BallinaFaktometerE PavërtetëDurrës, 5 mijë pemë të reja brenda 2022?

Durrës, 5 mijë pemë të reja brenda 2022?

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako, ka konfirmuar mbjelljen e 5000 pemëve gjatë vitit 2022, në kuadër të nismës ‘Për një Durrës të gjelbër’.  Bashkia Durrës për Faktoje, konfirmon një shifër edhe më të lartë se kryebashiakja, 6336 pemë brenda vitit. Por vitin e kaluar pati vetëm një tender për blerjen e 3030 pemëve dekorative me çmim disafish më të larta se tregu. Pas verifikimit për Faktoje, në ditët e fundit të dhjetorit dhe fillim të vitit 2023, Bashkia ka shtuar postimet në rrjetet sociale për mbjelljen e pemëve dekorative.

Nga Albina Hoxhaj

Pak ditë para zgjedhjeve të pjesshme vendore, në fillim të marsit 2022, kandidatja për kryetare e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako o u zotua se në harkun kohor të tre viteve Bashkia e Durrësit do të mbjellë 15 mijë pemë, duke konfirmuar në një intervistë në News 24 mbjelljen e 5000 pemëve vetëm brenda vitit 2022:

“….Këtë vit (në 2022) ky numër është 5 mijë”

Nisur nga kjo deklaratë, Faktoje kërkoi të dijë se në ç’fazë është realizimi i këtij premtimi duke iu drejtuar me kërkesë për informacion Bashkisë Durrës më 17 tetor 2022. Në përgjigjen zyrtare bashkia konfirmoi se gjatë 2022 janë mbjellë 6.336 pemë.

Më tej bashkia e Durrësit specifikoi se për këtë numër pemësh, të mbjella sipas saj në 2022, janë shpenzuar mbi 35 milionë lekë me tvsh.

Tabela në vijim që ka vënë në dispozicion bashkia jep detaje për 3030 pemë të blera, llojin e tyre dhe koston për njësi. Në tabelë specifikohen edhe detaje të tjera si plehu kimik dhe mbajtëset e pemëve të blera.

Nga tabela bie në sy se çmimi për një pemë dekorative varion nga mbi 6 400 lekë deri në 35 000 lekë të reja.

Ne u interesuam pranë një biznesi që ndodhet në autostradën Durrës-Tiranë se sa shitet i njëjti lloj peme. Çmimet në treg sipas llojit të pemëve renditen në tabelën e mëposhtme:

 

Artikulli Kostoja për njësi Sasia Çmim shumice për njësi (me zbritje)
Magniolagrandifiora (manjole) 3500 30 3300
Tigliatomentosa (bli) 5500 200 5000
Aculushyppocastanum (geshtenje) 700 50
Prunuscaracifera (kumbull e kuqe) 12000 30
Platanusorienalis (rrap) 5500 2720 5000

 

Nga një krahasim i çmimeve që ka paguar bashkia dhe atyre të tregut rezulton një difrencë e ndjeshme.

Përshembull, nëse një Manjolë është blerë nga bashkia me çmimin 25 000 lekë të reja, në treg (pa aplikuar uljen) e njëjta kushton 3 500 lekë, gati 7 herë më lirë. Të gjitha llojet e pemëve të blera përmes tenderit, janë me çmim disafish më të lartë se tregu.

Lidhur me këto të dhëna, specialisti i ekonomisë Pano Soko thotë:

“Ky është një rast flagrant se si kryhen abuzimet me tenderat në Shqipëri. Kjo është mënyra se si paratë publike abuzohen duke përdorur çmime fiktive të shtrenjta për produkte që kushtojnë shumë herë më lirë në qoftëse i krahasojmë me tregun. Paratë që do të duhej të përdoreshin për mbjelljen e pemëve në qytetin e Durrësit për atë sasi që pretendon bashkia duhet të ishin shumë herë më lirë se sa vlera që ka paraqitur bashkia” -vlerëson Soko.

Por përtej çmimit të kripur, rezulton se numri i pemëve të blera gjatë 2022 dhe të mbjella është thuajse gjysma e atyre që deklarohet zyrtarisht nga Bashkia, e cila po vetë në listën (më lart) e dërguar për Faktoje rendit 3030 pemë gjithsej.

Ndaj ne iu drejtuam me një tjetër kërkesë bashkisë Durrës ku kërkuam të dimë hollësi në lidhje me blerjen dhe mbjelljen e 6336 pemëve.

Screen i kërkesë për informacion dërguar Bashkisë së Durrësit

 Bashkia ktheu përgjigje vetëm pas ankimimit te komisioneri, në janar 2023.

Sipas kësaj përgjigjeje, të dhënat për blerjen e 6336 pemëve gjendeshin në faqen app.gov.al. Nga verifikimi online, për vitin 2022 gjetëm se është kryer vetëm një tender për blerjen e 3030 pemëve gjithsej dhe jo 6636 sa ç’pohon bashkia Durrës. Me këto të dhëna kuptohet që këto pemë duhet të jenë mbjellë nga tetori deri në dhjetor 2022.

Të dhënat e kontratës së tenderit në maj 2022, janë 3030 pemë

 Një tender tjetër i datës 18-07-2022, me vlerë të fondit limit 1 541 50000 dhe me afat kohor 30 ditë parashikon vetëm blerje të pesticideve dhe jo të pemëve.

Të dhënat e kontratës për tenderin e korrikut 2022, ka vetëm blerje pesticidesh

Kjo e lë pa shpjegim se ku janë gjetur 3000 pemët e tjera. Por le të supozojmë se ka pasur pemë të blera më herët. Ne vijuam kërkimin për tendera të kryer më herët për blerjen e pemëve dekorative nga bashkia Durrës. Në 26-10-2021, është shpallur një tender me objekt gjelbërimi i qytetit, me fond limit 16 628 000,00 dhe afat kohor 30 ditë. Kontrata është lidhur në 14 shkurt 2022 dhe parashikohet blerja e 620 pemëve.

Të dhënat e kontratës nga tenderi i tetorit 2021, janë 620 pemë

 

Me të dhënat nga këto tendera, numri i pemëvë të blera në 2021 dhe 2022, nuk i kalon 3700 copë nga 6336 që konfirmon bashkia se janë mbjellë në Durrës gjatë vitit që lamë pas. Gjatë kërkimit të tenderave me objekt gjelbërimin dhe blerje pemësh dekorative, na rezulton edhe një tender i hapur në shtator 2019, ndërsa fituesi është njoftuar në gusht 2020, disa muaj pas tërmetit tragjik të nëntorit të atij viti.

Tenderi, pa konkurrentë është përfituar nga “A.M.E 2020” shpk, ish kompania Kajmaku. Të dhënat e kontratës së këtij tenderi, siç paraqiten në tabelat më poshtë, tregojnë blerjen e 117 pemëve dhe mbi 4700 copë shkurre dekorative, të cilat sipas parashikimeve do të ishin mbjellë gjatë vitit 2020. Se sa është realizuar kjo mbjellje në një kohë kur Durrësi ishte ende në kaos dhe nuk ishin hequr as inertet nga tërmeti shkatërrues, kjo mbetet një pikëpyetje.

Të dhënat e kontratës së tenderit të shpallur në gusht 2020, janë 117 pemë dekorative

Të dhënat e kontratës së tenderit të shpallur në gusht 2020, janë 4732 shkurre dekorative

Numri total i pemëve nga të gjithë tenderat e lartpërmendur shkon 3767 pemë.

 Verifikimi në faqen zyrtare të bashkisë Durrës në Facebook

Pjesë e verifikimit për këtë çështje ka qene edhe faqja zyrtare e  Bashkisë Durrës në Facebook ku promovohen rregullisht punët publike të këtij institucioni.

Vlen të përmendet se pas këmbënguljes për të marrë informacion të detajuar për numrin e pemëve të mbjella, vihet re një shtim i numrit të postimeve për këtë tematikë.

Për gjithë vitin 2022, ne identifikuam rreth 33 postime që tregojnë aktivitetet e nismës Për një Durrës të Gjelbër. Në shumicën e tyre jepen të dhëna vetëm për zonat dhe llojin e pemëve apo bimëve të mbjella, por jo me shifra. Përshembull njoftimet për mbjelljen e pemëve gështenjë në rrugën “Aleksandër Goga“, në rrugën „Shoqëria Bashkimi“, pemë bliri në rrugën Fetah Bllaca etj. nuk ilustrohen me shifra.

Vetëm në postimin e datës 30 dhjetor njoftohet mbjellja e 150 pemëve rrap në rrugën e Dëshmorëve, apo në datën 13 mars 2022 ku tregohet për mbjelljen e 200 pemëve bli në sheshin Taulantia.

Postimi në Facebook i Bashkisë Durrës, 30 dhjetor 2022

 

Në postimet për mbjelljen e pemëve të sponsorizura nga biznese apo me vullnetarizëm qytetar jepet numri i saktë, të cilat sipas përllogaritjeve tona, nuk shkojnë as në 400 copë gjithsej për vitin 2022.

 Verifikimi në terren 

Siç e përmendën më lart, në ditët e fundit të muajit dhjetorit bien në sy postime të njëpasnjëshme për mbjellje pemësh në Durrës nga Bashkia, e cila ka marrë të paktën dy kërkesa për informacion në lidhje me këtë çështje. Ndërsa prisnim përgjigjen e radhës nga ky institucion, ne bëmë një verifikim në terren në mesin e muajit dhjetor.  Ndërsa më poshtë është tabela me llojet e pemëve dhe rrugët zonat ku sipas bashkisë janë mbjellë 6336 pemët (përgjigje e dërguar në javën e parë të janarit 2023)

Lista e dërguar nga Bashkia Durrës më zonat ku janë mbjellë sipas saj 6336 pemët në 2022

Ne shkuam në shëtitoren Taulantia ku bashkia thotë se në 2022 ka mbjellë 200 pemë bli dhe disa pemë pisha. Po sipas këtij institucioni edhe pemët dekorative të blera me tenderin e njoftuar në 2020-n janë mbjellë po në këtë shesh.

Verifikimi në terren në sheshin Taulantia tregon se ka zëvendësime dhe mbjellje të reja pemësh. Kjo njoftohet në disa postime të bashkisë Durrë gjatë muajit mars, prill, korrik të 2022.

Sheshi Taulantia në Durrës, dhjetor 2022

Sheshi Taulantia në Durrës, dhjetor 2022

 Në mesin e dhjetorit ne verifikuam edhe në rrugën “Aleksandër Goga” ku bashkia thotë se ka mbjellë pemë gështenje. Përgjatë gjithë rrugës nuk kishte pemë të reja, me përjashtim të disa zëvendësimeve të pemëve që siç duket janë dëmtuar. Pemët e tjera, ishte qartësisht e dallueshme se ishin mbjellë vite më parë.

Rruga Aleksandër Goga, Durrës, dhjetor 2022

Rruga Aleksandër Goga, Durrës, dhjetor 2022

Mbjellja e pemëve të gështenjës dhe blirit, u krye pak ditë pas verifikimit tonë në rrugën Aleksandër Goga sipas postimeve  në datat 19 dhe 27 dhjetor 2022. E njëjta gjë ndodhi edhe në “Rrugën e Dëshmorëve” dhe në Rrugën “Shoqëria Bashkimi” për të cilat bashkia njoftoi përmes Facebook shtimin e pemëve të llojit rrap në 30 dhjetor 2022, ndërkohë që deri në atë moment kishte pemë ekzistuese dhe pak disa zëvendësime.

Rruga e Dëshmorëve, Durrës dhjetor 2022

Rruga “Shoqëria Bashkimi”, dhjetor 2022

Rruga “Shoqëria Bashkimi”, pemë ekzistuese deri në mesin e dhjetorit 2022

Rruga “Shoqëria Bashkimi”, pemë ekzistuese, mes dhjetori 2022

Në krah të rrugës “Shoqëria Bashkimi” në ditët e fundit të dhjetorit 2022 po punohej për një hapësirë të gjelbër, por pemët e reja ende nuk ishin mbjellë në momentin e verifikimit.

Një tjetër hapësirë e cila pretendohet të jetë e gjelbër është lulishtja në lagjen 17. Deri në fund të dhjetorit nuk kishte asnjë pemë të re të mbjellë dhe në të dyja anët e rrugës vijonte puna për rikonstruksionin e saj.

Lagjja 17, Durrës, dhjetor 2022

Në rrugën “Fetah Bllaca”, janë mbjellë pemë bliri, ndërsa në rrugën paralel me portin janë mbjellë pemë të llojit rrap si dhe bimë e shkurre dekorative.

Pemët e mbjella në rrugën “Fetah Bllaca”, mes dhjetori 2022

Pemët e mbjella në rrugën paralel me Portin, mes dhjetori 2022

Rruga nga Royal Gaz deri tek universiteti nuk ishte mbjellë asnjë pemë, ndërkohë që nga universiteti deri tek Eco Park ishte mbjellë nga të dyja krahët.

Rruga drejt Eko Parkut, Durrës, dhjetor 2022

Rruga Royal Gaz, Durrës

Ndërkohë në javën e parë dhe të dytë të janarit 2023, Bashkia Durrës njoftoi mbjelljen e 1000 pemëve në Sheshin Taulantia.

Çfarë thonë ekspertët për pemët e përzgjedhura

Pas verifikimit që tregoi se në vitin 2022 janë mbjellë thuajse gjysma e pemëve që konfirmohen nga bashkia Durrës, ne morëm edhe mendimin e ekspertëve në lidhje me llojin e pemëve dekorative të përzgjedhura.

“Rrapin e kemi parë rëndom si bimë zbukuruese në rrugët tona. Por nuk është zgjedhje e mençur. Rrapi ka rritje të shfrenuar si në hapësirë, dhe nëntokë, me pasoja në asfalt, trotuar, themele; është bimë me veti alergjike për qimet mbuluese mbi gjethe; nuk është ndonjë bimë zbukuruese që të këput kokën!”- pohon një nga ekspertët.

Sipas tyre, lista me llojet e pemëve dekorative të vendosura për t’u mbjellë në Durrës është monotone, me pak specie, për një qytet turistik. Për këtë arsye, ata sugjerojnë disa bimë të tjera mesdhetare që përdoren në vende të tjera të ngrohta siç është Durrësi, për të thyer monotoninë e qytetit bregdetar, si përshembull Palmat, Ilqja (Quercus ilex) dru gjethembajtës, tipik i Mesdheut, pishën e butë (Pinus pinea).

Në një artikull studimor mbi këtë temë, grupi i ekspertëve ka bërë një përmbledhje të bimëve dekorative që rekomandojnë të mbillen, sipas tabelës më poshtë.

Tabela është pjesë e një artikulli të shkruar nga profesorë, ekspertët e fushës Alfred Mullaj, Petrit Hoda, Lulezim Shuka, Aleko Miho, Ferdinand Bego, Mihallaq Qirjo

“Ata që kanë bërë planifikimin ndoshta janë trembur nga dëmtimet e disa viteve më parë, kur palmat dëmtoheshin nga hundëgjati (Insekt dëmtues); dhe kanë të drejtë, por ka dhe specie të tjera të cilat janë rezistente. Në ndonjë rrugë të shkurtër apo shesh lodrash pranë Portit apo në rrugët kryesore mund të mbillet edhe ndonjë agrum (portokalli apo mandarina)” -thotë profesor Aleko Miho.

Ekspertët kanë rezerva edhe për fondet e shpenzura për blerjen e pemëve.

“Më duken të shtrenjtë. Kemi këmbëngulur gjithmonë për fidanishte vendi dhe për të prodhuar fidana bimësh vendi. Ndoshta edhe për koston më të mirë, por jo vetëm, edhe për vlerat zbukuruese, qendresë ndaj sëmundjeve, përshtatje ndaj klimes etj”, pohon për Faktoje profesor Aleko Miho.

 

 

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img