BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookAktori Veleshnja bie "viktimë" e portaleve

Aktori Veleshnja bie “viktimë” e portaleve

Aktori Rezart Veleshnja nuk është grabitur dhe as dhunuar. Kjo konfirmohet zyrtarisht për Faktoje nga Policia e Shtetit, por edhe nga deklaratat publike të bëra nga vetë aktori. Lajmet e publikuara në portale nuk janë të bazuara në burime, duke shërbyer si burim dizinformimi për audiencën.

—————————————————————————————————————————–

Në një artikull që mban datën 30 nëntor, portalet kanë raportuar për një grabitje në Tiranë, ku pretendohet ndër të tjera së është dhunuar aktori i humorit, Rezart Veleshnja.

“Dhunohet dhe grabitet aktori humorit Rezart Veleshnja në mes të Tiranës, policia arrestoi grupin e grabitësve”, shkruan portali “Prapaskena.com”.

Screenshot, lajmi i publikuar nga “Prapaskena.com”.

“Nga ana e saj, policia, pas një punë intensive hetimore, ka arritur të zbulojë grabitësit, duke i arrestuar”, raporton më tej ky portal. Mirëpo, në tekst, portali nuk i referohet ndonjë deklarate zyrtare nga Policia e Shtetit.

Artikulli në fjalë nuk ka ndonjë referencë apo burim informacioni, duke nxitur dyshime mbi vërtetësinë e tij. Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të lajmit, që qarkulloi masivisht në mediat online në vend.

Fillimisht ne kontaktuam Policinë e Shtetit, nëse kishte pasur ndonjë denoncim për një ngjarje të tillë dhe nëse kishte pasur “arrestime të grupit të grabitësve” siç pretendon portali. Burime zyrtare në këtë institucion bënë të ditur se lajmi është i pavërtetë dhe nuk ka ndodhur si ngjarje. Madje, të njëjtat burime shtojnë se nuk ka pasur njoftim zyrtar për arrestime për këtë çështje.

Në lidhje me këtë ngjarje të raportuar në portale, aktori Rezart Veleshnja ka reaguar nëpërmjet disa postimeve në Instastory, ku mohon që të këtë ndodhur diçka e tillë.

“Ku i dihet mbase më kanë rrahur në ëndërr. S’më ka ndodhur mua asnjë gjë. Ka portale që janë gjizë edhe dhallë”, thotë ndër të tjera Veleshnja në videot e publikuara në Instastory.

Gjithashtu, ai tha për emisionin “Wake Up” në Top Channel se një raportim i tillë është mashtrim.

“Ligji për shpifjen duhet të ishte një nga ligjet që duhet të ishte bërë nami. Është shpifje”, shprehet Veleshnja.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img