BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookKistet në gji nuk zhduken me “kurën” me raki e hudhër

Kistet në gji nuk zhduken me “kurën” me raki e hudhër

 

Kistet në gji nuk mund të trajtohen me hudhër dhe raki, një metodë kjo tipike shqiptare që ofrohet si zgjidhje për çdo shqetësim. Mjekët theksojnë për “Faktoje” se çdo formacion i evidentuar në gji duhet të vlerësohet nga specialisti, pasi ai do të japë trajtimin e duhur.

————————————————————————————————————-

Më 5 janar, në rrjetet sociale ka qarkulluar një video, ku ofrohet një kurë për të trajtuar kistet në gji. Kura e sugjeruar ka në përmbajtje raki, hudhër, rigon, piper të zi dhe karafil. Zonja në video, që ofron këshilla falas, ashtu siç quhet dhe profile i saj, pretendon se kjo metodë zhduk kistet në gji.

Screenshot nga faqja e Facebook, këshilla falas

Vihet re se postimi ka marrë më shumë se 37 mijë shikime, qindra pëlqime dhe komente, duke shërbyer si një burim dizinformimi për një numër të madh lexuesish. Nuk mungojnë për fat të mirë, edhe ata komentues që kanë shprehur shqetësimin se këto “këshilla” po rrezikojnë jetën e qytetarëve.

Për të informuar saktë lexuesit, “Faktoje” vendoi të bëjë një verifikim të postimit të shpërndarë në rrjetet sociale. Ne pyetëm fillimisht mjeken senologe, Edlira Rehovica, nëse kjo metodë ofron zgjidhje kundër kisteve në gji.

Formacionet kistike janë formacione që meritojnë ndjekje dhe trajtim mjekësor të specializuar. Deri më sot nuk ka asnjë studim mbi efektin e asnjë bime në zhdukjen e kisteve. Te vetmet medikamente që perdoren në trajtën e suplementeve dhe që kanë bazë bimore janë ‘vaji medikamentoz i marrë nga ekstraktet e lules së agulices’ ose ‘Evening prime rose oil’. Trajtimi me këtë suplement, kombinuar me Vitaminën E në dozë të lartë (400 IU) ka efekt qetësues në dhimbjet e shkaktuara nga prania e kisteve, por jo në zhdukjen e tyre” argumenton specialistja.

Më tej, mjekja thekson se nëse formacionet kistike janë nën 1 cm mund të kenë një zhdukje apo plasje spontane, në të kundërt, e vetmja teknikë që eleminon kistet është kirurgjia.

Kuptohet që përpara teknikave kirurgjikale provohen teknikat mini-invazive (aspirimi i përmbajtjes ujore të kisteve). Duhet theksuar se pas aspirimit mund të ketë përsëri rimbushje të kisteve”, shton ajo.

Doktoreshë Rehovica sugjeron se çdo formacion i evidentuar në gji duhet të vlerësohet nga mjeku specialist, pasi ai do të japë trajtimin e duhur sipas formacionit. “Formacionet në gji ‘nuk falin’, nëse humb kohë me mjekime popullore të pakuptimta”, përfundon mjekja.

Nëse do t’i referohemi burimeve të besueshme të informacionit, sugjerohen disa masa për të të lehtësuar dhimbjet  që mund të shoqërojnë kistet, si përdorimi i kompresave të ngrohta ose të ftohta, shmangie e kafeinës apo medikamente kundër dhimbjes, nëse mjeku juaj i rekomandon. Gjithsesi, nuk ka asnjë provë që ndonjë prej këtyre masave dhe produkteve të ndihmojë në eleminimin e kistit të gjirit.

Edhe në këtë rast, është shumë e rëndësishme të bisedoni me mjekun tuaj për çdo vitaminë, ilaç bimor ose suplemente të tjera dietike që mendoni të merrni.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin
Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img