BallinaFaktometerPa kategoriQeveria Rama dhe premtimet konfuze për librat falas

Qeveria Rama dhe premtimet konfuze për librat falas

ANXHELA RUÇI

Ajo quhet Rejda dhe është 9 vjeç. Ky vit shkollor e gjen në klasën e katërt, pasi kaloi me rezultate maksimale klasën e tretë. Pak para fillimit të vitit shkollor 2018-të, iu drejtua shkollës për të marrë librat falas, ashtu siç premtoi kryeministri Edi Rama një ditë shtatori. Librat i mori në dorëzim në shkollën që ajo frekuenton shumë larg kryeqytetit, por në këmbim të librave ajo pagoi 17 mijë lekë të vjetra. Përveç kësaj në ditën e parë të shkollës, vogëlushes i mungonin disa libra në çantë.

Çfarë premtoi kryeministri dhe ministrja e Arsimit për librat falas dhe pajisjen në kohë me tekste shkollore?

“Risia e librave falas për të gjithë nxënësist nga klasa e parë në klasën e katërt për 190 mijë nxënës në Republikën e Shqipërisë.”- tha Rama gjatë takimit të 3 shtatorit me mësuesit.

Edhe ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve Lindita Nikolla gjatë një interviste në ERTV pak ditë më vonë përsëriti: “Sot janë 190 mijë dhe jo pak, rreth 2/3 e të gjithë nxënësve në sistemin tonë arsimor që përfitojnë tekste falas.”

Një tjetër premtim që Rama bëri : “Pakot me libra duhet t’iu shkojnë fëmijëve dhe prindërve në dorë para fillimit të vitit të ri shkollor dhe për këtë besoj se organizimi i bërë nga ministrja është i duhuri.”

Por cilat janë disa nga problemet me të cilat u hasën nxënësit me librat “falas” të qeverisë, një premtim i cili ka krijuar situata konfuze 

Nëse kërkon në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe” që daton që nga viti 1980, për shpjegimin shqip-shqip të ndajfoljes “falas” thuhet: Falas Pa paguar asgjë, pa kërkuar asnjë shpërblim.

Në këtë pikë, a mund të konsiderohet falas dhënia e këtyre librave për fëmijët të cilët në fundvit duhet t’i rikthejnë?

“Faktoje” pyeti në shkollat e disa qyteteve ku u shpërndanë tekstet shkollore dhe përgjigjja e tyre konsistonte në faktin se “falas” jepen librat dhe jo fletoret e punës të cilat janë të detyrueshme dhe i vijnë në ndihmë lëndëve të tilla si matematika, gjuha shqipe, apo disa lëndëve të tjera të cilat kanë nevojë për ushtrime shtesë. Në momentin që ministrja thotë “tekstet do të jenë falas” a nuk duhet që në këtë kategori të përfshihen dhe fletoret e punës, pasi në fund të fundit një pjesë e madhe e tyre janë të detyrueshme dhe të rëndësishme për zhvillimin e procesit mësimor?

Ashtu siç Rejda që për librat e klasës së katërt pagoi 17 mijë lekë (dhe nuk ishte e vetmja), edhe shokët e saj në klasë të tretë paguan 22 mijë lekë, apo ata të klasës së dytë paguan 28 mijë lekë.

“Faktoje” vuri re dhe një problem tjetër në shpërndarjen e librave “falas”. Në kryeqytet disa prindër nuk kanë paguar asnjë qindarkë për librat, ndërsa në qytetet periferike prindërit kanë paguar me lekë në dorë, pa marrë kupon tatimor për disa tekste. Pra një premtim i ministres dhe kryeministrit, zbatohet me dy standarde të ndryshme në 61 bashkitë e vendit.

Përpos kësaj, librat në fund të vitit shkollor nuk i mbeten nxënësve por ata duhet t’i qarkullojnë tek pasardhësit e tyre, e nëqoftëse libri është dëmtuar, vlerësim i cili jepet nga mësuesi, prindërit do të duhet t’i paguajnë. Disa prindër janë të sigurtë që do t’i paguajnë disa nga librat pasi fëmijët në disa raste e kanë të pamundur t’i mirëmbajnë sipas rregullave të përcaktuara.

Me pak fjalë, librat “falas” në fillim të vitit dhe në fund duhet të paguhen?! E gjitha kjo nënkupton një situatë e cila duket disi e pakuptimtë.

Siç e përmendëm edhe më herët, një sërë problematikash gjeneroi ky premtim. Një tjetër premtim i kryeministrit Edi Rama ishte pajisja e nxënësve me libra përpara fillimit të vitit shkollor, që nënkuptonte pajisjen e të gjithë fëmijëve në kohën e duhur dhe të plotësuar me tekste. Edhe pse shpërndarja e librave në shkollë ka filluar përprara nisjes së vitit të ri shkollor më 17 shtator, ende sot, disa nxënës nuk janë pajisur me të gjitha librat. Për shembull Rejdës në klasën e katërt i mungon “Matematika” dhe fletorja e saj e punës, “Gjuha shqipe”, “Vendlindja” dhe “Qytetaria”, ndërsa Desi në klasën e dytë, javën e dytë të shkollës ende nuk e ka parë sesi duket libri i  “Matematikës” dhe “Muzikës”, për të cilat mësuesja e tij kujdestare i ka premtuar që do t’i marrë së shpejti në dorëzim.

Deklarata e Ministres së Arsimit, Lindita Nikolla dhe kryeministrit të vendit Edi Rama, ashtu siç e shtjelluam në këtë artikull, ka shumë problematika në thelb të saj, të cilat “Faktoje” i ka listuar më sipër dhe rrjedhimisht këtë deklaratë do ta klasifikojmë PA KATEGORI.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img