Pretendimi: Ilir Meta planifikon eliminimin fizik të bashkëshortes së tij, Monikës!

Verdikti: Satirë

Në portalet shqiptare qarkullon ditët e fundit një artikull me titullin intrigues“Meta planifikon eliminimin fizik të Monikës!”. Titulli nuk përmban asnjë sqarim tjetër që të tregojë se nuk bëhet fjalë për një shaka, dhe jo një deklarate të vërtetë.

Ky artikull është kopjuar nga portali Dritare, i cili e ka publikuar në 20 prill si pjesë e rubrikës “Ora e Gallatës,” duke e etiketuar qartësisht se është satirë. Ndërkohë portale te tjera e kanë shpërndarë artikullin ne mediat sociale pa e bërë të qartë këtë fakt.

Satira është publikuar në kulmin e shpërthimit në publik të konfliktit midis çiftit Kryemadhi-Meta. Në javët e fundit ish-presidenti Meta e ka kritikuar publikisht bashkëshorten për drejtimin e Partisë së Lirisë duke kërkuar edhe përjashtimin e saj nga kryesia. Artikuj të shumtë kanë ngritur pikëpyetje për një divorc jo vetëm politik të çiftit të politikanëve, megjithatë marrëdhënia mes të dyve nuk ka arritur te përdorimi i kërcënimeve apo sulmeve fizike ashtu siç pretendohet në titullin e lajmit që ka ngjallur shumë interes tek lexuesit.

Ky artikull satirë është shkruar në formën e një dialogu me Metës dhe Sali Berishës ndërsa të dy diskutojnë mbi strategjitë politike dhe në fund personazhi Meta pyet Berishën nëse do t’i duhet të vrasë Monikën.

Që nga formati artikulli duket që është satirë. Megjithatë, në portalet e tjera është publikuar sikur të ishte artikull serioz. Opsionet automatike të portalit e lidhin këtë artikull me artikuj të tjerë mbi vrasjen e grave në vend, si titulli i mëposhtëm.

Gjithashtu, artikulli është publikuar nën rubrikën “Çmenduri,” por në asnjë hapsirë tjetër si në mediat sociale, dhe në artikullin vetë nuk është vënë në dukje që bëhet fjalë për satirë.