BallinaFaktometerE vërtetëLleshaj: Gjysma e gjykatësve dhe prokurorëve nuk e kalojnë “Vetting-un”

Lleshaj: Gjysma e gjykatësve dhe prokurorëve nuk e kalojnë “Vetting-un”

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, gjatë seancës plenare më 5 mars akuzoi gjyqtarët se po lironin në mënyrë të papërgjegjshme kriminelë të rrezikshëm. Duke e konsideruar situatën si emergjente, Lleshaj arguementoi nevojën e miratimit të nismës “Anti-KÇK”, duke theksuar se 50 për qind e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk kalonin procesin e rivlerësimit kalimtar, njohur ndryshe si “Vetting-u”.


Përmes vendimeve të papërgjegjshme është mundësuar sidomos vitin e fundit kryesisht dhënia e vendimeve që janë jo vetëm përtej ligjit, por edhe përtej logjikës. Ka mbi 28 vendime, që provojnë këtë situatë të papranueshme.Rreth 50% e gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë futur në veting nuk ia kanë dalë vlerësimit – u shpreh ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj më 5 mars 2020.

Faktoje bëri një verifikim të kësaj gjetjeje, duke iu referuar edhe burimeve të tjera.

Reforma në drejtësi po jep rezultatin e saj. Kemi 50 për qind, 300 gjyqtarë që janë vetuar deri tani, ku gjysma prej tyre janë larguar për shkak të Vettingut– deklaroi ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj më 13 tetor, gjatë një interviste në “Vizion Plus”.

Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni i Pavaruar i Kualifikimit dhe Komisioni i Pavarur i Ankimit, nga nisja e procesit të Vettingut më 1 shkurt 2018 e deri më 30 shtator 2020, rezulton të ketë dhënë 301 vendime për gjyqtarë. Prokurorë dhe ndihmës ligjorë.

Procesi rivlerësimit kalimtar për gjyqtarët dhe prokurorët nisi nga gjykatat dhe prokuroritë e nivelit të lartë, duke përfshirë Gjykatën Kushtetuese si dhe kandidatët për institucionet e reja të drejtësisë.

Nga këto subjekte rezulton se 127 janë konfirmuar në detyrë, 117 janë shkarkuar nga detyra, ndërkohë që për pjesën tjetër procesi është ndërprerë si rezultat i dorëheqjes apo daljes në pension, ose ka përfunduar pa një vendim përfundimtar. Raporti midis subjekteve të shkarkuara (38.8 për qind) dhe të konfirmuara në detyrë (42.2 për qind), në pikëpamjen statistikore është shumë i përafërt.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit vlerëson se kriteri i pasurisë mbetet shkaku më i madh i skualifikimeve.

Lidhur me shkaqet që kanë sjellë shkarkimin e subjekteve, kriteri i pasurisë vijon të jetë kriteri dominues. Përkatësisht, 57 subjekte rezultojnë të shkarkuar për shkak të problemeve me pasurinë, 1 subjekt për shkak të lidhjeve të papërshtatshme me krimin e organizuar dhe 49 subjekte për më shumë se një kriter (ku sërish pasuria është kriter dominues). – argumenton KSHH.

KSHH nxjerr në pah se në shumicën e rasteve subjektet nuk referojnë në mënyrë të saktë deklaratat e pasurisë.

Në një numër të konsiderueshëm të vendimeve të studiuara vihet re se rezultatet e ILDKPKI-së përmbysen nga të dhënat e hetimit të thelluar administrativ të KPK-së, e cila vëren se deklarimi vjetor dhe deklarata e vetting nuk janë të plotësuara saktë (sikurse pohon në raportin e saj ILDKPKI) apo edhe raste kur subjekti nuk vërteton burime të ligjshme mjaftueshëm për të justifikuar pasurinë – thekson KSHH.

Progres Raporti i vitit 2020 të Bashkimit Europian për Shqipërinë, vlerëson gjithashtu “pastrimin” e sistemit të drejtësisë përmes procesit të vettingut.

Ndonëse vetingu i anëtarëve të gjyqësorit është një proces administrativ, është e rëndësishme të vlerësohen rezultatet konkrete të Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit. Këto kanë përfshirë shkarkimin nga detyra të një numri gjyqtarësh të rangut të lartë, duke përfshirë nivelin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë – thuhet në Proges Raportin 2020 të BE-së për Shqipërinë.

Deklaratën e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj do e kategorizojmë si “Të vërtetë”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img