BallinaPertejUrgjenca Kombëtare me një helikopter të vetëm

Urgjenca Kombëtare me një helikopter të vetëm

ANDI BORA

Rastet e urgjencave mjekësore në vendin tonë që kërkojnë transport me helikopter, nuk janë të rralla.

Por si përballohen ato? Ne dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë ka vetëm 1 helikopter nga 7 që numërohen në inventarin e këtij institucioni.

Në dhjetor të vitit 2015, me anë të një Vendimi të Këshillit të Ministrave, helikopterët e Ministrisë së Shëndetësisë qeveria ia kaloi për administrim asaj të Mbrojtjes.

Pas interesimit të “Faktoje” në Ministrinë e Mbrojtjes, morëm këtë përgjigje:

“Dy helikopterë të urgjencës janë në proces mirëmbajtjeje (remont), ndërsa katër të tjerë janë jo funksional pasi nuk plotësojnë më kriteret e parashikuara për fluturim”.

Çfarë ndodh nëse paraqiten njëkohësisht dy raste urgjence në skaje të ndryshme të vendit?

Komandanti i Bazës Ajrore të Helikopterëve në Farkë, Kuto Hasani, na tha përmes komunikimit telefonik se nëse ka më shumë se një rast urgjence mjekësore që kërkon transport me helikopter, me kërkesë të Urgjencës Kombëtare , Ministria e Mbrojtjes vendos helikopterët e saj në dispozicion, bazuar në një VKM të vitit 2015.

“Faktoje” komunikoi gjithashtu edhe me ish Shefin e Shërbimit Teknik me gradën Major, në bazën ajrore të Kuçovës, Qiriako Totoni, i cili shpreh shqetësimin për mangësitë logjistike për rastet e urgjencave mjekësore.

“Për kushtet e vendit tonë mendoj se një helikopter nuk është i mjaftueshëm për të mbuluar emergjencat mjekësore që kanë nevojë për transport ajror”, u shpreh Totoni.

Ministria e Mbrojtjes në përgjigjen zyrtare për “Faktoje”, vuri në dispozicion informacionin e detajuar për misionet e urgjencave mjekësore të kryera me transport ajror.

 Kulmi i numrit të misioneve të kryera me helikopterët e urgjencës mjekësorë është shënuar në 2012-n, ndërsa vetëm në fillim të këtij viti numërohen të paktën 60 misione.

Ndër rastet e fundit  me të cilin është përballur ekipi i urgjencës mjekësore të transportit ajror, është shpëtimi i alpinistes në janar të këtij viti.

Helikopterët në remont, kur do të jenë gati për misione?

I pyetur për kohëzgjatjen e procesit të mirëmbajtjes, ish Shefi i Shërbimit Teknik, Totoni, tha:

“Mbas plotësimit të resurseve teknike të avionit apo motorit(motorëve) kryhet kontrolli dhe eliminimi i të metave që konstatohen. Koha e këtij procesi është e përcaktuar. Mund të variojë nga një muaj apo edhe më shumë. Mbas kësaj, uzina jep garanci në orë fluturimi apo punimi të motorit. Kjo varion nga tipi i avionit apo motorit”.

Ndërsa, Komandanti i Bazës Ajrore të Helikopterëve në Farkë, Kuto Hasani, tha se procesi i mirëmbajtjes së dy helikopterëve po ecën me shpejtësi, por nuk dha një afat përfundimtar.

Modelet, viti i prodhimit dhe kostot e blerjes së helikopterëve

I vetmi helikopter në funksion është i modelit EC 135 P2+, i prodhuar në vitin 2013 dhe ka kushtuar rreth 4 milionë euro. Ky helikopter u ble në vitin 2014 nga qeveria shqiptare.

Dy të tjerët që janë në proces mirëmbajtje janë të modelit BO-105 E4, të prodhuar përkatësisht në vitet 1980-1982 dhe kanë kushtuar 1.94 milionë euro.

Ndërsa katër helikopterët që janë propozuar për t’u nxjerrë nga shërbimi, janë të modelit ALOUETTE III/ SA, të prodhuar në vitet 1974 – 1979. Kostot e tyre kapin vlerën e 1.24 milionë eurove. Këta helikopterë janë angazhuar në misione për më shumë se 20 vite.

Në total, e gjithë flota e helikopterëve të urgjencës mjekësore ka kushtuar 7.18 milionë euro.

Aktualisht në dispozicion të urgjencave mjekësore që kërkojnë transport ajror janë 6 pilotë.

Deri në momentin e përfundimit të remontit, Urgjencës Kombëtare, do të duhet të kërkojë ndihmën e Ministrisë së Mbrojtjes për kryerjen e misioneve.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img