BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingPanele diellore në stane? Fermerët të paqartë për nismën e Ministrisë së Bujqësisë

Panele diellore në stane? Fermerët të paqartë për nismën e Ministrisë së Bujqësisë

Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca shpalli vjet nismën për vënien e paneleve diellore në stane. Faktoje pyeti zyrtarisht Ministrinë e Bujqësisë, por ky institucion nuk ka ende një plan konkret për zbatimin e nismës. Nga ana tjetër, fermerët e konsiderojnë irnonike një nismë të tillë, në një kohë kur përballen me probleme bazike që ende nuk kanë gjetur zgjidhje.

“Të mbështesim stanet me infrastrukturën e nevojshme apo edhe me panele diellore që të lehtësojmë jetën e tyre dhe të mbështesim sa më shumë këto profesionistë në fushën e vet”- tha ministrja e Bujqësisë Frida Krifca më 9 nëntor gjatë raportimin në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese.

Në lidhje me këtë çështje, Faktoje iu drejtua fillimisht me një kërkesë për informacion Ministrisë së Bujqësisë, ku ndër të tjera e pyetëm se kur pritet të zbatohej kjo nismë?

Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Bujqësisë, 10 nëntor 2021

Zyrtarisht Ministria e Bujqësisë bën të ditur se është ngritur grupi i punës që do të ndjekë këtë procedurë gjatë vitit 2022 dhe priten propozimet nga ekspertët. Mirëpo, nuk tregohet asnjë plan konkret për zbatimin e nismës së propozuar nga ministrja Krifca.

“Në skemat e financimit përmes skemave kombëtare 2018, u parashikua mbështetje për përmirësimin e kushteve në stane për bagëtitë e imta (rikonstruksion dhe pajisje me panele fotovoltaike), në 80% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 200 000 (dyqind mijë) lekë. Lidhur me skemën financiare për vitin 2022 është ngritur grupi i punës, i cili do të bëjë propozimet konkrete”- thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Bujqësisë.

Faktoje i dërgoi një kërkesë për informacion edhe Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) për të mësuar nëse ka pasur më herët nisma për blerjen e paneleve diellore për të mbështetur sektorin e bujqësisë.

Kërkesa për informacion dërguar AZHBR, 10 nëntor 2021

AZHBR bën të ditur se ky institucion financon projekte nëpërmjet Programit IPARD II 2014-2020, duke shtuar se gjatë zbatimit të tij janë lançuar 3 thirrje, ku janë dorëzuar projekte edhe për investime për panelet diellore. Gjithashtu theksohet zyrtarisht se për sa i përket investimeve që përfshin panelet diellore janë nënshkruar 12 kontrata.

Ndër të tjera sqarohet se janë iniciativa vetjake për vënien e tyre qoftë në ferma apo biznese të ndryshme.

“Konkretisht përfshihen në Masën 1: “Investime në asete fizike në fermat bujqësore’. Masa 3: ‘Investime në aktive fizike për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe të peshkimit’. Masa 7: Diversifikimi i fermave dhe zhvillim i biznesit”- thuhet në përgjigjen e AZHBR-së.

“Realizimi i këtyre projekteve me panelet diellore të përfshira në masat e përmendura më sipër të Programit IPARD II 2014-2020, janë me bashkëfinancim, 75% të kontributit të përgjithshëm publik është shuma e kontributit financiar të siguruar nga Buxheti i Bashkimit Evropian dhe 25% të kontributit të përgjithshëm publik është shuma e kontributit financiar të siguruar nga Buxheti i Qeverisë së Shqipërisë. Gjithashtu theksojmë se për të arritur deri në procesin final të nënshkrimit të kontratës për investime që përfshijnë panelet diellore duhet të plotësohen një sërë kriteresh të përcaktuar qartë në Programin IPARD II dhe Udhëzuesin për Aplikantët, dokumente të publikuara në faqen zyrtare të AZHBR-së” – thekson AZHBR.

Përgjigjia e AZHBR, 18 nëntor 2021

Por, a ka pasur një plan-propozim nga Ministria e Bujqësisë në drejtim të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për vendosjen e paneleve diellore në stane?

Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Energjetikës dhe Infrastrukturës, 10 nëntor 2021

Në përgjigjen e ardhur për Faktoje, pas kërkesës për informacion, MIE nuk jep informacion nëse ka pasur propozime konkrete nga Ministria e Bujqësisë vënien e paneleve diellore në stane. MIE sqaron nga ana tjetër se për vendosjen e paneleve diellore mund të aplikojë çdo individ që zhvillon veprimtari tregtare për marrjen e një miratimi për ndërtimin e burimeve të reja gjeneruese të energjisë elektrike, që nuk janë subjekt koncensioni.

“Për ndërtimin e impianteve fotovoltaike për vetëprodhim, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë me anë të Urdhërit nr. 3 datë 20.06.2018 ka miratuar procedurat e lehtësuara të autorizimit për lidhjen në sistemin e shpërndarjes të projekteve të vogla të rinovueshme për vetëprodhimin e energjisë elektrike.

Çdo subjekt ose individ i interesuar për ndërtimin e impianteve gjeneruese të energjisë elektrike fotovoltaike, duhet t’i referohet specifikimeve ligjore”- thuhet ndër të tjera në përgjigjen e MIE.

Në lidhje me këtë çështje ne pyetëm edhe palët që preken direkt nga nisma e shpallur nga ministrja e Bujqësisë dhe dobitë që do të kishin panelet diellore në stane. Fermeri Robert Selimi nga fshati Seman Sektor në Fier, i cili ka 350 dele, u shpreh se nuk ka asnjë informacion se çfarë dobie mund të kenë këto panele në stanin e tij. Ai thekson se primare për ta është sigurimi i tokës dhe i ushqimit për bagëtitë.

Fermeri Robert Selimaj në stanin e tij në fshatin Seman Sektor në Fier, 21 shkurt 2022

Stan në fshatin Seman Sektor në Fier, 21 shkurt 2022

“Dimër-behar këtu rrinë delet në këtë stan, kam 350 dele. Unë nuk ia kam idenë njëherë për çfarë duhen panelet në stane, nuk kam asnjë informacion. Ne kërkojmë gjërat bazë, tokë ku t’i kullosim dhe ushqimin. Për mua e rëndësishme është që të hajë delja dhe të më japë prodhimin që më duhet. Paneli për çfarë mund të më shërbejë? Për ndriçim më duhet, për çfarë mund të më duhet tjetër?! Apo do u lexoj gazetën unë deleve!”- ironizon fermeri.

Lexo edhe: Ministria e Bujqësisë e pranon: Akademia e Barinjve është një cikël trajnimesh

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img