BallinaPertejMinistria e Shëndetësisë mangësi në interpretimin e udhëzimeve të vetë institucionit

Ministria e Shëndetësisë mangësi në interpretimin e udhëzimeve të vetë institucionit

ANXHELA RUÇI

Një nga gjërat e mira që bën qeveria, është përdorimi i rrjeteve sociale si promotor i disa arritjeve apo investimeve të ndryshme që ajo kryen.  Një ndër këto investime ishte edhe inaugurimi i qendrës “Lilium” nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu vitin e kaluar.

Kjo qendër sipas ministres do të shërbente si strehë për viktimat e dhunës seksuale, me një shërbim 24/7 me mjekë, infermierë, mbështetës socialë e psikologë dhe shumë shërbime të tjera që do t’u vinin në ndihmë atyre që do të paraqiteshin në këtë qendër.

Pak ditë pas çeljes zyrtare, në “Faktoje” u denoncua fakti se kjo qendër e sapo inauguruar nuk ishte funksionale edhe pse në media ishte bërë publike se do të ishte në shërbim të viktimave të dhunës seksuale 24 orë në 7 ditë të javës.

Nisur nga ky denoncim ne shkuam disa herë pranë qendrës “Lilium” për të verifikuar se nga anonte peshorja e së vërtetës, nga ana e ministres Manastirliu sipas së cilës qendra do të ishte funksionale për viktimat e dhunës seksuale, apo nga ana e denoncuesve të rastit në fjalë sipas së cilëve inaugurimi i kësaj qendre ishte thjesht një spektakël mediatik.

Gjatë muajit dhjetor 2018, muaj në të cilin u inaugurua edhe qendra “Lilium”, ne trokitëm disa herë në dyert e saj dhe asnjëherë dera nuk ka qenë e hapur për të na thënë dikush qoftë edhe vetëm nëse funksiononte apo jo. Ne nuk patëm as kontakte me punonjës të kësaj qendre për të na dhënë një shpjegim se përse dyert e qendrës ishin gjithmonë të mbyllura.

Kësisoj nëpërmjet materialit tonë video, ne denoncuam faktin se një investim i bërë publik nga ministria përkatëse ishte thjesht mediatik dhe se viktimat e dhunës seksuale nuk po merrnin shërbim pranë qendrës “Lilium” duke qenë se dyert ishin të mbyllura dhe asnjë personel nuk ishte parë të hynte apo të dilte në këtë qendër. Të gjendur në këtë situatë, kërkuam zyrtarisht që të kontaktonim me drejtuesin/en e kësaj qendre, por reagimi erdhi vetëm pasi video u bë publike në Faktoje.al

 

Video e publikuar në Janar 2019

Përfaqësues nga departamenti për Çështjet sociale dhe Barazisë Gjinore në MSHMS, pasi kishin parë videon e sipërpërmendur, kontaktuan me ne dhe kërkuan që video të hiqej nga webi, pasi sipas tyre kishim dekonspiruar vendndodhjen e qendrës dhe se qendra duhej të ishte e fshehtë e askush nuk duhet të mësonte se ku ndodhej. Pra, sipas ministrisë vendndodhja nuk duhej të bëhej publike pasi dëmtonte viktimat e dhunës seksuale.

Që këtu fillojnë edhe problematikat e kësaj qendre.

Përse një qendër që duhet të jetë e fshehtë inaugurohet publikisht pothuajse në të gjitha mediat në vend dhe promovohet hapur në rrjete sociale?

Përse gjatë inaugurimit u tha se kjo qendër do të ishte në dispozicion të plotë 24 orë në 7 ditë të javës dhe asnjëherë nuk e pamë një gjë të tillë gjatë vëzhgimit tonë?

Për të gjitha këto dhe një sërë pyetjesh të tjera ne u përpoqëm t’i mësonim në rrugë zyrtare. Pretendimet e saj, zyrtarë të ministrisë i argumentuan më të dhëna që gjendeshin në baza ligjore dhe këtë të fundit ne kërkuam të na e vinin në dispozicion.

Në vijm do të sjellim një përballje midis argumentave të zyrtarëve të ministrisë që kërkuan heqjen e videos nga webi pasi sipas saj kjo qendër duhet të ishte e fshehtë, dhe bazës ligjore që vetë ministria dërgoi për të përforcuar idenë se qendra duhet të ishte e fshehtë dhe që në çdo rast tregojnë në fakt se si gazetarë nuk kemi gabuar dhe se nuk kemi dekonspiruar aspak vendndodhjen e qendrës.

Baza ligjore tek e cila  “Faktoje” është mbështetur për të bërë këtë ballafaqim është “Konventa e Këshillit të Europës për parandalimin dhe luftimin e dhunës kundër grave dhe dhunës në familje” njohur ndryshe si Konventa e Stambollit si i dhe Udhëzimi nr.816 i ministrisë “Për miratimin e standardeve të ofrimit të shërbimit dhe të funksionimit të qendrave të menaxhimit të krizës, për rastet e dhunës seksuale”

Së pari zyrtarët përkatës të ministrisë thonë se publikimi i adresës dhe identifikimi i qendrave si ajo “Lilium” është në shkelje të të gjithave rregullave dhe ligjeve Shqiptare dhe Europiane.

Në videon e publikuar nga “Faktoje” asnjëherë nuk është dhënë vendndodhja e qendrës “Lilium”. Të bindur se “Faktoje” nuk kishte shkelur asnjë të drejtë ligjore, stafi kërkoi dhe shfletoi çdo ligj dhe nen respektiv të tij për këtë çështje, çdo konventë të hartuar, çdo udhëzim të ministrisë dhe askund nuk gjetëm ndonjë rresht që të mund të na ‘’penalizonte’’ për atë çfarë kishim realizuar në terren.

Argumentin e dytë në favor të ‘’Faktoje’’ e gjejmë tek udhëzimi i vetë ministrisë, i cili në brendësi të tij tregon qartë për vendin se ku ndërtohet një qendër e tillë për viktimat e dhunës seksuale.

Paragraf i shkëputur nga Udhëzimi 816 datë 27.11.2018

Gjithashtu në Konventën e Stambollit në nenin 20, 22, 23 dhe 25 e bardha mbi të zezë shkruhet se këto qendra duhet të jenë lehtësisht të aksesueshme për viktimat e dhunës seksuale, me shpërndarje të mjaftueshme gjeografike dhe në numër të mjaftueshëm.

 Paragrafë të shkëputur nga Konventa e Stambollit

Një nga pyetjet që shtroi “Faktoje” ishte se përse dyert e qendrës ishin të mbyllura. Me një logjikë të thjeshtë mund të supozojmë se gjatë kohës që dyert janë të mbyllura, në të mund të trokasin viktima të dhunës seksuale për të kërkuar ndihmë, pasi edhe ministrja në promovim e tha qartë se shërbimi do të jetë 24/7.

Por zyrtarë të ministrisë thanë se viktimat e dhunës seksuale nuk mund të shkojnë drejtëpërdrejtë në qendër dhe të kërkojnë ndihmë por ato pranohen në të vetëm pas denoncimit në polici apo pasi paraqiten pranë mekanizmave të tjera të referimit të dhunës dhe nëse një nga këta aktorë nuk e dërgon viktimën pranë qendrës, atëherë kjo derë nuk hapet.

Epo duket qartë se ne kemi më shumë se një kundërargument për pretendimet e dhëna nga MSHMS. “Faktoje” nuk u mjaftua vetëm me bazën ligjore por kontaktoi edhe me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranës për të pyetur nëse është një detyrim ligjor që viktimat e dhunës seksuale duhet të kalojnë së pari në Komisariat dhe më pas të orientohen në qendra apo streha, apo mund të ndodhë edhe ndryshe. Në përgjigjen e saj, DVPT-ja thotë se nuk ekziston një detyrim i tillë ligjor dhe se policia mund të shkojë në qendrat apo strehat për ta marrë aty denoncimin pas akomodimit të të dhunuarit/ës.

Shkëputur nga përgjigjia zyrtare e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë

Një tjetër kundërargument gjendet dhe në Udhëzimin nr.816 të ministrisë, ku në një prej paragrafëve përmendet se: “Viktima mund t’i drejtohet dhe vetë Qendrës së Menaxhimit të Krizës për rastet e dhunës seksuale kur ka marrë informaione për funksionimin e saj”.

Paragraf i shkëputur nga Udhëzimi nr.816 datë 27.11.2018

Edhe në përgjigjen e saj zyrtare ministria e përmend faktin se viktimat mund të paraqiten vetë pranë qendrës, duke rënë në kundërshtim me argumentin që zyrtarët përkatës të këtij institucioni kanë dhënë se përse dyert e qendrës ishin të mbyllura.

Shkëputur nga përgjigjia zyrtare e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

Megjithatë për të qenë edhe më konkretë, ne kërkuam të dinim numrin e rasteve që janë adresuar në këtë qendër apo që mund të kenë marrë shërbimin përkatës pranë saj. Që nga inagurimi i kësaj qendre, më 4 dhjetor 2018 deri në dy javët e para të janarit sipas ministrisë në qendrën “Lilium” nuk ishte trajtuar asnjë rast i dhunës seksuale. Sigurisht, është pozitiv fakti se nuk paska patur raste dhune, por kjo nuk do të thotë që në qendër s’duhet të jetë askush i pranishëm.

Ndërkohë, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë thotë se gjatë të njëjtës periudhë ka pasur dy raste denoncimi për dhunën seksuale, por për arsye që nuk bëhen të ditura, këto raste nuk janë orientuar në qendrën “Lilium”.

Me sa duket disa zyrtarë hera- herës prevalojnë mbi çdo ligj dhe konventë dhe e vendosin ata nëse qendra të tilla si p.sh.  “Lilium” e inauguruar për viktimat e dhunës seksuale duhet të jetë me dyer të hapura apo me dyer të mbyllura e nëse duhet të jetë e fshehtë apo publike për të gjitha viktimat.

Pretendimet e zyrtarëve të ministrisë ne i kemi argumentuar me ligje që vetë ata na i kanë dërguar. Ndoshta përpara se pushtetarët të kërkojnë që të censurojnë median dhe të japin urdhër për “zhdukjen” e lajmeve që cënojnë imazhin  e tyre apo të institucioneve, të lexojnë së pari ligjet që citojnë.

Ky ishte denconcimi i “Faktoje”, një qendër e inaguruar dhe deri në momentin që u bë publike prej nesh, ajo nuk ishte funksionale. Sesi do jetë ecuria e kësaj qendre që trajton një plagë të shoqërisë siç është dhuna seksuale, mbetet për t’u parë në vijim.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img