BallinaAktualitetCovid-19 “shkund” transportin ndërqytetas dhe xhepat e qytetarëve

Covid-19 “shkund” transportin ndërqytetas dhe xhepat e qytetarëve

ANXHELA RUÇI

Transporti i autobusëve ndërqytetas është ndër të paktat aktivitete që ende nuk ka një datë për rinisjen e aktivitetit. Paralizimi i tij po thellon çdo ditë humbjen ekonomike dhe varfërimin e 5000 punonjësve, raporton shoqata më e madhe e këtij transporti. Ajo paralajmëron rritjen me 30% të biletës së autobusit, në rast se nuk përmbushen kushtet për të cilat ka vënë në dijeni qeverinë.

—————————————————————————————————————————————–

Koronavirusi ka ndryshuar rrënjësisht rutinën e jetës së përditshme, ku ndër më kryesoret, kufizoi lëvizjen e njerëzve. Prej 12 marsit në Shqipëri, u njoftua mbyllja e transportit publik, pa afat. Për këtë sektor ende nuk ka një urdhër se kur do të rinisë aktiviteti, ndërsa çdo ditë që kalo rriten pasojat ekonomike.

Më herët “Faktoje” ka publikuar një artikull për vështirësitë që hasin kompanitë e transportit publik në Tiranë, pas pezullimit të lëvizjes. Por ky problem është edhe më i gjerë, pasi edhe në transportin publik ndërqyteas, i cili në një ditë normale qarkullon rreth 150 mijë udhëtarë, shton çdo ditë zerot e kostove.

“Faktoje” kontaktoi me përfaqësuesin e shoqatës së Transportit Ndërqytetas dhe Rrethqytetas të Udhëtarëve, Eneo Sulejmanaj, për vështirësitë që po hasin si pasojë e kufizimit. Kjo shoqatë e cila ka rreth 400 anëtarë të shoqërive të transportit nga jugu në veri, llogarit një dëm ekonomik rreth 18 milionë euro në këto muaj që transporti është ndërprerë. Në këto humbje llogaritet, pagesa e kredive, amortizimi i mjeteve, pagesat e taksave dhe fitimi nga ky aktivitet.

Por kjo nuk është e gjitha, pasi rreth 5000 të punësuar apo të vetëpunësuar kanë mbetur të papunë dhe sipas shoqatës, vetëm 10% e tyre kanë përfituar nga paketat ekonomike të qeverisë.

Për shkak të kostove të larta që transporti ndërqytetas ka grumbulluar  nga mbyllja e aktivitetit dhe masave të reja mbrojtëse që do të duhet të marrë pas hapjes së këtij shërbimi, shoqëritë paralajmëojnë se mund të rrisin biletën me 30%.

Pra nëse një pasagjer paguante 1000 leke për të ardhur nga Gjirokastra në Tiranë (ose anasjelltas), me aplikimin e rritjes së paralajmëruar bileta do kushtojë 1300 lekë.

Abuzimi me çmimin e biletave ka nisur që tani, kur lejohet lëvizja e taksive. Luli i cili për arsye pune ka udhëtuar nga Laçi në Tiranë, ka paguar 2000 lekë vajtje-ardhje nga qyteti në qytet, ndërkohë që në ditët normale udhëtimi kushtonte 400 lekë.

Së fundmi “Faktoje” është interesuar për një ushëtim me taksi nga Sarnda në Tiranë, i cili varion nga 15 mijë-20 mijë lekë.

Pak ditë më parë, shoqata e Transportit ndërytetas ka dërguar një kërkesë me gjashtë pika, në 3 institucione, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor(DPSHTRR).

Kërkesa që Shoqata e transportit Ndërqytetas dhe Rrethqytetas ka dërguar në institucione

Një nga kërkesat e shoqatës, mund të quhet e përmbushur sipas asaj që kryeministri Rama lajmëroi përmes postimit në Facebook se DPSHTRR do të mbulojë taksën vjetore për të gjithë vitin, duke lehtësuar kështu nga pagesa më shumë se 7 mijë mjete të transportit publik.

Postimi i kryeministrit Edi Rama, 5 maj 2020

Falja e taksës vjetore nga DPSHTRR, mund të variojë nga shuma 5 mijë lekë deri në 50 mijë lekë, në varësi të llojit të automjeteve të transportit.

mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve, kryeministri foli për hapjen e 90% të bisneseve deri më 18 maj, ndërsa për trasportin publik sipas tij nuk ka ende një vendim dhe po punohet për gjetjen e një zgjidhjeje.

Anëtarët e shoqërisë së transportit ndërqyetas planifikojnë një protestë pranë sheshit “Skënderbej”, për kërkesat e tyre, nëse do t’u lejohet nga policia në këtë kohë pandemie. Nga ana tjetër, rritja e mundshme e çmimit të biletës është një lajm i keq për të gjithë ata persona që u duhet të përdorin këtë transportin ndërqytetas në një kohë kur përballen edhe vetë me pakësim të ardhurash për shkak të pandemisë së Covid-19.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img