Pretendimi: Romakët kishin dhëmbë më të shëndetshëm se ne sot

Verdikti: Gjysëm e vërtetë

Një artikull i publikuar gjithashtu në median e re sociale Threads njofton se romakët kishin dhëmbë më të shëndetshëm se njerëzit në ditët e sotme. Artikulli bazohet vetëm tek një video e publikuar në YouTube nga historiani Garrett Ryan para dy vitesh (2 shtator 2022). Kjo video, si artikulli, vazhdojnë të shpërndajnë mite që janë diskredituar nga historianët.

Artikulli pretendon se arkeologët kanë zbuluar se popullsia romake që jetonte në zonën rreth Vezuvit “kishte dhëmbë dhe mishra të shëndetshëm,” kryesisht si pasojë e mungesës së sheqerit në dietën e tyre të përditshme. Në fakt, sheqeri nuk u bë pjesë e kuzhinës për shumicën e familjeve deri në vitin 1500, me kolonizimin e kontinientit amerikan dhe skllavërisë, e cila rriti prodhimin e sheqerit dhe uli çmimin.

Ky pretendim mbi dhëmbët e romakëve të lashtë ka disa vite që qarkullon në rrjet, duke përfshirë në media prestigjoze si CNN dhe The Atlantic në 2015. Këto përfundime nuk janë të pabaza. Artikujt janë mbështetur në një studim serioz nga arkeologë italianë mbi mbetjet e ngurtësuara të banorëve në Pompei pas shpërthimit të vullkanit të Vezuvit në vitin 74 të erës tonë.

Megjithatë, studimi i mëtejshëm i skeleteve të nxjerra nga Pompei i ka hedhur poshtë pretendimet e para mbi dhëmbët e romakëve të lashtë. Në 2016, një skuadër historianësh dhe arkeologësh të Universitetit të Sidnej në Australi zbuluan se banorët e ngurtësuar të Pompeiut nuk kishin ‘dhëmbë perfektë’, siç është raportuar gjerësisht 2015-tën.

“Ne kemi gjetur prova dhëmbësh të prishur, sëmundje të mishrave të dhëmbëve dhe humbje të densitet kockor,” konfirmoi drejtuesja e studimit Estelle Lazer.

Studiuesit gjetën gjithashtu prova të shumta dëmi të shkaktuar nga konsumi i bukës së bërë nga mielli i bluar me gurë.

Kjo do të thotë se Romakët e Lashtë, edhe në mungesë të sheqerit, nuk mund të thuhet se kanë pasur dhëmbë më të shëndetshëm se njeriu modern.