Në prill kryeministri Rama tha se me gjasë turizmi këtë vit në Shqipëri do të jetë kryesisht i brendshëm.
“Gjëja që duket më e mundshme, gjithmonë nëse do të ketë turizëm, është se ky do të jetë një sezon atipik: turizmi do të jetë i brendshëm”.
Megjithatë ministri Klosi ka thënë më vonë se në fund të majit do të fillojnë të vijnë charterat e parë me turistë të organizuar.
Faktoje pyeti ekspertë dhe operatorë të turizmit nëse turizmi i brendshëm mund të mbajë gjallë këtë sektor.
Turistë të brendshëm, të rajonit dhe ata që pushojnë jashtë
Në Shqipëri qarkullon cdo vit turizmi i brendshëm, pra shtetas shqiptarë që zgjedhin Shqipërinë për pushime.
Destinacionet më të preferuara për udhëtime sipas INSTAT për qëllime personale apo biznesi në Shqipëri, për vitin 2017, janë qarqet: Tiranë (rreth 28 %), Vlorë (rreth 13 %), Durrës (rreth 11 %) dhe Korçë (rreth 11 %).
Përqëndrimi më i lartë i udhëtimeve (personale dhe biznes), për vitin 2017, në Shqipëri sipas muajit të nisjes janë regjistruar në muajt: Gusht (rreth 14 %), Korrik (rreth 9 %), Qershor (rreth 10 %) dhe Mars (rreth 13 %).
Numri i shtetasve të huaj që hynë në vendin tonë gjatë vitit 2019 është 6.406.038, duke u rritur me 8,1 %, në krahasim me vitin 2018.
Sipas shifrave të INSTAT për vitin 2019, mbi 2,2 milionë shtetas kanë ardhur nga Kosova, 705 mijë nga Maqedonia e Veriut, afro 600 mijë nga Greqia dhe 360 mijë nga Mali i Zi.
Pra, turistët që vijnë nga rajoni kanë një rol shumë të rëndësishëm sa i përket turizmit për Shqipërinë. Shumica e tyre janë shqiptarë pasi vijnë nga vise shqipfolëse dhe emigrantë, duke kontribuar kështu në turizmin patriotik.
Megjithatë ka edhe shumë shqiptarë që çdo vit shkojnë për pushime jashtë Shqipërisë.
Shpenzimet e shtetsave shqiptarë rezidentë jashtë vendit për vitin 2018 kanë qenë 181 miliardë lekë. Shtetasit shqiptarë rezidentë, referuar të dhënave të vitit 2018, kanë kaluar mesatarisht 7,5 netë qëndrimi jashtë vendit, duke shpenzuar mesatarisht 47 Euro në ditë. Vendi i preferuar i shqiptarëve për pushime jashtë është Greqia por mbrapa nuk mbetet as Turqia.
Mbetet për t’u parë sjellja e këtij grupi se sa përqind e tij do të zgjedhë të bëjë pushimet në Shqipëri dhe jo në vendet e rajonit sic kanë bërë tradicionalisht vitet e fundit.
Çfarë mendojnë ekspertët dhe operatorët e turizmit
Eksperti dhe operatori i turizmit Besnik Vathi mendon se turizmi vendas, por edhe ai i rajonit është e pamundur të mbajë gjallë sektorin.
“Kapacitetet janë shumë shumë të mëdha, nuk mund të kuptohet me kërkesën që ka turizmi i brendshëm. Turistët shqiptarë që shkojnë jashtë nuk mund të rrinë në Shqipëri, nuk e zëvëndësojnë hotelin e Turqisë me një hotel në Durrës bie fjala. Kur ekzistonte turizmi i brendshëm në fillim, strukturat akomoduese nuk kishin më shumë se 45 ditë shfrytëzim. Minimumi që të ketë fitim në turizëm duhet që sezoni të jetë 90 ditë”, tha Vathi.
Kur turizmi kushtëzohet edhe nga kufizimet e imponuara nga një situatë si kjo e pandemisë, mbijetesa e tij bëhet edhe më e vështirë.
“Turizëm me masa shtrënguese nuk ka. Është e pamundur që turizmi i brendshëm të mbulojë sektorin. Logjika që nuk rriten çmimet nuk është ekonomike. Kostot po rriten. Turizmi do të varet nga masat shtrënguese”, shtoi ai.
Ekspertja e turizmit Brunilda Liçaj thotë se turizmi vendas mund të funksionojë, por gjendja ekonomike e shqiptarëve pas karantinës do të jetë jo shumë e favorshme për pushime.
“Turizmi vendas mund të funksionojë, por duhet të mbahet parasysh që mundësitë financiare të shqiptarëve, ku një pjesë kanë humbur punën janë të pakta. Remitancat kanë rënë, por dhe sjellja turistike e konsumatorëve shqiptarë do ndryshojë”, tha Liçaj për Faktoje.
Liçaj thekson një aspekt pozitiv në këtë situatë të vështirë, fenomenin e uljes së çmimeve të akomodimit i cili sipas saj do të ndihmojë në marrjen e vendimeve për të bërë pushime.
LEXO EDHE:
Hotelet në Gjirokastër, gati të përshtaten me ‘realitetin e ri’ për të mbijetuar
“Paketa e zgjeruar”, bizneset e mëdha dhe ato turistike në përpjekje për të mos falimentuar