.

.

BallinaTë pambajturaKur do hidhen themelet e pallateve në 10 bashkitë e goditura nga tërmeti i 26 nëntorit?

Kur do hidhen themelet e pallateve në 10 bashkitë e goditura nga tërmeti i 26 nëntorit?

Qeveria premtoi fillimin e ndërtimit të pallateve të reja në shumë nga bashkitë e dëmtuara nga tërmeti, brenda muajit shtator. Sot, kur ky afat ka skaduar dhe kanë kaluar thuajse 11 muaj nga tërmeti shkatërrimtar, rezulton se në asnjërën prej bashkive nuk janë hedhur themelet për banesat kolektive, madje në disa prej tyre ende nuk janë shembur ngrehinat e vjetra. Vetë qeveria ka pranuar dështimin në përmbushjen e këtij premtimi, duke vendosur si afat të ri për nisjen e punimeve për pallatet, muajin nëntor.


11 korrik, gjatë një takimi në Bashkinë Durrës, kryeministri Rama, ministri i shtetit për Rindërtimin Ahmetaj, dhe kryebashkiakja, Emiriana Sako, ndërsa jepnin përditësimin mbi shpërndarjen e granteve, bënë edhe një premtim.

“Në mes të shtatorit, në shumë bashki, duke përfshirë edhe bashkinë e Durrësit, do fillojë ndërtimi i njësive kolektive, pra pallateve” – u shpreh zoti Ahmetaj.

Faktoje bëri një verifikim për shumicën dërrmuese të bashkive ku planifikohet rindërtimi i pallateve.

Vorë dhe Marikaj

11 shtator, kryeministri Rama bashkë me ministrin Ahmetaj shkuan në Vorë për të inspektuar punimet në kantierin e rindërtimit.

Në shpjegimin e tij mbi ndërtimin e pallateve të reja, ministri Ahmetaj foli për Vorën dhe zonën e Marikajt, të cilët sipas shpjegimit të tij nuk kishin nisur gjatë shtatorit, duke dhënë një afat të ri.

“Jemi në fazën e punimeve të infrastrukturës për banesat kolektive. Në Vorë pra, në qytet kemi 404 apartamente që do ndërtohen në banesa kolektive, të cilat fillojnë në 10 ditëshin e parë të tetorit. Në Marikaj kemi edhe 100-102 apartamente të tjera që planifikohen po në fillim të teorit.” u shpreh ai.

Kurbin 

20 shtator, ministri Ahmetaj gjatë inspektimit në Laç, në të cilin do të zhvillohen dy zona të reja dhe punimet do të zbatohen plotësisht nga qeveria turke tha:

“I garantoj qytetarët e Laçit në emër të qeverisë dhe në emër të kryeministrit që në mars, një nga sajtet do të jetë gati, pra gjysma e apartamenteve do të jetë gati dhe ndërkohë pjesa tjetër që është sajti i dytë, po brenda të njëjtit projekt, do të jetë gati për 3-4 muaj pas përfundimit të hapit të parë.”

24 shtator, kryetarja e bashkisë, zonja Majlinda Cara, sqaroi se nuk kishin përfunduar ende fazën e gërmimeve për shkak të gjeologjisë së tokës.

“Shpresojmë që deri në datën 20 nëntor të ketë mbaruar e gjithë zona për përforcimin e tokës.” – tha kryetarja e Bashkisë Kurbin, duke dëshmuar se edhe kjo bashki nuk i kishte nisur punimt për pallatet në shtator, por parashikonin fundin e muajit nëntor si afat të ri, në rastin më të mirë.

Tiranë

25 shtator, gjatë një inspektimi në zonën e Dajit, kryeministri Rama e pyeti kryebashkiakun e Tiranës, se si po ecej me ndërtimin e pallateve të reja.

“Me pallatet është bërë gara, janë kualifikuar 8 kompani. Tani do të çojmë kërkesën për ofertën financiare.

“Prishjet fillojnë një herë me shkollat. Kemi një kalendar vetëm prishje masive shkollash.” – tha kryebashkiaku Veliaj.

Po nuk u bënë prishjet e pallateve, nuk beson njeri që do bëhen pallatet e reja” – pranoi kryeministri gjatë këtij bashkëbisedimi.

Thumanë

3 tetor, kryeministri Rama gjatë inspektimit në Thumanë për banesat individuale, bashkë me ministrin Ahmetaj, përmendi edhe çështjen e rindërtimit të pallateve, puna për ndërtimin e të cilëve nuk kishte nisur.

Durrës

9 tetor, ministri Ahmetaj duke folur për pallatet e reja që duhet të ndërtohen në Durrës, tha:

“Sot është hapur faza e dytë e prokurimit të pallateve në Durrës. Zyrtarisht ka filluar rindërtimi i pallateve në Durrës. Do jenë 2 pallate që do ndërtohen aty ku kanë qenë, që d.m.th. do presim ofertat financiare për 7 ditë në bazë ligjit specifik dhe besoj për maksimumi 15 ditë kemi themele në Durrës” – tha ministri Ahmetaj.

Shijak

14 tetor, kryeministri Rama ishte në Shijak bashkë me drejtorin e FSHZH, zotin Dritan Agolli, dhe kryetarin e Bashkisë Shijak, zotin Elton Arbana.

Infrastruktura nëntokësore ishte në përfundim, ndërsa puna për hapjen e themeleve të pallateve, jo vetëm që s’kish nisur, por pritej ende shpallja e kompanisë fituese të garës për kryerjen e punimeve.

“Brenda muajit nëntor mendojmë që kemi fitues për ndërtimin e pallateve” – konfirmoi drejtuesi i FSHZH për Shijakun.

Kavajë

14 tetor, kur “Faktoje” bënte verifikim në terren se çfarë po ndodhte me premtimin se brenda shtatorit do niste rindërtimi i pallateve në bashkinë Kavajë, kryeministri Rama gjatë një tjetër inspektimi me drejtuesin e FSHZH, pyeste se kur do hidheshin themelet e pallateve për këtë bashki. Ai mori si përgjigje një “afat të ri” nga drejtuesi i FSHZH,  Agolli:

“Në Kavajë mund të fillojmë në fillim të nëntorit me punën”.

Vetë qeveria, në fund të shtatorit, gjatë një komunikimi online në kanalin ERTV, publikoi një tabelë përmbledhëse për rindërtimin e banesave kolektive, (pallateve) në 10 bashkitë e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, ku konfirmohej se ky proces ishte ende në fazën e mbylljes së tenderimit, që do pasohet me shpalljen e kompanive fituese (përveç bashkisë Vorë).

Pamje e marrë nga prezantimi i ministrit Ahmetaj më datë 29 shtator 2020.

JOEL ÇELA

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img