BallinaFaktometerPa kategori98% e shqiptarëve kanë celular, po internet?

98% e shqiptarëve kanë celular, po internet?

Mësimi online në Shqipëri ka hapur një debat mbi shkallën e shpërndarjes së internetit dhe aparateve celulare në vend në mënyrë që mësuesit të mbajnë komunikim me nxënësit. Ministrja e Arsimit Shahini tha më herët këtë muaj se mbi 97% e familjeve shqiptare kanë një telefon. Megjithatë shkalla e qasjes në internet në Shqipëri është më e ulët.

—————————————————————————————————————————————–

“98% e familjeve shqiptare kanë televizor në Shqipëri. Këtë e dimë nga statistikat e marra ndër vite nga INSTAT. 97% e të gjitha familjeve shqiptare kanë një telefon celular kryesisht smart në shtëpi. Kjo është arsyeja pse po arrijnë të jenë në komunikim të drejtpërdrejtë mësuesit dhe nxënësit në një masë të madhe”, tha ministrja e Arsimit Besa Shahini në 8 prill në një adresim në profilin e saj zyrtar në Facebook.

Çfarë thonë të dhënat e INSTAT?

Në vitin 2019, 98,6 % e individëve të moshës 16 – 74 vjeç kanë përdorur aparat celularë / telefona smart
për të hyrë në internet. Ky tregues ka shënuar rritje prej 5,0 pikë përqindje krahasuar me vitin 2018.

Ndërkohë 23,7 % dhe 6,8 % e popullsisë në studim e përdorin internetin nëpërmjet laptopit dhe
tabletit. Tregues të cilët kanë pësuar rritje respektivisht 8,5 dhe 1,1 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2018.

Përqindja e individëve të moshës 16 – 74 vjeç që kryejnë thirrje/video thirrje (përmes Skype, Viber,
WhatsApp) gjatë tre muajve të fundit nga momenti i kryerjes së intervistës, në vitin 2019 është 92,3 %.

Megjithatë një tjetër e dhënë e INSTAT flet për qasje në internet jo në të njëjtin nivel sa përdorimi i telefonave.

Sipas INSTAT, përqindja e familjeve shqiptare që kanë qasje në internet ishte 82,2% për vitin 2019.

88,9% e famljeve sipas INSTAT kanë akses në internet nëpërmjet lidhjes “mobile broadband” ose telefona smart 3G/4G.

56,6% e familjeve shqiptare kanë qasje në internet me rrjet broadband (rrjet optik, kanllor, ADSL etj).

Pra jo të gjithë ata që kanë një aparat celular domosdoshmërisht kanë edhe internet dhe kësisoj një numër i caktuar fëmijësh nuk kanë arritur të mbajnë komunikimin virtual me mësuesit e tyre.

Sipas të dhënave, çmimi mesatar për 1 GB internet në Shqipëri është 3,22 dollarë.

“Faktoje” edhe më parë ka raportuar mbi problemet që ka procesi i mësimit online.

Më herët “Faktoje” publikoi një material video përmes të cilit shfaqte disa nga problemet që hasin nxënësit, siç është, mësimnxënia, aksesi në internet, interneti i pamjaftueshëm apo mospërputhja e teksteve shkollore me shpjegimin në Radio Televizionin Shqiptar.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img