Lajmi mbi përcaktimin që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë lidhur me propozimim e vëzhguesve për zgjedhjet e 14 majit 2023 është keqinterpretuar nga portalet si “njohje ligjore të Lulzim Bashës si kryetar i PD-së nga KQZ-ja”. Përtej keqinformimit mbi vendimin procedurial të KQZ, rikujtojme se pas dorëheqjes së Lulzim Bashës nga kryesimi i partisë në Mars 2022, “vulën” e partisë e ka nënkryetari i partisë Enkelejd Alibeaj.

Jona Plumbi

Përcaktimi nga KQZ i partive që do të kenë anëtarë në Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor në zgjedhjet e ardhshme vendore, është nxjerrë jashtë konteksti nga portali zgjohushqiptar.info. Kjo procedurë mëse burokratike e KQZ ka shërbyer për të njoftuar nga portal si certifikim nga KQZ i Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike dhe mbetjen pa vëzhgues të kryetarit de facto të partisë, Sali Berisha.

E FUNDIT/ KQZ njeh ligjërisht Lulzim Bashën si kryetar të PD, Berisha mbetet pa përfaqësues në KZAZ”, shkruan titulli i artikullit të publikuar nga portal në 9 janar. Duke verifikuar më tej përmbajtjen e artikullit mund të zbulohet se titulli është një keqinterpretim i procedurës së Kodit Zgjedhor, i cili ngarkon KQZ me detyrën për të caktuar anëtarët e komisioneve zonale që organizojnë procesin e votimit bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të fundit dhe mandateve të fituara nga partitë garuese. Sipas nenin 29 të Kodit Zgjedhor, KZAZ përbëhen nga 7 anëtarë dhe sekretari, nga të cilët “dy anëtarë propozohen nga partia kryesore e shumicës parlamentare, dy anëtarë propozohen nga partia kryesore e opozitës parlamentare, një anëtar propozohet nga partia e dytë e shumicës parlamentare dhe një anëtar propozohet nga partia e dytë e opozitës parlamentare”.

Gjithashtu, duhet të kujtojmë se Lulzim Basha dha dorëheqjen si kryetar i partisë pas zgjedhjeve të pjesshme lokale të Marsit 2022 dhe se mbledhja proceduriale e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve gjatë të cilit  “komisioneri përcaktoi partitë poltike që do të propozojnë anëtarët dhe sekretarët e KZAZ-ve, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore” nuk ka të bëjë aspak me certifikimin e njërit apo tjetrit në krye të partisë.

Kontekst

“Çarja e madhe” në Partinë Demokratike ndodhi pas zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit 2021, për të kulmuar në Janar të vitit 2022, kur selia e PD u kthye në arenën e përplasjes mes dy grupimeve. Në një anë, mbështetësit e Lulzim Bashës dhe vendimin e tij për të përjashtuar Sali Berishën nga grupi parlamentar demokrat pas shpalljes non grata nga SHBA-ja. Në anën tjetër mbështetësit e Sali Berishës të cilët akuzojnë Lulzim Bashën se “e shiti” liderin historik të partisë dhe të cilët nuk e pranojnë largimin e Berishës nga grupi parlamentar i PD-së.

Sali Berisha vendosi të rimarrë kontrollin e partisë përmes thirrjes së mbledhjes së organit më të lartë vendimmarrës të Partisë Demokratike, Kuvendit Kombëtar, në datën 11 Dhjetor 2021. Një nga vendimet e kësaj mbledhjeje ishte edhe shkarkimi i Lulzim Bashës. Një javë më vonë, Lulzim Basha organizoi një tjetër mbledhje të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike. Nga ky moment, nisi beteja ligjore për vulën dhe logon e PD-së.

Dy janë çështet në gjykatë lidhur me drejtimin e Partisë Demokratike.

E para, është çështja gjyqësore që ndodhet në gjykatën e Apelit të Tiranës, pas vendimit të gjykatës së shkallës së parë, që njohu Kuvendin kombëtar të 11 Dhjetorit, thirrur nga Sali Berisha ku u votua edhe shkarkimi i Lulzim Bashës. Ky vendim u apelua nga Enkelejd Alibeaj dhe pret ende gjykim.

*faksimile e vendimit të Gjykatës së Tiranës mbi Kuvendin e datës 11 Dhjetor
*faksimile e vendimit të Gjykatës së Tiranës mbi Kuvendin e datës 11 Dhjetor

E dyta, është çështja gjyqësore përmes së cilës Enkelejd Alibeaj kërkon regjistrimin e vendimeve të Kuvendit të 18 dhjetorit. Edhe ky një proces që pret të gjykohet.

Dorëheqja e Lulzim Bashës

Deri në Mars të 2022-shit, në zgjedhjet e pjesshme lokale, Lulzim Basha ishte ende kryetar i Partisë Demokratike, ashtu si figuron edhe në regjistrimin e subjekteve për zgjedhjet në KQZ. Por pas zgjedhjeve, në 21 mars 2022, Basha njoftoi dorëheqjen e tij si kryetar i PD-së.

Sipas statutit të Partisë Demokratike, kryesimi  partisë  kalon njërit nga nënkryetarëve të partisë.

Nënkryetarë të Partisë Demokratike janë Jorida Tabaku dhe Enkelejd Alibeaj, por përmes një njoftimi për media, Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi komunikoi se Jorida Tabaku u tërhoq nga “e drejta statutore për t’u propozuar në Këshillin Kombëtar për drejtimin e Partisë” duke komanduar Enkelejd Alibeajn në krye të Partisë.

Përfundimi

Pavarësisht mënyrës si shkojnë çështjet ligjore që Partia Demokratike ka në Gjykatë, një gjë është e sigurtë, Lulzim Basha nuk është më kryetari i saj dhe kjo falë dorëheqjes së tij. Ndaj nuk ka asnjë mënyrë se si KQZ-ja të njohë ligjërisht Bashën si kryetar.