BallinaPertej85% e diskutimeve politike karakterizohet nga gjuha e urrejtjes dhe denigrimi i rivalit politik

85% e diskutimeve politike karakterizohet nga gjuha e urrejtjes dhe denigrimi i rivalit politik

Debatet kryesore politike në parlament, zënë vetëm 10-15 % të fjalimeve të deputetëve. Me këtë gjetje studiuesit, shpjegojnë dëmin në opinionin publik dhe në vendimmarrje, që shkakton 85-90% tjetër i këtyre diskutimeve, që karakterizohet nga gjuha e urrejtjes, mungesa e etikës dhe denigrimi i rivalit politik. Një nga arsyet, sipas ekpertëve është mendësia e vjetër e elitave politike, që kundërshtarin politik e konsiderojnë armik dhe qëllimi politik është eliminimi personal i tij. Edhe personaliteti dhe standardi i ‘shumëfishtë‘ që shfaqin politikanët në sjelljen ndaj ‘të huajve‘ dhe në ‘shtëpi‘ ilustron mendësinë që buron nga kultura e së kaluarës.

Nevila Gjata

Në kulmin e fushatës parlamentare të zgjedhjeve 2021, kryeministri Edi Rama tërhoqi vëmendjen e audiencës me një krahasim kontrovers të kandidatëve të tij për deputetë me ata të PD-së.

Për rreth 40 minuta, (në atë prezantim), fotografitë e kandidatëve të opozitës u nxorën jashtë kontekstit, në një sfond të papërshtatshëm për kundërshtarët politikë deri në përçmim, përmes krahasimeve si:  deputetë me ‘faqore’, me ‘presh’,  apo etiketime të llojit ‘simitja’ e Xhaferrit (Ferdinand), ‘gërrneta’ e Mesilës (Doda), ‘barku parllak’ i Palokës (Edi), dikush tjetër foto me gjuhën jashtë, apo i zhveshur në plazh.

Në veçanti vëmendja u fokusua tek fotoja (e diskutueshme që u pa edhe si seksiste) ndaj ish-kandidates demokrate Grida Duma, figurën e së cilës Kryeministri e komentoi në një konotacion negativ, duke përdorur lojëra fjalësh mes emrit të saj dhe italishtes: “Gridare, Gridare, Gridare ooooo” 

Nuk pati reagim të kërkuar nga deputetet femra të PS-së (të pranishme online në prezantimin pompoz të Edi Ramës)  e aq më shumë nga ministret gra të qeverisë socialiste.

Folën gratë deputete të opozitës, edhe pse kundërpërgjigja politike prej tyre nuk dalloi nga skema e Ramës     

Ky nuk ishte rasti i parë, as edhe i fundit. 

Krahasimi së fundmi i ‘Foltores’ me ‘Gojore’ , përpjekja për ta ulur kundërshtarin (veçanërisht përmes fotosh), si ai ndaj kandidatit të PD-së për Tiranën, Belind Këlliçi, e çoi debatin deri në stigmatizim me bazë etnike me fjali si: ky është ‘rom’  etj. Të tjera raste nga forca politike në fjalë (që po risillen së fundmi) si përshembull:  ky është ‘grek’ apo tjetri ‘çam, por edhe gjuha e dendur denigruese ndaj kampit kundërshtar, veçanërisht atyre femra nga ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha, kanë treguar se gjuha e përdorur në politikë (nga liderët e të tjerët poshtë tyre në hierarki) i përngjan gjithnjë e më shumë intolerancës duke gjeneruar tek qytetarët të vetmin emocion me të cilin ata duhet të ushqehen; zemërimin

Shkrimtari i njohur George Orwell në faqet distopike të romanit “1984”, analizon se gjuha dhe manipulimi i saj kanë luajtur rol thelbësor në ndërtimin e realitetit. Sipas tij, kushdo që kontrollon gjuhën mund ta kontrollojë edhe historinë duke e treguar, manipuluar dhe rishkruar sipas dëshirës.

A ka vend ky postulat edhe në realitetin shqiptar?

“Niveli i ligjërimit politik ndërvaret nga niveli i elitave politike (elitat tona politike kanë formim të para viteve 90, kur kundërshtari politik shihej si armik dhe qëllimi politik ishte eliminimi personal i tij). Varet nga niveli i demokracisë (Shqipëria është vend hibrid dhe me natyrë të personalizuar të institucioneve dhe jetës politike) dhe nga kultura politike (konflikti, sulmi personal, gjuha e ashpër preferohet dhe është ushqim për militantët e median, pra politikanët nuk kanë presion nga jashtë tyre për të ndryshuar, përkundrazi pëlqehen dhe kanë ndjekës fanatikë për shkak të kësaj gjuhe që përdorin)

Për sa kohë politika bazohet në qëllimin e vetëm, fitorja e pushtetit, mbajtja e tij, dhe për sa kohë pushteti identifikohet me liderin, këta të fundit shohin kërcënim për pushtetin dhe mirëqenien personale tek çdo kritikë, çdo zë kundër…” – Afrim Krasniqi drejtor i Institutit të Studimeve Politike

Krasniqi vëren se, politikanët nuk janë ende të gatshëm të debatojnë. 

“Debati ndërvaret nga bilanci i punës dhe ata në përgjithësi nuk janë modele suksesi, ndaj edhe zgjedhin gjuhën denigruese dhe të personalizuar, konfliktin permanent dhe në bllok, sepse kështu i shmangen debatit dhe llogaridhënies”, thotë ai.

Në raportin “Kuvendi dhe deputetët: Roli kushtetues, bilanci dhe Kodi i Sjelljes”, Shtator – dhjetor 2022,  janar 2023, ISP  del në përfundimin se, sesionet parlamentare janë dominuar nga retorika e ashpër politike, ligjërimi denigrues dhe i personalizuar, bullizmi dhe devijimi i fjalimeve nga çështjet e rendit të ditës në sulme të personalizuara ose kolektive ndaj rivalëve politikë.

Kopertina e studimit të ISP

ISP vëren se drejtuesit më të rëndësishëm të dy palëve politike janë edhe bartësit kryesorë të kësaj retorike, një zhvillim edhe më negativ në krahasim me sesionet e mëhershme parlamentare.

Në një tjetër raport “Parlamenti që (s)duam: Bilanci parlamentar 2023. Gjetje dhe rekomandime”, përgatitur po nga ISP, tipar dallues i sesionit parlamentar ishte gjuha e ashpër dhe denigruese në ligjërimin parlamentar, incidentet e shumta dhe fizike, si dhe shifra rekord e penaliteteve të deputetëve, (63 në dy muaj), më e larta në të gjithë historinë e parlamentit prej vitit 1924.

“Dhuna verbale dhe denigruese u përdor kryesisht nga politikanët kryesorë, drejtues të opozitës dhe të mazhorancës, të cilët vijuan të jenë katalizatorët kryesorë të konfliktualitetit politik”, thuhet në raport.

Transkript i fjalimit të deputetit PD, Edi Paoka

“…Nuk jam i sigurt se kur, por, kur t’i vijë dita, edhe atij era sh… do t’i vijë, dhe ju që i shkoni pas, mendojeni fundin e tij dhe tuajin. Uroj që, para se t’i vijë fundi atij, t’ju ketë marrë me radhë të gjithëve ju…”, tha deputeti i PD-së Edi Paloka nga podiumi i Kuvendit këtë fillim sesioni (8 shkurt 2024), kur i drejtohej kryeministrit Edi Rama (në mungesë) duke e paralelizuar me shembjen e bustit të Enver Hoxhës

“Nëse heqim sharjet e deputetëve në fjalimet e tyre në debatet kryesore politike në parlament, rezulton se realisht ata bëjnë politikë dhe debatojnë për reforma vetëm në 10-15% të fjalimeve të tyre. Pjesa tjetër 85-90% është retorikë konsumi, propagandë, pa asnjë dobi politike dhe institucionale për vendin”, thotë Krasniqi

Ky fenomen ndodh edhe në rastet e debateve (jashtë Kuvendit) me karakter sa personal aq edhe politik, kur për qëllim devijimi të problemit apo në mungesë të një përgjigjeje të drejtpërdrejtë, kundërshtari (që pretendon se ka fakte) stigmatizohet, me synimin se ajo që mbetet në mendje është pikërisht e keqja,  ofendimi që buron nga padurimi për të gjetur ‘fajtorin’ dhe shkakun, por jo të vërtetën.

Psh., në një intervistë të fundit, kryeministri Edi Rama, (pa përmendur emrin por duke e lidhur me personin në fjalë), kur u pyet për akuzat ndaj vëllait të tij, Olsi, ai e devijoi debatin me një përgjigje stigmatizuese ndaj Gazment Bardhit:

“…Çfarë mund të pritet tjetër, nga një çingije që hidhet nga prehri në prehër dhe spërdridhet për t’i dhënë kënaqësi padronit të radhës dhe për të marrë nga padroni i radhës pastaj atë vlerësimin e çingijes më të preferuar…”

E njëjta tablo politike edhe nga opozita “E premtja është një ditë kur qytetarët kudo janë presin të përzënë për zverku hajdutin zvarranik nga bashkia, Erion Veliajn…”, ishte thirrja e Sali Berishës nga ballkoni ndërsa ndodhet në arrest shtëpie me vendim gjykate, i akuzuar për korrupsion pasiv.

Afrim Krasniqi e sheh fenomenin shumë më kompleks kur paralajmëron se përdorimi i një gjuhe të tillë mbart një rrezik edhe më të madh sesa përbaltja e ditës. 

Sipas tij, të dyja palët, në qeveri dhe opozitë e përdorin gjuhën radikale edhe në rastet për të shmangur mundësinë që ndonjë zë kritik moderator brenda partive të tyre të marrë peshë, ‘përmes idesh, reformash apo masash që cënojnë pushtetet e liderit dhe rrethit besnik të tij’.

“Për shembull sulmet e Nanos kundër Metës dhe anasjelltas apo të Ramës kundër Nanos dhe anasjelltas në PS, apo sulmet e Berishës kundër Bashës, Pollos apo Imamit dhe anasjelltas në PD janë jashtë çdo limiti etike dhe standardi komunikimi, por nga ana tjetër, kur të njëjtët persona i bashkohen liderit, retorika denigruese zëvendësohet me retorikë vlerësuese, miqësore, pozitive.

Nëse je kundër je armik, i keq, kriminel, i shitur, nëse je mik je i mirë, reformator, pozitiv, shtetar, – ky është koncepti që buron nga kultura komuniste në Shqipëri”, thotë ai. “Së fundi, – tërheq vëmendjen Krasniqi, – shikoni dallimin midis intervistave profesionale dhe etike që Rama bën në mediat ndërkombëtare dhe atyre plot sharje, etiketime, sulme dhe denigrime ndaj gazetarëve kur bën në mediat tona. E njëjtë edhe liderët e tjerë. Secili ka dy persona në një, një për të huajt (nevoja për të krijuar imazhin e liderit modern) dhe një për qytetarët e vet brenda (nevoja për të treguar forcë, pushtet, arrogancë, kontroll të territorit)”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img