BallinaFaktometerPa kategoriProjekti i dhuruar për Teatrin Kombëtar, i pazbatueshëm, 500 mijë euro për të riun

Projekti i dhuruar për Teatrin Kombëtar, i pazbatueshëm, 500 mijë euro për të riun

Bashkia Tiranë, në fillim të korrikut hapi tenderin për projektimin e Teatrit të ri Kombëtar, me vlerë rreth 500 mijë euro. Paradoksalisht, kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, një ditë para shpalljes së këtij tenderi ishte shprehur se projekti, i hartuar nga arkitekti danez Bjarke Ingels, për ndërtimin e teatrit të ri, ishte dhuruar nga kompania propozuese, “Fusha”. Çfarë e bëri të “padobishëm” atë që më herët u shpall si projekti final i Teatrit nga Veliaj dhe Rama?


Më 17 maj Teatri Kombëtar u shemb, nga INUV pas një beteje të gjatë mes qeverisë dhe artistëve e qytetarëve. Vetëm një ditë më pas, në 18 maj, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj prezantoi një video-animacion me përmbajtjen e projektit të cilin e konsideroi si “shfaqja e plotë dhe e detajuar e Teatrit Kombëtar“, para Këshillit Bashkiak.

I njëjti projekt, i hartuar nga arkitekti danez, Bjarke Ingels dhe i paguar nga kompania “Fusha” ishte publikuar edhe nga kryeministri Edi Rama në muajin shkurt të këtij viti, kur nisën përpjekjet për shembjen e Teatrit Kombëtar.

Më 19 maj, kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, i pyetur mbi projektin e teatrit të ri, u shpreh se ai ishte dhuruar nga kompania propozuese (Fusha), e cila e kishte porositur te arkitekti Bjarke Ingels.

Pyetje nga gazetari: Projektin e ri që prezantuat, kush e ka bërë?

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj: Bjarke Ingels.

Pyetje nga gazetari: Kush e ka paguar projektin?

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj: E ka paguar kompania që solli propozimin.

…Pyetje nga gazetari: Po ju e prezantuat si projektin final dhe që do të bëhet ndërkohë që nuk qenka bërë as tenderi dhe nuk është paguar nga ju. Nuk është paguar nga shteti, por është paguar nga privati. Ju lejohet juve të merrni një projekt të paguar nga privati?

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj: Patjetër. Ka plot që dhurojnë projekte për bashkinë e Tiranës dhe për çdo bashki të Shqipërisë. …Projekt-ideja është kjo. Është aprovuar dhe ka marrë OK nga Këshilli Bashkiak. Ajo që do të ndodhë është detajimi që do të thotë se kemi disa negociata me artistët.

Por, edhe pse Këshilli Bashkiak kishte votuar për prishjen e Teatrit Kombëtar, bazuar në projekt-idenë e Bjarke Ingels, Bashkia Tiranë, më 3 korrik shpalli tenderin për projektin për teatrin e ri.

Tenderi i Bashkisë Tiranë për projektin e teatrit të ri

“Faktoje”, më 5 korrik, me anë të një “Kërkese për informacion”, pyeti në Bashkinë Tiranë lidhur me arsyet e çeljes së tenderit me vlerë rreth 500 mijë euro dhe pse nuk mund të zbatohej projekti i dhuruar nga kompania “Fusha”.

Nga Bashkia Tiranë na u komunikua se projekti i vjetër, nuk i përmbushte të gjitha kriteret për t’u zbatuar.

Përgjigjja nga Bashkia Tiranë

Ndonëse Teatri Kombëtar u prish në bazë të një projekti “të dhuruar” dhe që kishte marrë miratimin nga Këshilli Bashkiak dhe u shpall nga kryebashkiaku Veliaj dhe kryeministri Rama, si projekti final, Bashkia Tiranë ka akorduar rreth 500 mijë euro për një tjetër projekt për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img