BallinaFaktometerE PavërtetëTirana nuk u vizitua nga 7 milionë turistë në 2022

Tirana nuk u vizitua nga 7 milionë turistë në 2022

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se deri në fund të vitit, kryeqyteti do të priste 7 milionë turistë. Kjo shifër sipas verifikimit të Faktoje është e ekzagjeruar, referuar edhe shifrave që jep vetë bashkia e Tiranës. Edhe pse ka pasur një rritje të konsiderueshme të vizitorëve të huaj, pas periudhës së pandemisë, numri i turistëve në 2022 për Tiranën është më i ulët. Së fundi edhe kryeministri Rama ka deklaruar të njëjtën shifër, por për gjithë Shqipërinë.

——————————————————————————-

“Ne sot do të kapim besoj rekordin, në qoftë se vazhdon ky trend deri në fund të vitit, 7 milionë turistë”, deklaroi Veliaj në tetor të këtij viti.

Por sa turistë e vizituan kryeqytetin gjatë viti 2022? Në lidhje me këtë çështje, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Tiranës.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Tiranë, 7 dhjetor 2022

Në përgjigjen zyrtare që mban datën 13 dhjetor, ky institucion bën të ditur se në 10 muaj, numri i turistëve që vizituan kryeqytetin është 2 milionë.

“Referuar shifrave të publikuara nga Instituti i Statistikave: Për periudhën 10 mujore janar – tetor 2022 numri i shtetasve të huaj ardhur në aeroportin ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’, pra për rrjedhojë edhe në Tiranë është 2.097.607 persona. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janar- tetor 2021, ku numri i tyre ishte 1.197.227, kemi një rritje prej 75%”, argumenton Bashkia e Tiranës.

Referuar përgjigjes zyrtare nga ky institucion, atraksionet më të vizituara nga turistët në kryeqytet janë:

Sheshi “Skënderbej”, Pazari i Ri, Kalaja e Tiranës, Xhamia e E’them Beut, Kulla e Sahatit, Muzeu Historik Kombëtar, Pallati i Kulturës, BunkArt 2, Muzeu i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, Instalacioni “Cloud”, Varri i Kapllan Pashës, Ura e Tabakëve, Pedonalja “Murat Toptani”, Memoriali “Post Bllok”, Blloku, Parku i Madh i Liqenit Artificial, Sheshi “Nënë Tereza”, BunkArt 1, Shtepia Studio Kadare, Galeria e Artit Tirane (GAT), Parku Kombëtar i Dajtit.

Në një artikull të publikuar në muajin tetor, ekspertët e Turizimit treguan për Faktoje disa nga faktorët që kanë ndikuar në rritjen e numrit të turistëve gjatë 2022-it.

“Faktori i parë është pas-pandemia. Presioni i madh pas pandemisë, bëri që ata të udhëtojnë më shumë sesa në një periudhë normale.

Arsyeja e dytë, është një kompani ajrore loë-cost që ka dyfishuar qytete europiane që kanë lidhje fluturimi direkte me Tiranën. Nëse më parë kanë qenë vetëm 29 apo 30, tani vetëm një kompani ka sjellë 45.

Ka dhe një arsye të tretë. Pra, që ka munguar në 2019-n, është hapja dhe heqja e vizave me vendet e Lindjes së Mesme. Heqja e vizave me vendet e Lindjes së Mesme bëri që kryesisht në Tiranë të ketë më shumë turistë gjatë verës, pasi vendet e Lindjes së Mesme nuk vijnë në Shqipëri për plazh, por vijnë dhe frekuentojnë kryesisht si bazë Tiranën”, u shpreh eksperti i Turizmit, Besnik Vathi.

Më 27 dhjetor 2022, ministrja e Mjedisit dhe Turizimit, Mirela Kumbaro bëri të ditur se deri në muajin nëntor në Shqipëri kanë mbërritur 7.1 milionë turistë.

“Viti 2022, deri në muajin nëntor shënoi 7.1 milionë turistë të huaj, duke shënuar një rekord dhe ende shifrat vazhdojnë të rriten deri në fund të vitit”, deklaroi Kumbaro.

Ndërsa kryeministri Rama, në një postim në rrjetet sociale në 9 janar 2023 thotë se vitin e kaluar Shqipëria u vizitua nga 7.5 milionë turistë.

Screenshot, postimi i kryeministrit Rama 

Nga ana tjetër, operatorët turistikë shprehen për festat e fundvitiyt shumë shqiptarë zgjodhën të udhëtojnë jashtë vendit.

“Gjasat ishin që ta takonit komshiun jashtë shtetit, më shumë sesa brenda Shqipërisë. Shumë njerëz udhëtuan jashtë. Ka ikur ajo pjesa e turizmit patriotik, njerëzit ikin për komoditet.

Këtë vit Dubai kishte kërkesë të jashtëzakonshme, ndjekur nga qytetet kryesore të Europës, si Roma, Madridi, Barcelona, Budapesti, Praga, Vjena”, konfirmojnë për Faktoje operatorët turistikë.

Nisur nga verfikimi i kryer dhe informacioni i grumbulluar vemdosëm që deklaratn e kryebashkiakut Erion Veliaj se Tirana do vizitohej nga 7 milionë turistë, ta kategorizojmë të Pavërtetë.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img