BallinaFaktometerPa kategoriBE ende larg draftit për vendosjen e sanksioneve për korrupsion

BE ende larg draftit për vendosjen e sanksioneve për korrupsion

Lajmi i shpërndarë në media mbi përfshirjen e BE në politikën e sanksioneve të formës së shpalljes “non grata” bazohet në një dokument të vërtetë të BE-së, por kufizimi i ri i njoftuar ndaj ish-kryeministrit Berisha mbetet një interpretim.

Jona Plumbi

Mundësia e nisjes së praktikës së shpalljes non grata nga Bashkimi Europian, është përdorur nga mediat shqiptare për të krijuar tituj të ekzagjeruar. Kështu ka ndodhur me artikullin e publikuar nga lexo.al, i cili njofton gatishmërinë e Brukselit për të kaluar ligjin që do i lejojë unionit të shpallë non grata ish-kryeministrin Berisha.

Berisha drejt shpalljes ‘non grata’ nga BE? Dokumenti i plotë, Brukseli gati t’i bashkohet SHBA dhe Britanisë në sanksionet ndaj të korruptuarve”, njofton titulli i bujshëm i portalit.

“Faktoje” verifikoi se propozimi është bërë nga Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, por vetëm në retorikë, ndaj është ende herët për të folur për miratimin e këtij propozimi e më tepër pastaj për emra konkretë të ndëshkuarish.

Një kërkesë për informacion drejtuar Bashkimit Europian zbuloi për Faktoje se ky propozim është ende në fazë përgatitore dhe nuk është zyrtarizuar ende.

Vetë dokumenti i sjellë nga artikulli i portalit, shpjeguar se “ndërsa hartimi i legjislacionit të ri nuk ka nisur ende zyrtarisht, Këshilli po diskuton mbi përshtatshmërinë e përdorimit të sanksioneve të politikës së jashtme dhe sigurisë për të “goditur” korrupsionin.

Vendimmarrja për të vendosur sanksione në nivel unioni kërkon miratim unanim të vendeve anëtare, të përfaqësuara në Këshillat e politikës së jashtme dhe të sigurisë. Përpos kësaj, propozimi do duhet të vijë nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, që sot është Joseph Borell, jo nga presidentja e Komisionit Europian.

Por, ndërsa Bashkimi Europian është ende në procesin e konsultimit për mënyrën se si kjo politikë mund të përfshihet në kuadrin ligjor të unionit, i cili është shumë herë më i komplikuar se ai i një shteti federal të vetëm si Amerika, mediat shqiptare kanë filluar njoftimin e emrave që do të shpallen non grata, edhe pse kjo politikë nuk ekziston ende.

Nëse Bashkimi Europian do të miratojë vendosjen e non gratave, duket se ish-kryeministri Sali Berisha do të izolohet edhe më shumë, pasi mund ta presë sërish i njëjti fat.” – shkruan artikulli i lexo.al

Padiskutim që vendosja e sanksioneve nga shtete demokratike si Amerika apo Britania e Madhe, janë një tregues i rëndësishëm për drejtësinë dhe nisjen e hetimeve nga prokuroria. Fatkeqsisht kjo gjë ende nuk ka ndodhur në Shqipëri, as pas reformës së thellë në drejtësi, që pritej të “pastronte” politikën nga të korruptuarit.

Kujtojmë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë sanksionuar një numër jo të vogël zyrtarësh të lartë shqiptarë, por ky kualifikim nga SHBA nuk është shoqëruar kryesisht me hetime nga drejtësia shqiptare.

– 16 Prill 2018, Departamenti Amerikan i shtetit shpalli non grata ish deputetin Tom Doshi për përfshirje në korrupsion të lartë.

– Një muaj më vonë, SHBA-ja shpalli non grata edhe ish prokurorin e përgjithshëm Adriatik Llalla për të njëjtën arsye – përfshirje në korrupsion të lartë.

– Në Korrik 2019 Shtetet e Bashkuara shpallën non grata edhe kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako.

– Në Maj 2021 pjesë e kësaj liste u bë edhe ish-kryeministri Sali Berisha, menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare.

– Ylli Ndroqi dhe Aqif Rakipi ishin të rradhës. Këta të fundit u shpallën të sanksionuar nga departamenti i Thesarit Amerikan për përfshirje në afera me grupe të krimit të organizuar, korrupsion të lartë dhe gjobëvënie.

Kjo mungesë iniciative e drejtësisë shqiptare, ka lënë hapsirën e interpretimit të vendimit për shpallje non-grata nga publiku. Një pjesë e lexuesve e konsiderojnë shpalljen non grata nga Amerika si konfirmim të mjaftueshëm të të qënit fajtor. Pjesa tjetër, e konsideron atë si mjet influence që i shërben interesit të shtetit që e shpall sanksionin.

Por ndërsa lexuesit kanë të drejtën të krijojnë mendimin e tyre për ngjarjet, mediat kanë një mision të përcaktuar të ofrimit të informacionit të paanshëm.

Ajo që artikulli nuk shpjegon është se Bashkimi Europian në vitin 2020 miratoi një ligj për vendosjen e sanksioneve për të drejtat e njeriut të quajtur “Global humans Rights Sanctions Regime”. Ky ligj i lejon BE-së vendosjen e masave kufizuese ndaj personave përgjegjës për shkeljen dhe abuzimin me të drejtat e njeriut.

Ndryshe nga ligji në SHBA dhe Kanada, ligji i BE-së nuk përfshin korrupsionin si shkak për vendosjen e sanksioneve, pavarësisht thirrjeve për përfshirjen e tij nga Parlamenti Europian gjatë periudhës së draftimit të ligjit. Me nisjen e luftës në Ukrainë, përfshirja e korrupsionit si shkak për vendosjen e sanksioneve është rifutur në axhendën politike të unionit.

Deri më tani, BE-ja ka përdorur sanksione gjeografike për të synuar rastet e korrupsionit të madh. Në tre raste, BE-ja aplikoi sanksione kundër udhëheqësve dhe zyrtarëve të rangut të lartë nga regjimet autoritare, të cilat ishin rrëzuar nga kryengritjet popullore, me qëllim që të lehtësonte rikuperimin dhe kthimin e pasurive të vjedhura, përkatësisht në Egjipt, Tunizi dhe Ukrainë.

Regjimi i sanksioneve i miratuar nga BE në vitin 2021 në funksion të situatës në Liban synon gjithashtu sjellje të pahijshme financiare në lidhje me fondet publike që do të kualifikoheshin si korrupsion sipas normave ndërkombëtare, por ende nuk janë miratuar masa individuale.

fjalimin e saj të vitit 2022 për gjendjen e Bashkimit, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, propozoi që korrupsioni të përfshihej në regjimin global të sanksioneve të të drejtave të njeriut të BE-së. Këshilli ende nuk ka dalë me një qëndrim zyrtar.

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img