BallinaFaktometerE PavërtetëRama premtoi përmirësimin e klimës së biznesit, raportet vijojnë të tregojnë të kundërtën

Rama premtoi përmirësimin e klimës së biznesit, raportet vijojnë të tregojnë të kundërtën

Pas Bankës Botërore dhe Dhomës Amerikane të Tregtisë, edhe raporti i Dhomës Europiane të Tregtisë nxorri në pah përkeqësimin e klimës së biznesit në Shqipëri. Ndonëse qeveria kishte garantuar ndërmarrjen e politikave që do përmirësonin klimën e biznesit në vend, raportet ndërkombëtare e rendisin Shqipërinë ndër vendet me kushtet më të pafavorshme.


Kryeministri Edi Rama, gjatë çeljes së Forumit Ekonomik të Tiranës më 30 janar 2020, deklaroi se investimet e huaja ishin rritur dhe se po punohej për përmirësimin e klimës së biznesit.

Kemi rritje të investimeve të huaja, por kemi nevojë për më tepër. Duhet të përmirësojmë klimën e biznesit, dhe të administratës tonë që lidhet direkt me biznesin – u shpreh Rama.

Më 1 shkurt, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pas raportit të agjencisë ndërkombëtare të vlerësimit “Standard & Poor’s”, argumenoi se qeveria ishte angazhuar për të përmirësuar klimën e biznesit.

Agjenda e reformave  të qeverisë do të vazhdojë  për të siguruar qëndrueshmëri ekonomike, përmirësim të  jetës së qytetarëve dhe klimës së biznesit në vend thuhej në reagimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Por, sa mundësi ofron administrata në vend për të bërë biznes?

Dhoma Europiane e Tregtisë, në një raport të publikuar në 1 shtator, e renditi Shqipërinë në “top 3” vendet me klimën më të pafavorshme për të bërë biznes.

Në raportin, që bazohet në indekset e Bankës Botërore dhe Transparency International, Shqipëria renditet në vendin e 44-t në Europë, me 51 pikë, nga 46 vende të marra në analizë. Sipas vlerësimit, Shqipëria ka lënë pas vetëm Bosnje Hercegovinën dhe Ukrainën, ndërsa të gjitha vendet e tjera të rajonit janë më mirë se Shqipëria.

Raporti i Dhomës Europiane të Tregtisë 2020

Më 29 qershor, Dhoma Amerikane e Tregtisë publikoi Indeksin e Klimës së Biznesit, i cili ka pësuar rënien më të madhe në 8 vite, duke zbritur në 38 pikë.

Bizneset rendisin si shqetësime kryesore, përkeqësimin e klimës politike, krijimin e monopoleve, kontrabandën, korrupsionin dhe informalitetin në ekonomi.

Disa nga çështjet janë klima politike, ku përshihet konkurrenca e pandershme dhe korrupsioni, që ndikon mbi gjithcka – tha në fjalën e saj ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim.

Eksperti i ekonomisë, Fatos Çoçoli argumenton për Faktoje se qeveria nuk po reagon pas thirrjeve të njëpasnjëshme nga ndërkombëtarët lidhur me klimën për biznesin.

Të huajve që na vëzhgojnë dhe orientojnë pasi dinë më mirë, prej shumë kohësh bëjnë thirrje që të përmirësojmë klimën e biznesit, si një element jetik në ekonominë tonë. Banka Botërore ka bërë thirrje dhe ka dhënë qindra milionë euro, por edhe vetë Ambasada Amerikane për të përmirësuar sistemin tonë. Janë partnerë të rëndësishëm dhe ata thonë që nuk jemi ende aty ku duhet me klimën e biznesit. Tërmeti solli humbje në biznes 150 milionë euro nga raporti që u prezantua nga qeveria. Humbje kolosale dhe që pritet të ndikojë gjatë – argumenton Çoçoli.

Ndërkohë që gjendja ekonomike në Shqipëri është përkeqësuar ndjeshëm jo vetëm si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit, por edhe nga pandemia e “Covid-19”. Borxhi Publik ka arritur në vlerën e 80 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa klima e pafavorshme për të bërë biznes, e shton edhe më shumë skpeticizmin mbi të ardhmen ekonomike të vendit.


Të fundit

Më të lexuarat

spot_img