BallinaTë pambajturaKryeministri Rama: Deri në fund të javës do të miratohen 60442 paga lufte

Kryeministri Rama: Deri në fund të javës do të miratohen 60442 paga lufte

Më 6 prill, kryeministri njoftoi se brenda javës së kaluar do miratohej dhënia e pagës së luftës për 60,442 të vetëpunësuar në biznesin e vogël.  Ndihma për biznesin e vogël ishte parashikuar që më 19 mars, në paketën e parë të ndihmës, për të përballuar krizën për shkak të masave nga koronavirusit. A u zbatua ky afat?


19 mars, kryeministri Rama shpalli paketën ekonomike për “përballimin e luftës”, për shtresat më në nevojë, përfshirë këtu biznesin e vogël dhe të vetëpunësuarit në të.

Ashtu siç u detajua në fund të marsit nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, zonja Anila Denaj, pagën e luftës prej 26 mijë lekë do ta përfitonin 60,421 individë të punësuar dhe të vetëpunësuar në biznesin e vogël.

Aplikimi për pagën e luftës, filloi më 1 prill, fakt që u konfirmua edhe nga vetë kryeministri në faqen e tij në Facebook, ndërsa dy ditë më vonë në një bashkëbisedim online me qytetarët, zoti Rama u shpreh:

“Ditën e hënë miratohen 10 mijë aplikimet e para nga biznesi i vogël që hyjnë në kategorinë e atyre që do të marrin pagën e luftës. Dhe pas miratimit, fillon lëvrimi të martën. Dhe gjatë gjithë javës do të bëhen miratime dhe lëvrime, miratime dhe lëvrime.”

Të hënën e 6 prillit, kryeministri Rama në bashkëbisedim online me qytetarët, lajmëroi miratimin e 9500 pagave të para të luftës dhe vendosi afat fundin e javës për miratimin e të gjithë pagave për biznesin e vogël.

“Dua të vë theksin tek fakti që sot janë miratuar 9500 pagat e para të luftës për bizneset e vogla që hyjnë në atë kategori që kanë mbyllur aktivitetet dhe që nuk punojnë dot. Dhe deri në fund të javës do të miratohen dhe pastaj të gjitha do të kalojnë…”- tha ai duke informuar gjatë ditës me detaje të tjera mbi aplikimet.

Të dhënat e bëra publike në Facebook e kryeministrit Rama

Të enjten e 9 prillit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dha përditësimin e fundit mbi situatën e aplikimeve dhe pagave të miratuara të luftës në faqen e saj zyrtare. Në të bëhet me dije se nga 49,232 biznese që kanë aplikuar për 86,656 punonjës specifikisht, janë verifikuar aplikimet e 21,392 biznese me 35,789 punonjës. Nga këto aplikime të verifikuara, është miratuar ndihma financiare për 12,640 biznese, që korrespondojnë në 20,636 individë.

Më 13 prill, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, znj. Delina Ibrahimaj dha detaje të përditësuara në një intervistë për A2 ku tregoi mbi numrin e punonjësve që kishin përfituar.

“Ngelen pa verifikuar 15,248 biznese dhe 29,261 të punësuar. Nga këto biznese që ne kemi verifikuar, pjesa më e madhe, pra më shumë se gjysma është miratuar.”- tha ajo.

Të dhënat e treguara nga zonja Ibrahimaj gjatë intervistës

E pyetur gjatë të njëjtës intervistë mbi kur pritet përfundimi i këtij procesi, znj. Ibrahimaj është shprehur se shqyrtimi i të gjitha aplikimeve do të përfundojë brenda kësaj të premteje.

“E gjithë administrata tatimore është duke punuar intensivisht për verifikimin e të gjitha aplikimeve. Ne presim që brenda kësaj jave, pra brenda ditës së premte të kemi shqyrtuar të gjitha aplikimet të cilat kanë ardhur pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.”- konfirmoi zonja Ibrahimaj.

Pas shkeljes së afatit fillestar të dhënë nga kryeministri Rama se nuk do të vinte fundi i muajit mars pa pagesën e gjithkujt që ka mbyllur biznesin për shkak të luftës, shkelet edhe afati i dytë i dhënë prej tij sipas të cilit të gjitha pagat e luftës do të miratoheshin në përfundim të javës së kaluar. Sot, thuajse një javë nga skadimi i afatit të dytë, ky proces ende nuk ka përfunduar.

JOEL ÇELA

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img