BallinaFaktometerE PavërtetëUrdhëri për arrestimin e Metës, lajm i rremë

Urdhëri për arrestimin e Metës, lajm i rremë

Një lajm i publikuar pak ditë më parë nga disa portale, ku pretendohet se SHBA ka urdhëruar SPAK-un që të arrestojë Ilir Metën, nuk është i vërtetë. Faktoje verifikoi se artikulli, që u përcoll te audienca si “ngjarje e fundit”, nuk është gjë tjetër veçse një opinion personal i publikuar një vit më parë dhe i ricikluar nga portalet.

 

Ilda Hoxha

Artikulli i publikuar nga portali “olajme.com” më 5 shtator pretendon se SHBA ka urdhëruar SPAK-un që të arrestojë ish-presidentin Ilir Meta.

E FUNDIT / Amerika Urdhëron SPAK-Un Për Arr.Esti.Min E Ilir Metës, Presidenti I Shqipërisë Në Panikë…!” është ky titulli i lajmit, plot gabime drejtshkrimore dhe logjike.

Screenshot lajmi i publikuar nga portali

 

Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të artikullit në fjalë nisur nga interesi publik për këtë çështje. Që në titull portali shkruan “E fundit”, si një mënyrë për të marrë vëmendjen e audiencës se diçka e rëndësishme po ndodh aktualisht. Veç kësaj, shihen gabime drejtshkrimore dhe shenja pikësimi të panevojshme. Gjithashtu, po në titull thuhet “Presidenti Ilir Meta”, kur ky i fundit që prej 24 korrikut nuk është më në krye të Shtetit. Të gjithë këta elementë janë tregues i qartë se lajme të tilla kanë tendencën që të mos jenë të vërteta dhe se këto portale nuk janë serioze.

Po të shohin në brendësi të shkrimit, gabimet drejtshkrimore dhe pikat mes fjalëve janë të shumta, duke e bërë gati të pakuptueshëm artikullin. Kjo një teknikë për të shmangur filtrat që përdoren nga Inteligjenca Artificiale për të zbuluar artikuj të tillë në rrjet me përmbajtje të rreme. Me një verifikim të thjeshtë konstatohet se nuk kemi të bëjmë me një artikull të mirëfilltë, por thjesht një opinion që është servirur te audienca si ngjarje e freskët dhe madhore. Artikulli nuk ka autor apo burim reference, duke u bërë i pabesueshëm për audiencën.

Gjatë një kërkimi të kryer në Google rezulton se një artikull i tillë është publikuar në shtator 2021 nga Pamfleti.net. Në këtë portal, ka një autor të lajmit, pasi kemi të bëjmë me një opinion personal dhe jo ndonjë deklaratë zyrtare për një urdhër nga SHBA për ndalimin e Metës.

Artikulli i portalit “olajme.com” ka marrë mbi 45 mijë shikime, duke u kthyer në një rrezik serioz dizinformimi për audiencën. Duket se portali ia ka dalë që të tërheqë një numër të madh shikimesh me një lajm “fake”, duke e shitur madje te publiku si “zhvillim të fundit”. Konstatohet  se disa portale të tjera e kanë ripublikuar këtë shkrim në orët dhe ditët në vijim si: “newshub1.com”,”thejournal24h.com”, alhikmaofficial.com.

Tituj të tillë “bombastikë” dhe me gabime drejtshkrimore janë një tregues që lexuesit të jenë më kritikë ndaj asaj që zgjedhin të lexojnë, në morinë e informacioneve që qarkullojnë në mediat online. Qëllimi i portaleve është që të tërheqin sa më shumë lexues, pasi kjo përkthehet në fitime monetare, por shpeshherë nuk mendojnë për dëmin që shkakton te audienca shpërndarja e lajmeve të rreme.

 *Artikulli publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img