Mes katër rrugëve!

5 vite më pas, çfarë pret Bashkia e Durrësit?!

Tërmeti i vitit 2019 ka lënë gjurmë të thella në Durrës. Edhe pse po mbushen 5 vite, nga dita ku dhjetëra persona ndërruan jetë e mijëra familje humbën banesat e tyre, në Durrës gjendja për shumë banorë është në kufijtë e mbijetesës. Mbi 2500 familje në qytetin e Durrësit nuk kanë një banesë dhe nuk e marrin as bonusin e qerasë.   
Në rubrikën “Përmes Fotografive“,  fotografi Atdhe Mulla dhe gazetarja Ilda Hoxha, sjellin dëshmitë e njerëzve që nuk kanë një strehë të sigurt dhe po përballen me urinë dhe sëmundjen. 
Por edhe të atyre që po sfidojnë jetën duke u rikthyer në banesat e dëmtuara.
Atdhe Mulla dhe Ilda Hoxha

5 vite pa çati mbi kokë!
Shtëpi kur të vijnë zgjedhjet?!

Tërmeti i 26 nëntorit 2019 e la pa çati mbi krye Bashkim Gjikën, banor i lagjes numër 5 në qytetin e Durrësit. I moshuari endet dyerve të institucioneve në kërkim të një zgjidhjeje, por çdo përpjekje duket e kotë.

“Aktualisht jam me qira. Nuk e kam paguar prej 11 muajsh. Duhet me dhënë 200 mijë lekë në muaj, por nuk i kam dhënë asnjë kokërr leku, sepse nuk kam.

Unë pension nuk kam, invaliditetin ma kanë prerë, gruan e kam të operuar 3 herë nga kanceri, vajzën e kam në shkollë në klasë të nëntë”, shprehet Bashkimi.
Bashkimi tregon se ai nuk arrin të sigurojë paratë për ushqim për familjen.

“S’po e përballoj hiç jetesën, më kanë falur këto komshinjtë, edhe për ushqime këto më kanë falur, sepse e shohin gjendje. Kam trombozë në këmbë, më shohin duke më marrë ambulancë sa e sa herë, se unë jam dhe me dializë”, tregon ai.

“Nuk do bëhen dy javë dhe unë do dal nga këtu. Në rrugë, ku do shkoj. S’kam ku shkoj, s’kam çfarë bëj. Pa ndihmë, pa ekonomi, pa asgjë në botë. Ai i ka bërë shtëpitë në Spitallë dhe thotë t’i jap 3 muaj para votimeve. Votimet duan dhe një vit, unë s’kam me ngrënë sot, jo një vit”, tregon i shqetësuar Bashkimi.

Bashkimi thotë se ka dëgjuar që do e marrë shtëpinë në zonën e Spitallës, jo aty ku e kishte, por zyrtarisht nuk ka asnjë informacion.

Ruse Haruni: Pa bonus prej më shumë se një viti!
Po vuajmë për bukën e gojës...

Ruse Haruni, është 57 vjeçe.  Ajo na tregon se prej disa muajsh ajo dhe familja e saj nuk po jeton por po mbijeton.

“Banesa është në vendnumëro. E kanë cilësuar DS4. Na kanë nxjerr nga aty. Bonusin kanë  një vit e gjysmë që nuk po na e japin. Ne po heqim lekun e bukës dhe po paguajmë qiranë, sepse e kemi kokën jashtë”, thotë 57-vjeçarja.

“Kam shkuar në bashki, u kam kërkuar ndihmë për bonusin, por më kanë thënë që bonusi juaj po shkon si investim në pallatet e reja në Spitallë. Ta kisha ditur kështu, do kisha qëndruar te banesa e dëmtuar. Kur nuk ka shteti para, ne ku do i marrim?”
-mbyll rrëfimin e saj
57-vjeçarja.

 Tërmeti I 2019, ka lënë pasoja edhe në shëndet. Vitet e fundit kanë qenë të vështira e kanë lënë gjurmë mbi të moshuarën. “Jam me shumë diagnoza . Më duhen 200 mijë lëkë ilaçe në muaj. Do paguaj qiranë, do paguaj ujin, do paguaj dritat, do paguaj ashensorin, pagesa për pastrim e gjelbërim. Çfarë mund të përballoj me gjithë këto shpenzime?”- tregon e shqetësuar ajo.

Bashkia Durrës parashikon ndërhyrje në vitin 2025.
Banorët rikthehen në pallatet e dëmtuara

Edhe pse kanë kaluar 5 vite pas tërmeti , dhjetra banorë në Durrës jetojnë në pallatë ku shenjat e tërmetit duken qartë. Bashkia parashikon ndërhyrje në vitin 2025-2026, që qëllon të jetë edhe vit zgjedhjesh.

Edmond Shiroka është një prej banorëve që është rikthyer në banesën e dëmtuar, në pallatin 62 në lagjen 17 të qytetit bregdetar, i klasifikuar me shkallë dëmi DS4.

Dëmtimet e shkaktuara nga tërmeti vlerësohen me grupe sipas shkallës së dëmtimit nga DS0 deri në DS5. Ekspertët sqarojnë se DS0 nuk ka dëmtim dhe DS5 është shkalla më e rëndë.
“Pallati ka shkallë dëmi DS4. Në vitin 2021, banorët janë rikthyer gradualisht sapo shteti dha atë fondin prej 5 milionë lekësh (të vjetra) për rikonstruksionin e ambienteve të brendshme.
Banorët nisën punimet dhe kanë rregulluar të gjitha dëmet brenda apartamenteve. Por ndërsa ndërhyrja e banorëve ka qenë e shpejtë bashkia e Durrësit ka planifikuar që ky pallat të rikonstruktohet në 2025-2026.

“Shteti na la vetëm në këtë fatkeqësi të madhe”

Shefqet Haruni “ruan” rrënojat e banesës me shkallë dëmi DS4, në lagjen 13 të qytetit të Durrësit. Ai thotë se ka frikë mos e humb dhe atë shtëpi të shkatërruar që i ka mbetur.

“Ne me zor sajojmë bukën. Shkojmë në bashki e nuk na mbështet askush. Ne kemi dalë në mes të 4 rrugëve.
Shteti te ne ka falimentuar”, rrëfen ai.

“Kemi mbi 15 vjet që i kemi legalizuar kabinat e plazhit. Na u pre bonusi qirasë dhe kemi ardhur prapë këtu, errësirë, pa drita, pa gjë dhë rrijmë këtu tani se me çfarë do ta paguajmë qiranë? Kanë filluar edhe të vjedhin këto kabulla e gjëra që kanë ngel brenda”-shprehet ai.
Për Shefqetin jetesa është shumë  e vështirë, dhe shteti I ka lënë vetëm në këtë fatkeqësi të madhe

“Rindërtimi, si kalë beteje në fushatat zgjedhore”

Ervina Garo është një prej gazetareve në qytetin e Durrësit , e cila e ka ndjekur procesin e rindërtimit hap pas hap që prej 26 nëntorit të vitit 2019.

“26 nëntorin e 2019 e kam përjetuar si qytetare por edhe si gazetare. Kujtoj ende sot kërkimet për ata që mbeten nën rrënoja, midis të cilëve edhe Diena, ish nxënësja ime, së bashku me vogëlushen dhe nënën e saj”-kujton Ervina.

Gazetarja shprehet se drejtēsia nuk bëri drejtësi për zyrtarët publikë, të cilët minimalisht kishin shpërdoruar detyrën.
“Kur kemi hyrë në të pestin vit të fatkeqësisë natyrore, në Durrës gjen ende gjurmë të tërmetit. Si banore e Durrësit dhe si bashkëqytetare do të dëshiroja që rindërtimi mos të përdorej thjesht si kalë beteje në fushatat zgjedhore, por të përfundojë, që Durrësi, qyteti më i dëmtuar nga tërmeti, t’i rikthehet normalitetit”, thotë Ervina Garo, gazetare.