BallinaPertejIncineratori i Fierit, mes tejkalimit të afateve dhe “gllabërimit” të parave publike

Incineratori i Fierit, mes tejkalimit të afateve dhe “gllabërimit” të parave publike

Ndërtimi dhe vënia në funksion e impiantit të përpunimit të mbetjeve të Qarkut Fier duhet të kishte përfunduar në muajin shtator 2019, por projekti ende nuk është në funksion, ndërsa nga Buxheti i Shtetit paguhen miliona euro. Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama vijon të mbrojë projektin, duke e konsideruar një zgjidhje përfundimtare me efikasitet të lartë ekonomik. Ministria e Ekonomisë dhe Financave raporton se vlera e investimeve nga koncensionari është në raport të zhdrejtë me investimet e kryera ndërsa Qendra Kombëtare e Biznesit prej muajit gusht ka vendosur masën e “sekuestros konservative” mbi aksionet e “Integrated Technology Waste Treatment Fier”. KLSH, rreth dy vite më parë paralajmëroi se projekti mund të mos realizohej sipas parashikimeve.


Më 30 nëntor 2016, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë lidhi një kontratë koncesionare të formës BOT me subjektin “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k. Projekti kishte si qëllim financimin, projektimin, ndërtimin, vënien në punë, administrimin dhe mirëmbajtjen e impiantit të përpunimit të mbetjeve të Qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë. Sipas të dhënave të kontratës koncesionare, për projektin është parashikuar mbështetja buxhetore me vlerë prej 4.5 miliardë lekë. Pagesat buxhetore kanë filluar në 2017 dhe përfundojnë në vitin 2023.

Siç kemi raportuar gjatë muajit qershor 2020, pas kërkesave zyrtare për informacion dhe vëzhgimit në terren, u konstatua se incineratori ende nuk kishte përfunduar.

Ministria e Ekonomisë dhe Financave, më 24.12.2020, në Raportin Paraprak të Përmbledhur mbi Kontratat Koncesionare PPP, evidentoi: Autoriteti ka raportuar se janë realizuar 95% e punimeve civile. Problem mbetet instalimi i makinerive dhe pajisjeve elektromekanike si dhe lidhja me sistemin elektroenergjitik.

Sipas të dhënave nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, rreth 60 ton mbetje grumbullohen në Qarkun Fier çdo vit, ndërkohë që përpunimi i tyre i parashikuar në kontratën e lidhur me kompaninë nuk ishte kryer.

Për vitin 2019, sipas kontratës parashikohet që sasia e mbetje urbane të rikuperuara të jetë 64.800 ton/vit, ose 5.400 ton/muaj. Deri në fund të periudhës 9-mujore nuk ka patur raportim mbi realizimin e treguesit të performancës pasi impianti është ende në proces ndërtimi – thekson raporti i Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një raport auditi të datës 21.12.2018 paralajmëronte se shoqëria “Integreated Technology Service ShPK” nuk përmbushte kushtet për zhvillimin e projektit.

Integreated Technology Service ShPK” është pajisur me Licencë NZ. 6917/3, datë 31.03.2016, me drejtues ligjor Klodian Zoto me klasifikim licence A, veprim I cili bie në kundërshtim me VKM nr. 42, datë 16.01.2008 “Për miratimin e rregullores për miratimin dhe procedurat e dhënies së licencave profesionale të zbatimit, klasifikimit dhe disiplinimit të subjekteve juridike, që ushtrojnë veprimtari ndërtimi”, lidhja 4, pasi kategoria A i takon punimeve (0-20milion lekë), ndërkohë që kjo shoqëri duhet të kishte kategorinë F (401 – 800 milionë lekë), pasi vlera e kontratës është 28.000.000 euro pa tvsh. Në të tilla kushte ky Operator Ekonomik nuk e ka kapacitetin e nevojshëm për të kryer këtë investim. Menaxhimi aktual i mbetjeve urbane me Dampën ekzistuese, që nuk i respekton standardet mjedisore kombëtare nuk sjell asnjë përfitim ekonomik. Duke qenë se kostot sociale e mjedisore të kësaj alternative janë afërsisht minus 54 milion Euro do të thotë se renditet si alternativa e fundit dhe më e padëshiruar. Alternativa e Landfillit të thjeshtë, ndryshe nga dampa aktuale respekton normat dhe standardet mjedisore të vendit tonë – thuhej në raportin e KLSH-së.

Sikur të mos mjaftonin vonesat dhe kostot nga Buxheti i Shtetit, Qendra Kombëtare e Biznesit më 14 gusht 2020 vendosi masën e sekuestros konservative mbi aksionet e “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., për shak se kjo e fundit akumuloi detyrime në vlerën e 2.482.569,4 lekëve.

Më datë 14.08.2020, u urdhërua vendosja e masës së sekuestros konservative mbi kuotat/aksionet e debitorit subjekti “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., me Nuis (Nipt)- L62205045F, për shumën e detyrimeve 2.482.569,4 (dy milionë e katërqind e tetëdhjetë e dy mijë e peseqind e gjashtedhjetë e nentë presje katër) lekë”.

Sekuestro konservative ndaj Integrated Technology Waste Treatment Fier

Kryeministri Edi Rama, në një postim në Twitter më 14 tetor, duke replikuar me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se qeveria do të vazhdojë të shpenzojë para për incineratorët.

Por do ti s’do ti, doni ju s’doni ju, Shqipëria e Rilindjes Urbane dhe e fushave sanitare të përpunimit teknologjik të mbetjeve nuk do të ndalet, deri kur në asnjë cep të shtëpisë sonë të përbashkët të mos digjen e mos kalben plehra, sepse mesjeta juaj ka vdekur e s’kthehet më – shkroi Rama.

Kompania Integrated Technology Waste Treatment Fier Sh.p.k, përmes  drejtuesit të kantierit Ing. Endi Dine, në një intervistë për mediat, deklaroi se punimet përfundojnë në dhjetor.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img