- Historik i shkurtër i “Faktoje”
- Si financohemi
- Depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri
- Kodi i etikës
- Metodologjia
- Si i kategorizojmë deklaratat
- Si i korrigjojmë gabimet tona
- Fakto edhe ti!
- Dokumentet e auditit 2019 & 2020, 2021 dhe 2022 dhe pasqyra financiare.
Historik i shkurtër i “Faktoje”
“Faktoje.al”, shërbimi parë fact-checking në Shqipëri nisi aktivitetin në vitin 2017. Themelimi i “Faktoje” u bë i mundur përmes fondit të granteve të USAID-it dhe nën kujdesin e Aleancës Gjinore për Zhvillim (GADC), me mbështetje nga Qendra Kombëtare e Studimeve Sociale (NCSS). Ekipi i “Faktoje” përbëhet nga redaktorë dhe gazetarë, që në fokus kanë verifikimin e deklaratave, premtimeve dhe veprimeve të zyrtarëve publikë si dhe institucionet më të rëndësishme të vendit. Prej korrikut 2019, “Faktoje” është regjistruar në gjykatë dhe funksionon si organizatë mediatike jo qeveritare, plotësisht e pavarur.
Faktoje është pjesë e International Fact-Checking Network (IFCN) që prej janarit të vitit 2020 si anëtare firmëtare dhe pjesë e Anti Disinformation Network në Ballkan prej datës 2 prill të vitit 2020.
Çfarë është “fact-checking”
“Fact-checking” ose verifikimi i fakteve është një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë. Qëllimi i fact-checking është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave të bëra në publik, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje të rëndësishme.
Si financohemi
Ne jemi transparentë në lidhje me burimet tona të financimit. Nëse pranojmë fonde nga organizata të tjera, sigurohemi që financuesit (donatorët) të mos kenë ndikim mbi përfundimet që arrijmë në raportet tona. Ne japim detaje mbi prejardhjen profesionale të të gjitha figurave kryesore në organizatën tonë dhe shpjegojmë strukturën tonë organozative dhe statusin ligjor. “Faktoje” për vitin 2022 financohet përmes projekteve: Programi MATRA nga Ministria e Punëve të jashtme e Mbretërisë së Vendeve të Ulta, IREX, NED dhe EU.
Depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri
“Faktoje” është një organizatë e cila nuk angazhohet në aktivitete politike. Përzgjedhja për “fact-check” e deklaratave dhe premtimeve të politikanëve, zyrtarëve publikë dhe subjekteve që përfitojnë nga fondet publike, bëhet në bazë të ndikimit që ato kanë në jetën e qytetarëve. Ne e bëjmë kontrollin e fakteve duke përdorur një mënyrë standarde duke zbatuar metodologjinë, e cila është publikuar në faqqen tonw zyrtare “Faktoje.al”, nënkategoria “Rreth nesh”. “Faktoje” përpiqet të jetë e balancuar dhe të verifikojë deklarata dhe premtime të përfaqësuesve nga i gjithë spektri politik (qeveria dhe nga opozita) dhe institucione të tjera publike. Ne ua lemë në dorë provave të diktojnë përfundimet tona.
Asnjë prej anëtarëve të ekipit tonë nuk është anëtarësuar në parti apo organizata politike. Që prej themelimit të saj dhe në vijim, “Faktoje” u ka vendosur si kusht personave që janë aktualisht të punësuar dhe atyre që do të jenë pjesë e saj, të mos angazhohen në veprimtari politike.
Metodologjia
Metodologjia e “Faktoje” udhëheq ekipin redaktues dhe gazetarët në përzgjedhjen e temave, kryerjen e kërkimeve, strukturimin e artikujve ose videove, vlerësimin e pretendimeve dhe më e rëndësishmja, dhënien e verdiktit bazuar mbi fakte.
- Procesi i përzgjedhjes
Procesi i përzgjedhjes nis me një seleksionim paraprak të deklaratave të politikanëve lidhur me çështje të rëndësishme dhe në interes të publikut (që mund të jenë fjalime në publik, fushata zgjedhore, deklarata për shtyp, deklarata gjatë emisioneve televizive, edicione lajmesh, debate, artikuj në gazeta, rrjete sociale etj). Tek politikanët përfshijmë aktorë të jetës politike, të zgjedhur ose jo në qeveri, kandidatët në nivel qendror apo lokal, nga i gjithë spektri politik dhe grupet e interesit.
Ne i bëjmë këto pyetje vetes para se të përzgjedhim deklaratën për “fact-check”:
1-A është deklarata e bazuar në fakte të verifikueshme? Puna jonë është të verifikojmë faktet dhe jo opinionet.
2-A të lë deklarata përshtypjen se është çorientuese ose mashtruese?
3-A është deklarata domethënëse? “Faktoje” i shmang “kleçkat” ose deklaratat që duken qartazi se janë lapsuse apo të paqëllimshme.
4-A ka të ngjarë që deklarata të përcillet apo përsëritet nga të tjerë?
5-A do pyeste dikush veten kur dëgjon deklaratën “e vërtetë është kjo?”
- Metodat kërkimore
- Pyesim personin që ka bërë deklaratën se mbi ç’fakte e bazon atë
Ka raste kur faktet mbi të cilat personi ka bërë deklaratën na shërbejnë si pikënisje. Pas kësaj kërkojmë për fakte të tjera që mund ta konfirmojnë ose rrëzojnë këtë pretendim (deklaratë). Gjithashtu është e drejtë themelore ta vësh në dijeni subjektin se je duke verifikuar deklaratat e tij. Kështu i jep mundësinë të tregojë pikëpamjet e veta. “Faktoje” nuk përzgjedh apo përdor për “fact-checking” burime “off the record” dhe publikon burimet të cilave u referohet.
- U drejtohemi zyrtarisht institucioneve shtetërore
“Faktoje” kontakton në mënyrë zyrtare institucionet shtetërore bazuar në ligjin nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit” për të dhëna që ndihmojnë në verifikimin e fakteve.
- Kërkojmë në mediat e tjera çfarë kanë gjetur mbi çështjen
Ne kërkojmë se çfarë kanë gjetur mediat e tjera para nesh dhe më pas verifikojmë faktet. Gjatë këtij procesi mund të dalin fakte apo prova të reja që na shtyjnë të kërkojmë më shumë për këtë çështje.
- Kërkojmë vazhdimisht në Google
Ndërsa verifikojmë deklaratat, kemi si sfidë edhe kërkimin në Google. Ka disa mënyra për kërkimin e të dhënave në Google dhe disa prej tyre kërkojnë pak më shumë kohë dhe aftësi.
- Verifikojmë në terren
Për shumë deklarata dhe premtime, verifikimi në terren është parësor dhe i pashmangshëm. Pavarësisht shifrave apo fakteve të shkruara që mund të gjejmë, ajo çfarë shohim me sytë tanë është shteruese për verifikimin.
- Kërkojmë mendimin e ekspertëve
Ekspertët mund të na tregojnë përgjigjet që nuk gjejmë dot për çështjen që po verifikojmë, ose na ndihmojnë t’i japim vetes dhe publikut një shpjegim shterues dhe të kuptueshëm të fakteve që kemi gjetur. Ekspertët mund të na shpëtojnë nga ‘kurthi’ i dhënies së verdikteve të gabuara për çështje specifike dhe të komplikuara.
Ne përpiqemi të zgjerojmë rrethin e ekspertëve me të cilët kontaktojmë për çështjet “fact-checking”.
- Çfarë ka mbetur tjetër?
Kur bëhet fjalë për “fact-checking”, pasi kemi kaluar 6 fazat e lartpërmendura, do të kemi më shumë informacion mbi temën që kemi verifikuar.
Në këtë pikë duhet të ndalojmë pak, të bëjmë një përmbledhje, dhe të pyesim veten: “Na ka mbetur gjë tjetër për të kërkuar?”, “Kë mund të pyesim tjetër?”, “Çfarë këndvështrimi tjetër duhet të marrim në konsideratë?”
Kategorizimi i deklaratave
“Faktoje” përdor 4 kategori për çdo deklaratë ose premtim:
- E VËRTETË – Deklarata është e saktë dhe nuk i munungon fakt domethënës.
- GJYSMË E VËRTETË – Deklarata është pjesërisht e vërtetë dhe i mungojnë detaje të rëndësishme që lidhen me kontekstin
- E PAVËRTETË – Deklarata nuk është e saktë.
- PA KATEGORI – Pas procesit të verifikimit, deklarata rezulton çorientuese për mungesë ose mospërputhje faktesh, ndaj nuk mund të arrihet në një verdikt.
Si i korrigjojmë gabimet tona
Të gjithë gabojnë! “Faktoje” përpiqet të korrigjojë gabimet në lajmet e publikuara, sa më shpejt të jetë e mundur dhe në transparencë të plotë.
Gabimet që mund të ndikojnë në dhënien e kategorizimit të gabuar për deklaratën që kemi verifikuar korrigjohen dhe njoftohen me një titull mbi lajm. Teksti i lajmit përditësohet me informacionin e ri, ndërkohë që versioni i vjetër arkivohet dhe mund të gjendet me link, i përfshirë në lajmin e korrigjuar.
Gabimet që nuk ndikojnë në kategorizimin e deklaratës korrigjohen dhe njoftohen me anë të një shënimi në fund të lajmit. Teksti i lajmit përditësohet dhe një kopje e variantit të vjetër arkivohet dhe përfshihet si link te lajmi i korrigjuar.
**Lajmet e korrigjuara gjenden tek nënkategoria “Ankesa dhe Korrigjime”
Gabimet drejtshkrimore, gramatikore ose lapsuset – Ne korrigjojmë gabimet drejtshkrimore, gramatikore ose lapsuset nëse ndodhin, menjëherë sapo i identifikojmë. Këto korrigjime nuk njoftohen, por kryhen direkt.
Përditësimet–Herë pas’here ne u shtojmë informacion të ri lajmeve “fact-check” të publikuara më herët, nëse ka përditësime. Këto të fundit nuk njoftohen si korrigjime, por publiku vihet në dijeni përmes ripostimit.
Fakto edhe ti!
Ju mund të dërgoni denoncimet, mesazhet dhe sugjerimet për “fact-check” në rubrikën “Fakto dhe ti”. Për denoncimet e dërguara “Faktoje” merr të mirëqenë se jeni dakord t’i publikojmë ato, përveç rasteve kur ju vetë kërkoni mospublikimin ose ruajtjen e anonimitetit.