BallinaFaktometerPa kategoriÇfarë do të bëhet me gjobat që shqiptarët po marrin nga shteti grek?

Çfarë do të bëhet me gjobat që shqiptarët po marrin nga shteti grek?

Shtetas shqiptarë që kanë shkelur afatin e lejeqëndrimit në Greqi janë gjobitur deri në 1200 euro. Kryeministri Rama është zotuar se gjobat do anulohen nga shteti grek, ose në të kundërt qeveria shqiptare do të rimbursojë shumën. Por përveç këtij zotimi të kryeministrit nuk gjetëm ndonjë njoftim zyrtar nga institucionet përgjegjëse që garantojnë këtë.

—————————————————————————————————————————————–

Prej disa ditësh, disa emigrantë shqiptarë të cilët e kishin shkelur afatin prej 90 ditësh të qëndrimin në Greqi, për shkak të mbylljes së kufijve dhe karantinës, janë gjobitur nga dogana greke me 600 deri në 1200 euro.

E.XH nga Pogradeci, i cili ka udhëtuar disa herë për në Greqi tha për Faktoje se është gjobitur me 1200 euro, një kosto e lartë për të.

Kam marrë një gjobë nga shteti grek 1200 euro. Gjobën e kam marrë në datën 11 maj, ditën e hënë. Ia kam dërguar dhe Kryeminstrit këtë mesazh por s’kam marrë asnjë përgjigje. Ke kaluar ditët më thanë. E di që kam kaluar ditët, por nuk është faji im u thashë. Në rregull tha kalo pak nga zyra tjetër dhe prita 10 minuta. Më dha pashaporten dhe më tha ik tani. Kur e pashë kisha gjobën 1200 euro. Në datë 15 shkurt kam hyrë në Greqi dhe dola në 11 maj. Unë kam qenë gjithmonë i rregullt me ditët që kam kaluar në Greqi. Kam shkuar mbi 10 herë në Greqi. Me rastin e virusit nuk kisha mundësi si të kthehesha në Shqipëri, pasi autobusët dhe taksitë nuk punonin. Është një shumë e madhe për ne”- tha ai për Faktoje.

Gjoba që E.XH mori nga shteti grek

Cfarë ka thënë më parë kryeministri Rama

Kryeministri Rama njoftoi në 31 mars qytetarët shqiptarë me leje 90 ditore se nuk do të gjobiten nëse kalojnë afatin e qëndrimit për shkak se kufiri është mbyllur si pasojë e vendimit për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

“Miq që jeni në Greqi me leje 90 ditore! Qeveria greke nuk do t’ju penalizojë për shkelje të pavullnetshme të afatit si pasojë e mbylljes së kufirit! Kufiri është i mbyllur prandaj qëndroni pa lëvizur, mbroni veten dhe familjet tuaja” shkruante Rama.

Ja çfarë shkroi Kryeministri Rama në 20 maj:

NJË LAJM ME RËNDËSI

Zyra ime ka qënë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet greke, pas lajmit të bërë publik të gjobitjes së disa shtetasve shqiptarë që kanë tejkaluar afatin 90 ditor të qëndrimit në Greqi gjatë muajve të fundit.

Autoritetet greke i kanë qëndruar premtimit të dhënë qysh në fillim për të mosgjobitur shkeljen e afateve dhe rastet e gjobitjeve nuk janë shumë.

Por njëkohësisht ata do t’i rishikojnë të gjitha gjobat e vendosura, ndërkohë që na kanë siguruar përsëri se në kohëzgjatjen e pandemisë vendosja e gjobave do të ndodhë vetëm në rastet flagrante, ku shkelja e afateve nuk ka lidhje me situatën e krijuar nga Covid19.

UNË I SIGUROJ TË GJITHË QYTETARËT SHQIPTARË të cilëve autoritetet greke nuk do t’ua anulojnë gjobën, se do të rimbursohen në masën 100% NGA QEVERIA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË. 

Çfarë thonë institucionet?

Burime për Faktoje nga Dogana e Kakavisë bënë me dije se qytetarët në fakt e marrin gjobën nga pala greke dhe njëkohësisht plotësojnë një formular për arsyen e qëndrimit. Gjobat vihen në pasaportë, por hiqen nga sistemi dhe rrjedhimisht gjobat nuk paguhen, sqaruan të njëjtat burime për Faktoje.

Megjithatë kjo duket se nuk është praktika e vepruar me dëshmitarin tonë E.XH nga Pogradeci.

Cila është garancia ka ai që kur të rikthehet në Greqi nuk do ti duhet të ketë paguar gjobën?

Faktoje pyeti në 19 maj Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë nëse ka një marrëveshje mirëkuptimi mes dy shteteve për mosvënie të penaliteteve ndaj shtetaseve që kanë kaluar afatet e zonës Schengen dhe se cfarë do të bëhet me këta qytetarë që e kanë marrë gjobën, por nuk mori një përgjigje.

Personat që janë gjobitur dukshëm kanë nevojë të sqarohen dhe t’u garantohet zyrtarisht se nuk do t’i paguajnë gjobat, e që s’mund të mjaftohen vetëm me postimet e kryeministrit në rrjetet sociale

Një nga komentet për KM Rama në Facebook

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img