BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingAsnjë deputet në hetim për dhunën e 8 janarit, detajet e ngjarjes tani janë sekret hetimor

Asnjë deputet në hetim për dhunën e 8 janarit, detajet e ngjarjes tani janë sekret hetimor

Protesta e dhunshme para selisë së PD, pavarësisht kallëzimeve dhe dëshmive në SPAK, nuk solli hetimin e ndonjë deputeti. SPAK i konfirmoi Faktojes se e delegoi çështjen tek prokuroria e rrethit Tiranë, pasi nuk gjeti prova të mjaftueshme që kompromentojnë deputetët për organizim të akteve tw dhunws dhe përdorim të lëndëve helmuese. Kur Faktoje kërkoi sqarime lidhur me këto detaje, Policia e Shtetit dhe prokuroria u përgjigjen se këto janë sekret hetimore dhe nuk mund të bëhen publike.

………………………………

“Kërkova hetim të gjithsecilit, nga i pari te i fundit dhe vënien para drejtësisë nga Sali Berisha, tek i fundit, duke bërë diferencim mes organizatorëve urdhërues të dhunës që e gjithë bota i pa dhe atyre demokratëve që u distancuan dhe e kanë kuptuar sot që u përdorën si fasadë” – deklaroi kreu demokrat Lulzim Basha më 14 janar të këtij viti.

Faktoje u interesua pranë PD-së, duke e pyetur nëse ka depozituar kallëzim ndaj atyre që kryetari demokrat i konsideroi autorë apo urdhërues të ngjarjes.

Burime zyrtare të PD-së sqaruan për Faktoje se nuk kanë dijeni të jetë regjistruar hetim ndaj deputetëve organizatorë të protestës së 8 janarit dhe konsiderojnë si kallëzim dhënien e dëshmive për ngjarjen.

“Prokuroria nisi menjëherë hetimet kryesisht dhe kallëzimi është bërë përmes deponimit të disa zyrtarëve dhe të zgjedhurve të PD-së përpara oficerëve të policisë gjyqësore”- sqaruan për Faktoje burime zyrtare në PD.

Më herët, më 9 janar, kryetari i PD-së Lulzim Basha deklaroi:

“Ata kishin ardhur këtu me një qëllim të shpallur nga Berisha, të shkatërronin PD, të derdhnin gjak…Ju ishit kat më kat dhe e vetmja gjë që kishim ishin bombola zjarrfikëse. Edhe ajo që pretendohej se ishte gaz nuk ishte gaz, ishte bombola me material që fik zjarrin”- tha zoti Basha më 9 janar, duke mohuar të ishte përdorur gaz helmues ndaj protestuesve.

Shkatërrimi i selisë së PD-së, 8 janar 2022

Mirëpo, më 10 janar, në studion e “Top Talk” në Top Channel, deputeti demokrat, Flamur Noka këmbënguli se nga brenda selisë së PD ishte përdorur gaz karbonik helmues ndaj protestuesve.

“Ato janë të gjitha me bazë karboni dhe janë lëndë helmuese për trupin. Unë jam mjek. Pra Lulzim Brava ka helmuar qindra dhe mijëra demokratë atë ditë”- akuzoi  deputeti Noka.

Këto akuza u përforcuan nga ish kryeministri Berisha disa ditë më vonë.

“U hodh së pari tymi, pastaj u hodh pluhuri që është toksik, u hodh bomba shurdhuese”- deklaroi Berisha më 13 janar, duke bërë përgjegjës kreun demokrat Lulzim Basha se i ka larguar nga selia e PD-së të gjitha sendet e paligjshme që u përdorën kundër protestuesve.

Deputeti Sali Berisha në protestën e 8 janarit 2022 në selinë e PD-së

Pas këtyre deklaratave publike, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion SPAK-ut në fund të janarit, ku ndër të tjera pyetëm nëse kishte nisur një hetim ndaj kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha, pas akuzave të ngritura nga Komisioni i Rithemelimit. Dy ditë pas kësaj kërkese, SPAK informoi Faktojen se ka një kallëzim penal ndaj zotit Lulzim Basha dhe Gazmend Bardhi të depozituar nga 7 deputetë të PD.

Kërkesa për informacion dërguar SPAK, 24 janar 2022

“Më datë 19.01.2022 në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë është depozituar kallëzim penal nga shtetasit Oerd Bylykbashi, Belind Këlliçi, Agron Shehaj, Edmond Spaho, Luan Baçi, Flamur Noka dhe Sorina Koti, ndaj shtetasve Lulzim Basha, Gazment Bardhi dhe ndaj personave të tjerë të paidentifikuar, për kryerjen e veprave penale Dëmtime të tjera me dashje, Shkatërrimi i pronës, Pengimi në ushtrimin e së drejtës për t’u shprehur, grumbulluar apo manifestuar, Shkelja e rregullave mbi lëndët helmuese, të parashikuara nga nenet 90, 150, 281 dhe 281 të Kodit Penal.

Objekt i kallëzimit penal janë veprimet e kryera lidhur me ngjarjen e datës 8 Janar 2022, në selinë e Partisë Demokratike të Shqipërisë. Ky kallëzim penal është dërguar njëkohësisht edhe në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Prokuroria e Posaçme ka vlerësuar materialin e paraqitur nga kallëzuesit dhe ka konkluduar se në gjendjen që ndodhen aktet e këtij kallëzimi penal nuk krijohen të dhënat e mjaftueshme për të krijuar dyshimin se personat e kallëzuar, të cilët gëzojnë statusin e deputetit, mundet të jenë autorë të veprave penale të mësipërme, në mënyrë që Prokuroria e Posaçme të ketë kompetencën lëndore për të proceduar sipas nenit 75/a, shkronja (c) të K.Pr. Penale.”-thuhet ndër të tjera në përgjigjen zyrtare të SPAK për Faktoje.  

Përgjigjia e SPAK, 26 janar 2022

Pas kësaj përgjigjeje, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion edhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, nëse është regjistruar kallëzim penal për çështjen në fjalë. Ne morëm një përgjigje nga ky institucion më 17 shkurt, pas ankimimit në adresë të Komisionerit Për Të Drejtën e Informimit.

Kërkesa për informacion dërguar Prokurorisë së Tiranës, 26 janar 2022

Prokuroria e Rrethit Tiranë, konfirmon për Faktoje se ka regjistruar kallëzimin penal për çështjen.

“Në përgjigje të kërkesës tuaj, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, mbi bazën e materialit të ardhur nga Prokuroria e Posaçme, ka regjistruar kallëzimin penal. Çështja është në fazën e hetimeve paraprake dhe në këto kushte të dhëna të tjera nuk mund t’ju vihen në dispozicion, për shkak të respektimit të sekretit hetimor” – sqaron Prokuroria e Tiranës për Faktoje.

Lëndët kimike në protestë

Një ndër akuzat e përsëritura nga Komisioni i Rithemelimit, që organizoi edhe protestën e 8 janarit para selisë së Partisë Demokratike, ishte përdorimi i lëndëve kimike nga brena selisë. Në lidhje me këtë çështje ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion Policisë së Shtetit më 10 janar.

Kërkesë për informacion Policisë së Shtetit, 10 janar 2022

Duke qenë se nuk morëm përgjigje nga ky institucion, iu drejtuam zyrës së Komisionerit Për të Drejtën e Informimit më 25 janar. Ky i fundit, nëpërmjet një emaili që mban datën 14 shkurt njofton:

“Në rastin konkret, objekti i kërkesave tuaja lidhet me pyetje mbi një çështje të caktuar, e cila tejkalon qëllimin e njohjes me dokumentacion publik sipas parashikimeve ne ligjin e sipërcituar dhe si rrjedhojë, përgjigja mbetet në diskrecion të Autoritetit Publik në kuadër të ushtrimit të detyrave funksionale dhe veprimtarise së tij.

Për më tepër çështja në fjalë dhe dinamikat e saj janë objekt i një hetimi nga organet kompetente në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe rrjedhimisht njohja me informacionin i nënshtrohet kufizimeve të përcaktuara në këtë kod”.

Përgjigjia e Komisionerit për Faktoje

Ndërhyrja e policisë në protestën e 8 janarit

Përshkallëzimi i protestës së 8 janarit solli edhe ndërhyrjen e Policisë së Shtetit në ambientet e selisë së Partisë Demokratike. Në lidhje me këtë, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi akuzoi policinë për ndërhyrje të vonuar, me argumentin se u rrezikua jeta e deputetëve demokratë që ndodheshin brenda në seli.

Kjo u mbështet edhe nga kreu demokrat, Lulzim Basha, i cili ndër të tjera sqaroi se nuk ka qenë ai që e ka telefonuar Policinë që të ndërhyjë, por deputetët brenda selisë.

Kush e telefonoi policinë që të ndërhyjë? Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Policisë së Shtetit, por ashtu si dhe në kërkesën e mësipërme, na u bë e ditur se për këtë çështje nuk mund të jepet informacion, me justifikimin e sekretit hetimor.

Kërkesa për informacion dërguar Policisë së Shtetit, 10 janar 2022

Kanë kaluar rreth dy muaj nga protesta e 8 janarit, por edhe pse u ngritën akuza të rënda e të ndërsjella mes deputetëve të PD, nga dy fraksionet e krijuara pas përçarjes, pikëpyetjet mbi skenarët e protestës së dhunshme dhe përgjegjësve janë mbuluar nga ‘sekreti hetimor’. E sigurtë është, se asnjë nga zyrtarët e PD (nga të dy grupimet brenda PD), ndaj të cilëve u depozituan kallëzime apo u dëshmua për vepra penale, nuk do hetohet.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img