BallinaKomunitetet lokale kundër dezinformimitViti shkollor “pandemik”, në Elbasan shkollat e kopshtet janë pa ujë

Viti shkollor “pandemik”, në Elbasan shkollat e kopshtet janë pa ujë

BARDHA NERGJONI

Mbi 200 institucione shkollore në qarkun Elbasan, priten të hapen për nxënësit dhe fëmijët e ciklit parashkollor. Pjesa më e madhe e shkollave, janë në njësitë administrative dhe prindërit e nxënësve ankohen për mungesë të kushteve më thelbësore higjienike, që nis nga mungesa e ujit. Deri vjet, në fshatin Godolesh, fëmijët detyroheshin të kryenin nevojat personale në shtëpitë më të afërta, në pushimin ndërmjet orëve, pasi WC-të e shkollave s’kishin ujë për pastrim. Si mund të zbatohet protokolli anti-Covid në shkollat e zonave ku uji vjen vetëm një orë në ditë?


Shkollat dhe kopshtet në qytetin e Elbasanit dhe periferitë e tij, edhe pse u janë nënshtruar heraherës riparimeve, nuk garantojnë as kushtet më thelbësore. Në prag të vitit të ri shkollor, që tani duhet t’i përmbahet një protokolli të rreptë për ruajtjen e higjienës për shkak të pandemisë, ne verifikuam gjendjen në disa shkolla në qytetin e Elbasanit dhe disa fshatra.

Fshati Godolesh

Fshati Godolesh, me rreth 7 mijë banorë, ndodhet vetëm 4 kilometra larg qytetit të Elbasanit dhe dy ndërtesat që shërbejnë si shkolla, njëra në qendër të fshatit dhe ajo në lagjen Shegune, nuk garantojnë as furnizimin me ujë. Investimet në nyjet higjenike dhe nëpër klasa, siç tregojnë banorët e fshatit, prindër të nxënësve, mungojnë prej vitesh.

Muret e dëmtuara në shkollën në Godolesh

Janë 9 klasa që zhvillojnë mësimin në një ndërtesë me mure të dëmtuara dhe lagështirë, ndërsa në WC mungojnë pajisjet hidrosanitare. Kjo shkollë furnizohet me ujë nëpërmjet një depozite, që shërben edhe për pastrim, por pjesa më e madhe e fëmijëve shfrytëzojnë pushimet e shkurtra ndërmjet orëve, për të shkuar në shtëpitë më të afërta që të lajnë duart apo për të kryer nevojat personale. Prindërit konfirmojnë se kjo gjë ka ndodhur vazhdimisht dhe fëmijët që kanë shtëpitë më afër shkollës marrin edhe shokë ose shoqe për të shkuar në tualete, sepse ato të shkollës janë të pista dhe mungon uji për t’i pastruar.

Banjo e shkollës në Godolesh

Edhe para protokollit me rregullat e COVID-19 shkollat duhet të garantojnë ujë të rrjedhshëm dhe mjete higjiene, ndërsa dalja e nxënësve nga mjediset e shkollës për kryerjen e nevojave personale është e papranueshme.

Kur kanë mbetur pak ditë nga nisja e shkollës, prindërit e nxënësve kërkojnë të paktën sigurimin e ujit të rrjedhshëm në tualetin e shkollës. Sipas tyre, në fshatin Godolesh uji vjen vetëm 1 herë në ditë, rreth 60 minuta.

Antoneta Duka thotë se do t’i kthejë fëmijët e saj në shkollë, edhe pse kushtet higjienike lënë për të dëshiruar.

“Fëmijët mbetën mbrapa me mësimin online dhe unë votova që të kthehen në shkollë. Kemi frikë, pasi ne nuk kemi as ujë në ambjentet e shkollës, por nuk mund t’i lëmë pa mësim. Na thanë që do i rregullonin kur u mbyllën shkollat. Brenda në shkollë nuk ka asnjë gjë për të garantuar higjienën”-thotë ajo e shqetësuar.

Shkëlqim Haka, babai i dy fëmijëve, banor në Godolesh, thotë:

Në shkollën e fëmijëve tanë asnjëherë nuk është vënë dorë. Dyert janë të shkatërruara, ujë nuk ka. Fëmijët e kopshtit shkojnë në të njëjtat banjo. Në këto vite është shtruar vetëm oborri me beton dhe asgjë tjetër. I gjithë fshati ka vështirësi pasi ujin e kemi me pikatore. Tubacionet janë të amortizuara dhe mendoni, vetëm një herë vjen uji. Ne mbushim ujë në burime dhe e transportojmë me gomerë. Çdo familje në Godolesh paguan 1040 lekë  lekë çdo muaj dhe ujin e ka vetëm një herë në ditë, pa mbushur një orë. Ka ditë që nuk vjen fare. A furnizohet shkolla me kaq ujë?

Ndërkohë Bashkia Elbasan zhvilloi dy tendera për instalimin e teknologjive të reja që do të përmirësonin situatën e furnizimit me ujë në këtë zonë, përfshirë edhe shkollën në fshatin Godolesh. Në tetor të 2019-s firma ‘Bajrami N’ ka fituar një tender me vlerën 56.5 milion lekë, ndërsa një tjetër tender supervizimi me vlerën 1 milion lekë është bërë duke u ndjekur nga një raport i detajuar që do të sillte edhe ndryshimin e shumëpritur nga banorët.

Shqetësuese është situata e furnizimit me ujë të rrjedhshëm edhe në ndërtesën tjetër që shërben si shkollë për fëmijët e ciklit fillor, “Haxhi Mersin Duka” e vendosur në lagjen Shegune. Ajo ndodhet rreth 2 km në periferi të Elbasanit dhe është ndërtuar me paratë e dhuruara nga fondacioni islamik “Rrahman Mercy”.

Shkolla në lagjen Shegune

Shkolla ka një pus të mbyllur dhe një rubinet, por për arsye që personeli dhe banorët nuk i dinë, nuk ka funksionuar ndonjëherë. Sikur të mos mjaftonte kjo, pak metra më tej, buzë kanalit janë hedhur mbetjet urbane të lagjes duke shtuar ndotjen dhe rreziqet për shëndetin e fëmijëve.

Ndotja pranë shkollës në lagjen Shegune

Alida ka vajzën e saj në moshë parashkollore dhe thotë se këtë vit është e pavendosur nëse do ta dërgojë vajzën në një institucion me të tilla kushte, ndërkohë që pandemia vijon të përhapet. Shkolla është vetëm 100 metra larg banesës, por kushtet e saj e bëjnë të hezitojë.

“Këtu nuk ka ujë. Nuk e di pse, pasi askush nuk e shpjegon, por nuk ka ujë që është i domosdoshëm. Të mos flasim për kushtet e tjera! Do kërkoj një kopësht në qytet, nëse nuk ma pranojnë do detyrohemi në privat. Me këtë çështjen e covid-it dhe në këto kushte po mendohem për të mos e çuar fare në kopsht këtë vit”.

Ndërkohë në Krastën e Vogël, për shkak se mungojnë kopshti dhe shkolla, rreth 300 familje, detyrohen të dërgojnë me autobus fëmijët në qytet, në shkollën “Adem Paralloi”, rreth 4 kilometra larg fshatit.

“I nisim me autobus që na ka vënë në dispozicion bashkia, si fëmijët e vegjël ashtu edhe ata në shkollë. Nuk e di si do t’ia bëjmë tani në kohën e Covid pasi në autobus e vështirë të ruhet distanca. Nuk dimë si do ndahen klasat dhe transporti i fëmijëve. Dimë që do e kemi shumë të vështirë!”- thotë Vjollca, nënë e një djali në moshë parashkollore dhe një vajze në klasën e pestë.

Askush nuk është i qartë sesi do sistemohen fëmijët në kushtet e pandemisë, por për një gjë janë të vendosur, nuk e përballojnë dot mësimin online.

“Nuk kemi parë askënd të vijë, të hapë dyert e të riparojë diçka në shkollën e fëmijëve tanë!”. Unë kam fëmijën në parashkollor. Klasa është e pranueshme, por shqetësimi im dhe i të gjithë prindërve është se për klasën e të vegjëlve nuk ka një lavaman për të larë duart. Fëmijët tanë ndajnë të njëjtën banjo me më të rriturit dhe për më tepër, banjot e shkollës tonë janë katastrofë. Nuk kanë lavamanë normalë, por prej muri, të pistë dhe jashtë funksioni. E gjithë lagështira përfundon në banjo me dyer të shkatërruara dhe papastërti. Sesi ka menduar shteti të hapë këto kopshte në mungesë të kushteve, ne nuk e dimë”- thotë A. Xhafa, me banim në Tregan.

Ditët e fundit, punonjës të bashkisë janë parë të ndërhyjnë në nyje higjienike të disa shkollave nëntëvjeçare në bashkinë Elbasan, por mungojnë ndërhyrjet në kopshtet pa drekë për t’u përshtatur në kushtet e Covid-19, sidomos në sigurimin e lavamanëve dhe të ujit te rrjedhshëm.

Bashkia Elbasan ka gjithsej mbi 200 institucione shkollore, nga të cilat 96 janë kopshte e çerdhe, 127 shkolla nëntëvjeçare dhe 23 shkolla të mesme. Në shkollat ku bëmë verifikimin për mungesën e kushteve higjienike, nuk na u lejua të bëjmë foto në mjediset e brendshme.

Zona urbane e Bashkisë Elbasan përfshin 16 kopshte, 8 prej të cilave pa drekë dhe tri çerdhe. Në njësitë administrative janë gjithsej 79 kopshte, të vendosura brenda ndërtesave të shkollave dhe ndajnë të njëjtat nyje higjienike. Gjithashtu, nga verifikimi në disa prej kopshteve të shpërndara në njësitë administrative, ka mungesa të kushteve higjienike dhe të pajisjeve hidrosanitare. Ata ndajnë të njëjta tualete me më të rriturit.

E pyetur për “Faktoje”, Bashkia Elbasan dha një përgjigje të pjesshme, vetëm pas ankimimit tek Komisioneri për të Drejtën e Informimit, duke konfirmuar se janë 3969 fëmijë që marrin shërbim në kopshte me drekë dhe pa drekë si dhe klasa pranë shkollave nëntëvjeçare në territorin e kësaj bashkie. Në përgjigje të kësaj kërkese institucioni deklaroi:

“Janë bërë ndërhyrje të pjesshme në tualete, izolime, meremetime dhe në rrjetin e ngrohjes. Brenda dy viteve janë instaluar sisteme ngrohëse në 5 institucione parashkollore. Janë rikonstruktuar kopshti nr.11 dhe çerdhja nr.4, kjo e fundit me kontribut të donatorëve. Ndërkohë janë bërë ndërhyrje të pjesshme dhe totale edhe në klasat e arsimit parashkollor në shkolla.”

Megjithatë bashkia, nuk jep shifra të tjera për sigurimin e kushteve higjienike në ndërtesat e shkollave, kopshteve apo çerdheve të përfshira në investim dhe nëse janë zbatuar.

Si masa shtesë për periudhën e pandemisë bashkia konfirmon pajisjen me higjienizues, vaska me solucion higjienizues, termometra digjitalë, postera, trajnim stafi etj.

Përgjigja e Bashkisë Elbasan

Nga një testim nëpërmjet mësuesve në disa shkolla të qytetit, fillimisht pati një shpërndarje të tillë, por në muajin korrik mjetet dhe pajisjet u hoqën, madje u shkulën edhe mbajtëset e letrave në tualete. Një rast i tillë është njoftuar nga mësues të shkollës së mesme “Ahmet Dakli” pa dashur të identifikohen me emër.

E pyetur mbi numrin e nxënësve për mjediset ku do zhvillohet mësimi, bashkia deklaroi se do respektohet raporti mësues/fëmijë sipas udhëzimit 30 të MASR, 1953 fëmijë-123 mësuese.

Së fundi, institucioni vendor duke konstatuar problemin e mungesës së ujit të rrjedhshëm deklaroi se janë duke u hapur 3 puse të reja, dy prej të cilave pranë shkollave të Balzës dhe Bradasheshit.

Ndërtimi i pusit në shkollën e Balzës

“Për shkollat që do të kenë probleme me ujin e rrjedhshëm, është caktuar ndërmarrja e ujësjellësit si furnizuese me bote.”- theksohet në deklaratën e Bashkisë Elbasan për mediat.

I kontaktuar për “Faktoje”, Blendi Musaj, drejtues i Inspektoriatit Shëndetësor në Elbasan, tha se do të nisë shumë shpejt inspektimet, me të patur një protokoll udhëzues për kushtet që duhet të plotësojnë institucionet shkollore në kohën e Covid-19.

Bashkia Elbasan ka bërë një tender për detergjentë me vlerën 2.4 milionë lekë në muajin korrik, ndërkohë ka një tender të hapur për ndërhyrje në godina në vlerën 5.8 milionë lekë, afati i shpalljes së të cilit është deri më 8.10.2020.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img