BallinaPertejMinistria e Bujqësisë e pranon, Akademia e barinjve është një cikël trajnimesh

Ministria e Bujqësisë e pranon, Akademia e barinjve është një cikël trajnimesh

“Akademia e Barinjve”, nisma e prezantuar nga ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca krijoi debate dhe në disa raste u ironizua. Zyrtarja nuk dha detaje në lidhje me zbatimin e kësaj nisme, ndaj Faktoje kërkoi zyrtarisht nga Ministria e Bujqësisë të dhëna konkrete. Sipas ministrisë, akademia parashikon një cikël trajnimesh që do të përfshijë jo vetëm blegtorët, por edhe profesione të tjera. Nga ana tjetër, ekspertët sqarojnë se nuk janë barinjtë çështja emergjente, në një kohë që fermerët po përballen me probleme më serioze.

…………………………………………………………………..

“Barinjtë duan të bëjnë një profesion që është më i lehtë, sepse është e vështirë. Është një profesion që është i vështirë dhe duam ta ruajmë dhe do të nxisim të rinjtë, do shkojmë t’i gjejmë, do bëjmë një akademi për këtë dhe do t’i subvencionojmë vetëm për mbajtjen e tufës”- deklaroi ministrja Krifca më 6 nëntor në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese.

Por, si do të funksionojë akademia e barinjve?

Në lidhje me këtë çështje, ne i dërguam një kërkesë për informacion Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural më 8 nëntor, por përgjigjen e morëm vetëm një muaj më vonë, më datë 6 dhjetor, pas ankimimit që bëmë në adresë të Komisionerit Për Të Drejtën e Informimit.

Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Bujqësisë

Zyrtarisht Ministria e Bujqësisë sqaron se bëhet fjalë për një cikël trajnimesh që do të përfshijë jo vetëm blegtorët, por edhe profesione të tjera. Gjithashtu në përgjigje theksohet se MBZHR po konsultohet me aktorët ndërkombëtarë dhe grupet e interesit.

“Shkolla e barinjve është pjesë e një cikli trajnimesh të dedikuara për blegtorët, peshkatarët, fermerët dhe bletarët. MBZHR është aktualisht në fazë konsultimesh me aktorë rajonalë dhe ndërkombëtarë, shtetërorë dhe privatë, për të adoptuar formatin me impaktin më të ndjeshëm, sipas praktikave të njohura më të suksesshme (Spanjë, Francë).

Grupet e punës janë ngritur dhe përgjigjet për pikat 2, 3, dhe 4 janë në varësi të kohës së përfundimit të fazave të konsultimit dhe do të informoheni sapo të jenë gati”- thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Bujqësisë.

Faktoje kontaktoi disa ekspertë për të marrë një mendim në lidhje me efektshmërinë e kësaj akademie dhe cilat janë sfidat për zbatimin e një projekti të tillë në Shqipëri, por një pjesë e mirë e tyre nuk kishin informacion për këtë çështje.

Eksperti Ervin Resuli thotë për Faktoje:

“Në Shqipëri nuk ka mungesë barinjsh apo çobanësh. Fermerët sot po përballen me probleme më serioze si: formalizimi i tokës bujqësore, probleme me infrastrukturën e vaditjes dhe kullimit të tokave bujqësore, rritja e imputeve bujqësore, plehrave kimike dhe fara, rritja e drithrave për ushqyerjen e blegtorisë, mungesa e mbështetjes nga shteti me subvencione.”

Ai sugjeroi se përparësi për momentin nuk është akademia e barinjve, por të ofrohet mbështetje për fermerët, ashtu siç bëhet edhe në vendet e rajonit.

“Të shtohen fondet për mbështetjen direkte dhe të sistemohen certifikatat e pronësisë për tokën dhe të bëhen investime reale në vaditje-kullim”- u shpreh eksperti.

Ndërsa, ekspertja Safigje Sila u shpreh shkurt për Faktoje:

“Është shumë i vlefshëm si trajnim për blegtorët. Edhe në Europë janë shkollat e fermerëve, unë kam dëgjuar që shkonin kolegët tanë, këtu e 10 vite më parë në Holandë”.

Në lidhje me këtë çështje, përfaqësuesja e Shqipërisë për dosjen UNESCO, Esmeralda Laçi komentoi në studion e “Report Tv” deklaratën e ministres sa i përket Akademisë së Barinjve.

“Ne kemi adresuar në dosje statusin e bariut, dmth ato paguhen në të zezë e nuk ka një njohje ligjore. Sa i përket akademisë së barinjve që përmendi ministrja e Bujqësisë, ajo është një nga propozimet që ne kemi bërë ndoshta nga nxitimi, nuk u gjet fjala e duhur, por ideja ajo është, pra të krijohet një shkollë profesionale që mund të jetë 1-vjeçare, 2-vjeçare ose thjesht kurse trajnimi të cilat të përgatisin njerëz të bëjnë zanatin e bariut. Bëhet fjalë për shkolla profesionale”- sqaroi Laçi.

Deklarata e ministres së Bujqësisë, Frida Krifca mbi “Akademinë e Barinjve” ngjalli një sërë reagimesh dhe debate të forta në opninion publik.

Tri ditë pas deklaratës, më 9 nëntor, ministrja Krifca sqaroi termin e përdorur, duke theksuar se kjo është një praktikë që përdoret edhe në vende të zhvilluara si Zvicra.

“Ka pasur një keqkuptim me artikulimin e fjalës akademi. Nuk e kemi shpikur, e kemi parë në disa vende të botës, Zvicër e shumë të tjera. Ka një qasje të migrimit të profesionit, të atyre të vështira, po përpiqemi që të japim mbështetje për këtë profesion. Unë që në periudhën time si drejtoreshë, jam konsultuar. Është një program që do ta përforcojmë për ta ruajtur traditën, jo vetëm te barinjtë, por dhe të fermerëve të rinj”- tha Krifca.

Në mbështetje të ministres doli edhe kryeministri Edi Rama më 8 nëntor, duke treguar se çfarë ishte “Akademia e Barinjve”.

“Akademitë e barinjve, akademitë e peshkatarëve, e fermerëve janë të gjithë botën. Nuk janë ashtu siç e kuptoni ju, janë hapësira formimi që u ofrohen të gjitha kategorive të njerëzve që punojnë në sektorë të ndryshëm”- tha ndër të tjera Rama.

Nga një kontroll i Faktoje rezulton se Zvicra në disa kantone, ofron programe trajnuese (nga kërkimi nuk rezulton ndonjë akademi barinjsh) ashtu sikurse konfirmuan edhe ekspertët, ku përfshihen materiale teorike dhe praktika në terren.  

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img