” konstatuam disa tregues domethënës.

Së pari nga 85 mjekët e huaj të licensuar në Shqipëri, ku kryesojnë ata italianë dhe grekë, vetëm gjysma e tyre kanë deklaruar vendin ku punojnë.

Së dyti,mes 42 mjekëve që kanë deklaruar spitalin ose klinikën ku ushtrojnë aktivitetin, vetëm 3 janë në spital publik, saktësisht në Spitalin Rajonal të Vlorës, ndërsa 50 të tjerët janë të punësuar në privat.

Së treti, por jo më pak e rëndësishmja, bazuar në këto të dhëna “Faktoje” konstatoi  një numër të madh të të mjekëve të huaj me specialitetit kirurgji plastike. Bazuar në përgjigjen e “Urdhrit të Mjekëve” rezulton se një klinikë private në Tiranë, e dedikuar për ndërhyrje të kirurgjisë plastike, ka dyfishuar në 2019-n mjekët e këtij specialiteti, nga 4 që kishte në 2018-ën në 8 mjekë në 2019-ën, çka tregon për një ‘lulëzim të këtij tregu’ në Shqipëri.

Duke iu rikthyer fenomenit të largimit të mjekëve nga Shqipëria,  “Faktoje” i kërkoi “Urdhrit të mjekëve”  sesa është numri i të larguarve këto 5 vitet e fundit dhe cilit specialitet i përkasin. Fillimisht ky institucion u përgjigj se nuk kishte të dhëna mbi këtë çështje, për shkak të një defekti në server.

Ndërsa në një përgjigje të dytë, tha se ishte e pamundur bëhej një llogaritje pasi mjekët që largohen nuk e bëjnë shkëputjen nga “Urdhri i Mjekëve” dhe për pasojë rezultojnë aktivë si në Shqipëri edhe në shtetin ku punësohen.

Në mungesë të shifrave zyrtare nga “Urdhri i Mjekëve”, morëm si referencë së pari shqetësimin e një mjeku, që është pjesë e sistemit shëndetësor në Shqipëri.

Profesor Doktor Agim Dogjani Presidenti i Shoqatës Kombëtare të Traumës,  ka shprehur shqetësimin për largimin e mjekëve dhe ka kërkuar reagim të shtetit për situatën alarmante.

“ Ne kemi në disa specialitete mungesë të kuadrit mjekësor. Po ju them vetëm një specialitet, në repartin e anestezi-renaimacionit ne kemi mungesë në mbi 5 reanimator. Kjo është me të vërtetë e dhimbshme, unë lektroj dhe në Universitetin e Mjekësisë dhe një pjesë e studentëve të mi kanë emigruar dhe këtë pasojë nuk do ta shohim për sot, por ndër vite. Qeveria duhet të shpallë atë që quhet gjendja SOS.  Të gjejë mjetet dhe rrugët që t’i mbajë këta kontigjentë, është truri i kombit. Mbajeni mend, pas disa vitesh nuk do të kemi ku të vizitohemi.”-ka thënë profesor Dogjani.

Mjekja kirurge Marsela Ceno, e cila jeton dhe punon në Gjermani ka krijuar shoqatën e mjekëve shqiptarë në Gjermani. Në një intervistë për Top-channel ndër të tjera Ceno flet për një numër profesionistësh të larguar vetëm drejt Gjermanisë që përbën thuasjë 10-fishin  mjekëve të huaj që janë licensuar që prej 2018-s në Shqipëri.

“Duke iu referuar shifrave zyrtare të dhomës kryesore të mjekëve në Gjermani që është në Berlin, llogarisim një numër prej 800 mjekësh që janë në Gjermani.”-thotë Marsela Ceno.

Pakësimi i mjekëve kirurgë, por edhe specialistëve të tjerë, është një lajm i keq për shëndetësinë shqiptare, sidomos po t’u referohesh të dhënave zyrtare të ISHP-së. Ky institucion deklaron se në vitin 2018, numri i vizitave gjithsej në shërbimin parësor shënoi një rritje prej 3,5 % krahasuar me 2017-n. Ndërkohë që ndërhyrjet kirurgjikale në spitalet publike gjatë vitit 2018  shënuan një rritje prej 13,0 %, krahasuar me vitin 2017.

 

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img