BallinaFaktometerE PavërtetëVeliaj: Teatrin Kombëtar do ta bëjmë me kredi, jo nga Buxheti i Shtetit

Veliaj: Teatrin Kombëtar do ta bëjmë me kredi, jo nga Buxheti i Shtetit

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj ka deklaruar se ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar do bëhej me fonde të përftuara në formë kredie, e cila do kishte si garante Qeverinë e Shqipërisë. Në fakt, ky teatër do të financohet nga vetë Buxheti i Shtetit. Në një shkresë zyrtare për “Faktojen”, Bashkia Tiranë, pavarësisht asaj që kishte deklaruar Veliaj, konfirmoi se në fillim të muajit nëntor ka kërkuar përfshirjen e shumës prej 600 mln lekësh, në Buxhetin e Shtetit.


Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, në një intervistë për Syri.net, më 10 maj 2020, para se të shembej, Teatri Kombëtar, njoftoi:

“Do ta bëjmë me kredi, jo me buxhetin e shtetit. Nuk i kemi paratë në arkë për këtë projekt. Hip se të vrava, zbrit se të vrara! Keq kur e bën publiku, keq kur e bën privati! Nevoja për një teatër kombëtar është e pashmangshme. Në momentin që nuk ke paratë në buxhet, i merr kredi.”- u shpreh Veliaj.

Teatri Kombëtar u shemb më 17 maj 2020 dhe dy ditë më vonë, kryebashkiaku Veliaj në një intervistë për Report TV u shpreh se deri në ato momente 17 banka europiane kishin shprehur interesin për ta financuar ndërtimin e Tetarit të ri Kombëtar dhe se punimet për rindërtimin e tij do nisnin në vjeshtë.

“Ne marrim kredi nga BERZH-i dhe banka të tjera. Është praktikë normale. Po e bëjmë vetë, qeveria i jep bashkisë garanci sovrane dhe ne e marrim nga bankat dhe e bëjmë vetë. Do të punojmë tre muaj për detajimin, nga vjeshta do të bëhet prokurimi.” – deklaroi Veliaj.

Mirëpo afati i dhënë nga kryebashkiaku Veliaj për rindërtimin e Tetatrit Kombëtar kaloi dhe punimet nuk nisën në vjeshtë.

Më 11 nëntor, “Faktoje” pyeti në Bashkinë Tiranë lidhur me procesin e ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar.

Kërkesë për informacion drejtuar Bashkisë Tiranë

Më 26 nëntor, bashkia Tiranë, në një shkresë zyrtare na informoi se më 2 nëntor i është kërkuar Ministrisë së Finanacave dhe Ekonomisë finacimi i ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar. Vetë ministria, më 5 nëntor ia ka përcjellë kërkesën Kuvendit të Shqipërisë.

Përgjigje nga Bashkia Tiranë lidhur me ndërtimin e Teatrit Kombëtar

Në votimin e projektbuxhetit të vitit 2020, Kuvendi përcaktoi në zërat e tij edhe 600 milionë lekë për ndërtimin e Teatrt të ri Kombëtar, ku fondi do i akordohej Ministrisë së Kulturës, por si zhvilluese e projektit do ishte Bashkia Tiranë.

“Në Ministrinë e Kulturës shtohen shpenzimet kapitale për ndërtimin e Teatrit Kombëtar, nga Bashkia e Tiranës, me 600 milionë lekë.” – thuhet në raportin e projektbuxhetit 2021.

Në relacionin e Programit Buxhetor Afatmesëm 2020-2022, Bashkia Tiranë raporton:

“Kryeqyteti ka nevojë për nje godinë të re të Teatrit Kombëtar që plotëson të gjitha standardet ndryshe nga ai ekzistues. Shtëpia e re e aktrimit është konceptuar të jetë si zemra kulturore e Tiranës dhe e gjithë Shqipërisë dhe e dedikuar vetëm për art. Projekti i prezantuar nga prej studiove më të mëdha ndërkombëtare të arkitekturës në botë, “Bjarke Ingels Grop” me qendër në Danimarkë, ofron një godinë të arkitekturës me dizajn modern dhe që krijon një hapësirë unike në qytetin e Tiranës, duke ofruar të gjitha kushtet e nevojshme dhe frymëzuese për zhvillimin e talentit të aktrimit, ashtu edhe për vetë publikun i cili mund të angazhojë imagjinatën.”

Bashkia Tiranë u përzgjodh si institucioni që do të zhvillonte dhe ndiqte të gjitha procedurat e ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar. Me një vendim të veçantë, qeveria i kaloi atributet Bashkisë duke i dhënë edhe truallin, që më herët bënte pjesë tek asetet e Ministrisë së Kulturës.

Deklaratën e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj se Teatri i ri Kombëtar do ndërtohej përmes kredisë dhe jo Buxhetit të Shtetit, pas verifikimit edhe në rrugë zyrtare, do ta kategorizojmë si “të pavërtetë”.

Lexo dhe: Veliaj: Brenda verës detajohet projekti, negociohet kredia dhe në shtator nis ndërtimi i Teatrit Kombëtar

Lexo dhe: Projekti i dhuruar për Teatrin Kombëtar, i pazbatueshëm, 500 mijë euro për të riun

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img